Qeveria shqiptare ka miratuar sot ndërtimin e dy centraleve të rinj fotovoltaikë (me energji diellore) në Fier. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, më 4 qershor, dhe bëhet fjalë për dy investime private, jo koncesione.
Kompania “Power Energy” do të ndërtojë një central me kapacitet 25 megavat në zonën e Povelçës, në njësinë administrative Dërmenas. Sipas vendimit, kompania ka 36 muaj kohë për të përfunduar ndërtimin dhe 49 vite afat për operim. Po ashtu, ajo do të japë 2% të energjisë së prodhuar çdo vit, falas për shtetin, ose ta konvertojë në vlerë monetare që do të derdhet në buxhet.
Ndërtimi është propozuar nga vetë zëvendëskryeministrja dhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, dhe nuk përfiton nga ndihma shtetërore apo përjashtime fiskale.
Po ashtu, u miratua edhe një projekt i ngjashëm nga kompania “Albania Solar Power”, për ndërtimin e një centrali më të madh me kapacitet 82 megavat, në zonën e Boçovës, njësia Levan, sërish në Fier. Edhe në këtë rast vlejnë të njëjtat kushte: ndërtimi brenda 36 muajve, operimi për 49 vite dhe pagesa e 2% energji në formë ‘royalty’ për shtetin.
Të dy projektet do të monitorohen çdo tre muaj nga Ministria dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për ecurinë e punimeve, respektimin e kushteve ligjore dhe impaktin mjedisor.