Ish-deputetja e PS-së me profesion gjuhëtare, Ledi Shamku Shkreli, ka komentuar rezultatet e provimeve të maturës Shtetërore.
Nga rezultatet binte në sy fakti se provimin e Gjuhës dhe Letërsisë, vetëm 4 maturantë nga rreth 30 mijë që u futën në provim morën notën maksimale 10. Tingëllon paradoksale, por shqiptarët mburren se dinë gjuhë të huaja por nuk njohin gjuhën e tyre.
Ledi Shamku si anëtare e Akademisë së Studimeve Albanologjike thotë se fajtorë për këtë situatë janë vetë gjuhëtarët, pasi nuk u kanë mësuar nxënësve ta duan e ta vlerësojnë atë, duke mbështetur argumentin se gjuha është gjithçka.
Por si ka mundësi që gjuha shqipe të jetë më e vështirë se matematika, kur në çdo vend tjetër ndodh e kundërta.
“Kjo maturë na dha qartas pasqyrën: 4 dhjeta në provimin e Gjuhë-Letërsisë karshi 362 dhjetave në matematikë. Dëgjova me kujdes çdo argument, çdo përdorim e shpërdorim politik, çdo hakërrim apo ankim pa analizë”, tha Ledi Shamku.
“Në emër të Institucionit tim, Akademisë së Studimeve Albanologjike, ju jap fjalën se ky është viti i fundit që gjuhëtarët e lenë shkollën vetëm. Do dimë t’ju bëjmë të dini e të doni. Keni pasionin tonë si premtim”, tha ajo në një reagim në rrjetet sociale.
Reagimi i plotë i Ledi Shamku Shkrelit:
KATËR DHJETAT E GJUHËS DHE GJUHËTARËT
E njoh arsimin aq sa për të lexuar të dhëna krahasimtare e sidomos e njoh mirë procesin shkollor formues me gjuhë e kulturë, si këtu po edhe në Europë. Jetoj mes dy botësh shkollore, pra dij se ç’them.
Kjo maturë na dha qartas pasqyrën: 4 dhjeta në provimin e Gjuhë-Letërsisë karshi 362 dhjetave në matematikë. Dëgjova me kujdes çdo argument, çdo përdorim e shpërdorim politik, çdo hakërrim apo ankim pa analizë. (Testin e studiova, është korrekt).
Ndjesë, po e keni gabim! Të gjithë. Ky hendek mes gjuhës dhe matematikës ka vetëm një palë fajtorë: nuk është fajtore as Ministria e as Shkolla! Jo! Fajtorët e vetëm jemi ne Gjuhëtarët. Pooo po! Ne! Gjuhëtarët i kanë qëndruar deri me sot krejt larg edukimit shkollor. Me skeptrin e drejtshkrimit në dorë, të dashuruar si narcizë me gramatikat e veta, shpërfillës e përbuzës ndaj çdo testimi gjuhësor në vite, kanë qëndruar, kemi qëndruar si Sfinksa hijerëndë e pa gojë në tryezat tona te studimit, pa i hedhur kurrë sytë nga shkolla, madje duke e torturuar shkollën! Jam nënë e tre nxënësve, dhe kam parë sesi Gramatika e Akademisë së Shkencave, e thjeshtuar në fare pak paragrafë, u është rrasur në tekste e programe nxënësve a thua se do të dalin të gjithë gjuhëtarë së andejmi. Jemi shqetësuar veç a dini të shkruani me drejtshkrim, po nuk e kemi vrarë fare mendjen a e njihni dhe a e doni Shqipen. Kështu siç ua kemi bërë ne, kaq vetëm sa ju kemi lënë ne gjuhëtarët në rrugën e nxënies së Shqipes si kulturë e gjuhë, keni shumë të drejtë të mos e kuptoni e të mos e doni.
Ju kërkojmë ndjesë. Fajtorët e vetëm për këto 4 të vetme dhjeta në maturë janë gjuhëtarët.
Në emër të Institucionit tim, Akademisë së Studimeve Albanologjike, ju jap fjalën se ky është viti i fundit që gjuhëtarët e lenë shkollën vetëm. Do dimë t’ju bëjmë të dini e të doni. Keni pasionin tonë si premtim.
Shqipja? Do t’ju ndriçojë zemrat dhe mendjet. Dhe madje do të rrisë edhe më dhjetat e matematikës e të çdo lende tjetër. Gjithçka është gjuhë, edhe një formulë matematike, edhe një “Të dua”.
Shihemi shpejt me lajme të reja!
/Liberale.al/