Edhe një herë tjetër situata e sotme në veri të Kosovës tregoi se sa e vështirë dhe e komplikuar mbetet paqja në një rajon të trazuar, ndërsa faktori ndërkombëtar duket sa vazhdon “lojën” historike të zvarritjeve pa zgjidhje kundër një populli të cilit i përsëriten tragjeditë në mes të Europës, në një kohë kur paralelisht flitet për një projekt të përbashkët europian.
Çfarë ndodhi sot në Kosovë?
Persona të armatosur me automjete të blinduara sulmuan një fshat të Kosovës të dielën, duke luftuar me policinë dhe duke u barrikaduar në një manastir në një përpjekje për të ringjallur dhunën dhe luftën, në veriun e trazuar në kufi me Serbinë.
Policia e Kosovës tha se një oficer nga radhët e tyre si dhe tre nga rreth 30 agresorët e armatosur vdiqën nga të shtënat rreth fshatit Banjska. Murgjit dhe pelegrinët u mbyllën në tempullin e manastirit ortodoks serb, ndërsa luftimet vijuan për orë të tëra.
Shqiptarët etnikë përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë 1.8 milionëshe në territorin e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia. Por rreth 50,000 serbë përbëjnë shumicën në veri, ku përleshjet në maj çuan në plagosjen e dhjetëra protestuesve dhe paqeruajtësve të aleancës së NATO-s.
Serbët nuk e kanë pranuar kurrë shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe ende e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre, më shumë se dy dekada pas kryengritjes guerile të shqiptarëve të Kosovës kundër sundimit represiv serb.
Ishte e paqartë se kush qëndron pas dhunës së ditës së dielë, por kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm Xhelal Svecla fajësuan "kriminelët e sponsorizuar nga Serbia".
“Ata janë profesionistë, me përvojë ushtarake dhe policore”, tha Kurti, duke kërkuar dorëzimin e tyre.
Zyrtarët serbë nuk patën asnjë koment të menjëhershëm, kurse presidenti Aleksandar Vuçiç reagoi ashpër në mbrëmje. Ai fajësoi Albin Kurtin dhe ndërkombëtarët dhe tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Vuçiç tha se lidhur me situatën e fundit Beogradi do të përgjigjet me qetësi.
Dioqeza e Kishës Ortodokse Serbe të Rashkës-Prizrenit, e cila përfshin Banjskën, tha se njerëz me një makinë të blinduar sulmuan kompleksin e manastirit, duke detyruar murgjit dhe besimtarët që e vizitonin atë të mbylleshin brenda tempullit.
“Njerëz të maskuar të armatosur lëvizin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjohen të shtëna armësh”, thuhej në një deklaratë. “Dioqeza dënon ashpër dhunën e hapur që po ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që sa më shpejt t'i japin fund konfliktit”.
Policia tha se agresorët fillimisht pozicionuan automjete të rënda në një urë në fshatin verior. Ata qëlluan mbi policinë që iu afrua para se të shkonin në manastirin aty pranë.
Roli i ndërkombëtarëve dhe faji i kujt është?
Shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, Caroline Ziadeh dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dënuan dhunën.
"Më shumë jetë të pafajshëm janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës," tha Borrell, duke shtuar se misionet e BE-së dhe NATO-s në Kosovë po ndërlidheshin me autoritetet. “Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”.
Trupat e NATO-s, së bashku me anëtarët e forcës policore të BE-së, EULEX dhe policisë së Kosovës, janë parë gjatë ditës duke patrulluar rrugën që të çon në Banjska, sipas një reporteri të Reuters aty pranë.
Gazetarëve iu ndalua hyrja në fshat. Mediat lokale thanë se policia kufitare e Kosovës mbylli dy vendkalime me Serbinë.
Serbët në veri të Kosovës kanë kërkuar prej kohësh zbatimin e një marrëveshjeje të vitit 2013 të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për krijimin e një asociacioni të komunave autonome në zonën e tyre.
Bisedimet e sponsorizuara nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës ngecën javën e kaluar, me Europën që fajësoi Kurtin për dështimin e krijimit të asociacionit.
Prishtina e sheh planin si një recetë për një mini-shtet brenda Kosovës, duke e ndarë në mënyrë efektive vendin sipas vijave etnike.
Serbia ende zyrtarisht e konsideron Kosovën si pjesë të territorit të saj, sikurse mohon sugjerimet për nxitjen e grindjeve brenda kufijve të fqinjit të saj. Beogradi akuzon Prishtinën për shkeljen e të drejtave të minoritetit serb.
Trazirat u intensifikuan kur kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të prillit që serbët i bojkotuan.
NATO mban ende 3,700 trupa paqeruajtëse në Kosovë, pjesa e mbetur e një force origjinale prej 50,000 trupash të dislokuar në 1999.
Zona e veriut të Kosovës ku serbët përbëjnë shumicë shihen si një shtrirje virtuale e Serbisë. Administrata lokale dhe nëpunësit publikë, mësuesit, mjekët dhe projektet e mëdha të infrastrukturës paguhen nga Beogradi.
Por krahasimi më i mirë për zgjidhje mund të jetë po aty; a trajtohen njësoj shqiptarët në jug të Serbisë dhe pse duhet gjetur një zgjidhje tjetër për serbët në veri të Kosovës?
Përgatiti: A. Muraçi/ Liberale.al