Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin bregdetar të Sarandës, duke sjellë plagosjen e një të riu.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:50 në rrugën “Studenti”, pranë barit të njohur “Ali Pasha”. Sipas informacioneve zyrtare, një motor i drejtuar nga 22-vjeçari Klauid Hadëri është përplasur me një automjet tip “Smart”, që drejtohej nga 20-vjeçari Orlando Koshi.
Përplasja ka qenë e fortë dhe për pasojë, Hadëri ka pësuar dëmtime në kokë. Ai është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Sarandës, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Fatmirësisht, mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas aksidentit, shërbimet e qarkullimit rrugor mbërritën në vendngjarje dhe kryen testet e alkoolit për të dy drejtuesit, të cilët rezultuan negativë, me nivel 0.00 mg/l.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti, i cili ndodhi në minutat e fundit të ditës së shtunë.