Politike

Saliu iku, tani e ka radhën Berishizmi!

               Publikuar në : 21:35 - 16/09/21 liberale

Alfred Peza

Nisja nga Tirana e turit të takimeve me bazën, shënon fillimin e fundit të karrierës politike të Sali Berishës, pas vendimit të Lulzim Bashës për largimin e tij nga Grupi Parlamentar i PD. Në moshën 77 vjeçare, ai është detyruar të dali sërisht rrugëve, duke dashur të përsërisë historinë e 30 viteve më parë që e sollën në majën e sistemit të ri politik të vendit. Një tablo e errët, që do ta ndjeki përjetësisht nga pas imazhin e Sali Berishës, në histori!

Ky është fundi pa lavdi i një lideri, që kërkon të sfidojë jo vetëm kohën por edhe teorinë e propabilitetit, e cila na mëson se historia nuk përsëritet dot kurrë dy herë njësoj. Lulzim Basha na ka dhuruar një leksion të paharrueshëm rreth turpërimit publik të babait politik, kur ai nuk pranon që ta dorëzojë me vullnetin e tij të lirë, stafetën e lidershipit sa është gjallë.

Pasditja e 16 shtatorit 2021, do të mbahet mend gjatë, si dita e nisjes së një epoke të re cilësisht ndryshe në historinë tonë politike. Nga njëra anë e ekraneve televizive, Lulzim Basha i bënte oponencën Kryeministrit Edi Rama për programin e qeverisë Nr. 3, në sallën e Parlamentit. Ndërsa Ambasadorja e SHBA Yuri Kim, jepte një intervistë të jashtëzakonshme tek “Zëri i Amerikës”. “Faktet e korrupsionit të Berishës janë të dukeshme” u citua ajo nga mediat dhe shtoi se ata që ngrenë hipoteza rreth vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj tij, nuk duhet të meren me teori konspirative.

Ndërkohë, Sali Berisha fliste në një sallë të mbushur me militantët e përjetshëm. Për herë të parë në jetën e tij, ai nuk u mor aty me liderin e të majtës. Me Kryetarin e PS. Me udhëheqësin e mazhorancës. Me Kryeministrin. Jo. Ai kishte punë vetëm me Kryetarin e PD. Me liderin e opozitës. Me Lulzim Bashën. Deri dje e mohonte kategorikisht, ndërsa sot u kërkoi ndjesë demokratëve, se u solli në krye të PD Lulzim Bashën. Duke e akuzuar atë, vetëm për dështime në këto 8 vjet dhe për ngulje thike pas shpine.

Ky është edhe thelbi i “berishizmit”, si praktikë politike që ka dominuar për 30 vjet me radhë PD dhe të djathtën shqiptare. Një filozofi politike që bazohet tek morali i forcës. Tek dhuna verbale. Tek amoraliteti politik. Tek makina e baltës. Tek besnikëria e klanit. Tek mbajtja e pushtetit në duart e familjes. Tek trajtimi i kundërshtarit si armik. Tek arritja e qëllimit, me çdo lloj mjeti e çmimi. Tek zbatimi i parimit se nëse në krye jam unë, gjithçka është më e mira. Nëse vendin tim e zë një tjetër, gjithçka është e zezë dhe më e keqja e mundshme.

Kjo shkollë politike mbështet tek doktrina se nëse je me mua, më mbështet dhe më mbron mua, ti je më i miri, më i bukuri, më i mençuri, më i pastri, më i zoti, më profesionisti, më i shkëlqyeri. Por nëse në një moment ti më dole kundër, prit që ti kesh të gjitha të zezat e kësaj bote. Sepse berishizmi të do të rreshtuar: O me mua, o kundra meje, rrugë tjetër nuk ka. Këtu buron edhe mentaliteti tribal: Pas meje qameti. Apo: PD është imja, penalltinë do ta gjuaj vetë, edhe në mbetsha i vetëm brenda saj.

Ndaj deri dje për Sali Berishën, Lulzim Basha ishte e vetmja alternativë për të ardhmen e Shqipërisë përballë Edi Ramës, ndërsa sot ai është për të Kryearmiku i demokratëve dhe opozitarëve!

Kaq mjafton për të kuptuar se përse pas shpalljes së Sali Berishës “non grata” nga SHBA, lufta nuk është më me mazhorancën, por brenda llojit. Brenda PD. Brenda “Opozitës së Bashkuar”. Brenda minorancës. Është luftë finale për jetë a vdekje, që ska të bëjë aspak me parimet, me moralin, normat, programin dhe filozofinë e së djathtës. Është lufta e Sali Berishës për mbijetesë, i cili për shkak të hallit personal kërkon të futet në luftë me SHBA, nga bunkeri i PD.

Çfarëdo që të bëjë dhe ngado të rrotullohet, tani është më e qartë se kurrë për shumëkënd, se Saliu iku. Sfida më e madhe e Lulzim Bashës, e PD, e demokratëve, e të djathtëve dhe e gjithë opozitarëve është që të largojnë pas kësaj, edhe “berishizmin”. Rikthimi i akteve të dhunës fizike dhe verbale nga Grupi Parlamentar i PD në Kuvendin e ri, ndërkohë që Shqipëria po sheh largimin e Saliut, dëshmon sesa larg triumfit real është lidershipi i Luzim Bashës.

Qasja destruktive, mbajtja gjallë në mënyrë artificiale e konfliktit dhe tensionit politik në vend, tentativa për tu imponuar përmes rrugëve dhe me anë të mjete antidemokratike në mungesë të konstruktivitetit, ofrimit të alternativave qeverisëse dhe debatit real për zgjidhje konkrete në të mirë të qytetarëve dhe të se ardhmes së Shqipërisë Europiane, nuk të çojnë larg.

Lulzim Basha po e fiton betejën me Saliun dhe kjo është më e lehta. PD dhe opozita shqiptare mund të kenë shanse reale për tu rikthyer në pushtet, vetëm pasi të kenë fituar, edhe luftën me “berishizmin”. Kjo është kryesfida që Lulzim Basha ka përpara. Pas vrasjes së babait politik, tani është momenti për ti përgatitur funeralin edhe filozofisë së tij, e cila e dënoi PD me qëndrim në opozitë për 12 vjet me radhë!

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back