"Njerëz dhe fate" është një nga serialet më të njohura dhe më të dashura për publikun shqiptar. Kjo sepse ishte e para telenovelë e prodhuar në shqip, dhe së dyti sepse trajtonte problematika të realitetit shqiptar.
Lajmi i shumëpritur ishte rikthimi i këtij seriali me një sezon të ri. Aktori i njohur, Arben Derhemi, ka rrëfyer në emisionin "Dola te Ola", se ishte ai iniciatori i kësaj ideje.
“Po mos ta merrja unë këtë hap nuk do të bëhej e mundur”, tha ai.
Ai shtoi se vazhdimi i serive të reja të këtij seriali do të jetë shumë i suksesshëm dhe se ngjarjet do të jenë edhe më të forta se në seritë e para.
Kasti i aktorëve do të jetë 80% i atyre që kanë qenë, si: Robert Ndrenika, Alfred Trebicka, Eni Jani, Pavlina Mani e cila do të jetë sa në Amerikë aty ku ajo jeton, sa në Shqipëri. “Do ta ndërlidhim me jetën e saj atje”, tha ai.
Arbeni zbuloi se si fillim do të ketë 15 seri, pasi është një punë e madhe dhe sipas tij duhet shumë investim.
“Është një staf prej 45 vetësh, të cilët për rreth dy muaj e gjysmë do të spostohen në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha më tej ai.
E pranishme në serial sipas Arbenit, do të jetë edhe aktorja Arta Muçaj, që luante personazhin e Didit.