Arrestohet me urdhër të SPAK, drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi. Burime për mediet bëjnë me dije se arrestimi i Berberit ka ndodhur mbrëmë, ndërsa kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve akuzohet për korrupsion e pastrim parash.
Berberi ka dhënë dorëheqjen para pak ditësh, pasi SPAK ka nisur rreth dy javë më parë hetim ndaj tij, për çështjen e shitjes së një kompanie në vitin 2018.
Dyshohet se bëhet fjalë për një transferim fiktiv të kompanisë me qëllim që Evis Berberi të shmangte konfliktin e interesit, pak para se të emërohej si këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Berberi u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021, ndërsa ende nuk ka një vendim për drejtorin e ri.