
Besimtarët bektashi festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin.
Nevruzi, që do të thotë “ditë e re” në persisht, është shumë më tepër se thjesht fillimi i një viti të ri, është një festë e lashtë e jetës, rilindjes dhe triumfit të dritës mbi errësirën. Me rrënjë që shtrihen mbi 3000 vjet në epokën e Zoroastrianizmit, Nevruzi paralajmëron ardhjen e pranverës dhe festohet në ekuinoksin e pranverës.
Në këtë ditë, përveç riteve fetare, besimtarët bektashinj shkëmbejnë edhe vizita e dhurara me njëri-tjetrin. Gjithashtu tryezat shtrohen si për festë, ku nuk mungon byreku me monedhë, jeshillëqet, mishi i pjekur dhe sultjashi. Kjo ëmbëlsirë në bazë të saj ka qumështin, që simbolizon qumështin e nënës, orizin që simbolizon bollëkun dhe sherbetin që merret i kënduar në teqe.
Sot, Nevruzi festohet nga njerëz me prejardhje të ndryshme fetare dhe kulturore, duke reflektuar një dëshirë universale për rinovim, paqe dhe prosperitet. Njohja ndërkombëtare nga UNESCO dhe Kombet e Bashkuara nënvizon rëndësinë e saj si një ngjarje kulturore unifikuese në botën tonë gjithnjë e më të ndërlidhur.