Detaje të reja janë zbuluar për operacionin e kësaj të enjte nga SPAK në qytetin e Elbasanit.
Sipas burimeve, krahas kontrollit ndaj Luan Tabakut, i cili është drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan, objekt i kontrolleve kanë qenë dhe ambientet e biznesmenëve Nazif Bajrami dhe Mariglen Çoku.
Veprimet e kësaj të enjte kishin për objekt vetëm kontrollin, me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e materialeve që mund t’i shërbejnë hetimit, mes të cilave dokumente dhe pajisje kompjuterike e telefonike. BKH ka ushtruar kontrolle në zyrat e Ujësjellësit, si dhe në biznesin e Bajramit, në kuadër të hetimeve për grupin e Suel Çelës.
Hetimi drejtohet nga prokurorët Altin Dumani dhe Vladimir Mara, të cilët kanë në dorë këtë çështje.
Sipas burimeve, firma “Bajrami N” ka qenë shpesh e denoncuar si përfituese e favorizuar e tenderave publikë, për të cilat ka pasur flamuj të kuq edhe nga auditet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.