Në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se procesi voluminoz i përafrimit të legjislacionit të Shqipërisë me atë të Bashkimit Europian, do të jetë gati më 13 dhjetor në mbledhjen e BE-së, me vendet e Ballkanit Perëndimor, në Bruksel.
“Që një vend të jetë teknikisht gati për t’u bërë shtet anëtar i BE duhet të harmonizojë legjislacionin e tij me legjislacionin e BE. Për Shqipërinë kjo do të thotë që të ndër-vendosë në legjislacionin e saj 280 mijë faqe të 3484 masave ligjore të komunitetit europian. Ose ndryshe ne do të miratojmë mbi 4000 akte ligjore dhe nënligjore.
“Që kur Shqipëria e ka nisur ta bëjë këtë përafrim të legjislacionit me BE shumë vite më parë e deri tani, ka arritur të bëjë ndër-vendosjen e 510 masave, rreth 15% të gjithë volumit që duhet transferuar në legjislacionin tonë. Tradicionalisht kjo punë kolosale për vendet që e kanë kaluar këtë proces ka marrë 7-10 vjet. Shqipëria këtë punë do ta bëjë shumë herë më shpejt se sa më i shpejti i vendeve pararendëse. Dhe ky nuk është prapë po e them, një qëndrim retorik, ky është një argument i mbështetur në shkencë, inovacion, teknologji”, tha Rama.
Për ta mundësuar këtë proces në një kohë sa më të shpejtë, Rama tha se Qeveri shqiptare po bashkëpunon me Mira Muratin, emër i njohur botërisht që ka krijuar inteligjencën artificiale “ChatGPT”. - “Askush nga ne nuk e kishte dëgjuar më parë emrin e një vajze vlonjate, një talent gjenial shqiptar që quhet Mira Murati, e dëgjuam të gjithë njëkohësisht bashkë me gjithë botën emrin e Mira Muratit kur ajo mahniti të gjithë me krijesën e inteligjencës artificlale me emrin ChatGPT. Ju e dini si është jeta, secili ka fiksimin e vetë. Unë kam fiksim tim dhe e kërkoj Mira Muratin i ndrojtur nga një ndroje që nuk më karakterizon, dhe ajo më jep një takim telefonik. Dëgjoj një zë miqësor dhe unë marr guximin t’i kërkoj ndihmë për ta bërë gati më shpejt Shqipërinë për anëtarësimin në BE.
“Ajo qesh se mbase kujtoi se po bëja humor. Megjithatë thotë po të dëgjoj. Unë e pyes a është e mundur që në vend se ne të rekrutojmë një armatë me përkthyes dhe me juristë dhe të shpenzojmë nuk e di sa dhjetëra miliona Euro për të bërë gati në shqip malin me masat ligjore të BE, ta bëjmë këtë përmes ChatGPT. E dëgjoi me kujdes parashtrimin dhe më përgjigjet, po më duket e mundur. Kështu nisi puna me Mirën dhe me një skuadër të përbashkët që e krijuam me AKSH-in”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama siguroi se më 13 dhjetor, rezultatet e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE përmes inteligjencës artificiale, do të jenë gati për të gjithë liderët e Bashkimit Eruopian. “Dhe sot dua ta ndaj me ju që në 13 dhjetor në Bruksel kur të mbarojë mbledhja bashkë dilemën greke do ja u lë si kartolinë e Vitit të ri të Shqipërisë të gjithë liderëve të BE rezultatin e testit të suksesshëm të modelit shqiptar të inteligjencës artificiale për vendosjen në legjislacionin tonë të 280 mijë faqe masa ligjore të BE-së dhe modeli ynë revolucionar këmbë e krye i gjithë këtij procesi monumental për nga volumi i punës nuk bën thjesht përkthim por edhe një serë shërbimesh të tjera.
Por në thelb na mundëson një qërim farmaceutik të gjithë thasëve të pafundmë të orizit të legjislacionit tonë në tërësi duke nga njëra anë na ekspozuar të gjitha vargmalet e mbivendosjeve që kanë ndodhur si rezultat i kalimit të ligjeve apo VMK pa marrë parasysh vendime të mëparshme dhe duke krijuar një situatë që atë që ta jep një ligj nuk ta jep ligji tjetër, dhe duke na dhënë edhe analizën e impaktit të çdo mase që ndërvendoset me legjislacionin shqiptar për të cilën do na duheshin dhjetëra ekspertë ndërkombëtarë. Dhe patjetër duke na garantuar edhe një vend nderi në historinë e kampionatit europian të integrimit”.