Aktualitet

Putinit po i rrëzohet "kalaje prej rëre", rrezikon që të humbasë pushtetin

Shkruar nga Liberale
Putinit po i rrëzohet "kalaje prej rëre", rrezikon që

Vladimir Putin thotë se ai mësoi nga zënkat kur ishte fëmijë në qytetin e lindjes, Shën Petersburg se “nëse dëshiron të fitosh një luftë, duhet ta çosh deri në fund, sikur të ishte beteja më vendimtare e jetës tënde”. Ky mësim, i cituar në biografinë më të fundit të presidentit rus, duket se po e udhëheq atë ndërsa agresioni në Ukrainë përballet me pengesa dhe ngërç. I forti i Kremlinit, i cili filloi luftën më 24 shkurt 2022 dhe mund ta ndërpriste atë për një minutë po të donte, duket se është i vendosur të triumfojë, pa mëshirë dhe me çdo kusht.

Ndërsa iu drejtohej bashkatdhetarëve të tij këtë muaj në 80-vjetorin e Betejës së Stalingradit që ndryshoi fatin e Moskës në Luftën e Dytë Botërore, ai tha: “Gatishmëria për të ecur para për hir të Atdheut dhe të vërtetës, për të bërë të pamundurën, ka qenë dhe gjithmonë do mbetet në gjak, në karakterin e popullit tonë multietnik”.

Por deri më tani, rreziku që mori në sy presidenti Putin për të pushtuar fqinjin më të vogël dhe më të dobët të Rusisë, duket se ka dështuar në mënyrë spektakolare dhe ka krijuar kërcënimin më të madh për sundimin e tij prej më shumë se dy dekadash.

HISTORIA DHE PENGESAT MODERNE

Ai e filloi “operacionin e posaçëm ushtarak” në emër të çmilitarizimit dhe “denazifikimit” të Ukrainës, duke kërkuar të mbrojë rusët etnikë, të parandalojë anëtarësimin e Kievit në NATO dhe ta mbajë atë në “sferën e ndikimit” të Rusisë. Ndërsa ai pretendon se Ukraina dhe Perëndimi provokuan agresionin rus, ata thonë pikërisht të kundërtën. Ukrainasit thonë se ishte një akt i paligjshëm dhe i pacipë agresioni kundër një vendi me një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe një president hebre, të afërmit e të cilit u vranë në Holokaust.

Zoti Putin hodhi themelet për agresionin me një ese prej 5000 fjalësh të publikuar më 2021, në të cilën ai vuri në dyshim legjitimitetin e Ukrainës si komb. Ky ishte vetëm kapitulli i fundit në një obsesion të gjatë me Ukrainën dhe një vendosmëri për të korrigjuar atë që ai beson se ishte një gabim historik për ta lënë atë të rrëshqiste nga orbita e Moskës. Ai u kthye pas tre shekuj në histori, duke iu referuar Pjetrit të Madh, në përpjekje për të gjetur argumente në mbështetje të agresionit për të ripushtuar territorin që sipas tij i takon Rusisë.

Por korrigjimi i historisë së shpejti u përball me pengesa moderne.

Gjithçka që ai donte të arrinte ka shkuar në mënyrë katastrofike”, tha gazetari britanik Philip Short, i cili vitin e kaluar botoi librin biografik mbi presidentin rus të titulluar, “Putin”.

Pavarësisht ndërhyrjeve të armatosura në Çeçeni, Siri dhe Gjeorgji, presidenti Putin mbivlerësoi ushtrinë e tij dhe nënvlerësoi rezistencën e Ukrainës dhe mbështetjen perëndimore. Mediat ruse përpiqen të forcojnë autoritetin e tij me imazhet e një Putini kraharor të zhveshur duke hipur në kalë, duke qëlluar në një poligon ushtarak, por lufta ka nxjerrë në pah mangësitë e tij dhe dobësinë e ushtrisë ruse, shërbimeve të inteligjencës dhe disa sektorë ekonomikë.

Forcat ukrainase kanë çliruar më shumë se gjysmën e territorit të pushtuar nga Rusia. Lufta ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra vetëve nga të dyja palët, ka shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe ka shtyrë jo vetëm Ukrainën, por Suedinë dhe Finlandën të kërkojnë anëtarësim në NATO. Ajo ka rritur kërcënimin e sigurisë për Rusinë dhe ka kthyer pas dekada të integrimit të Rusisë me Perëndimin, duke sjellë izolim ndërkombëtar.

Gjithnjë e më shumë, presidenti Putin duket se po improvizon në konfliktin shumë më të gjatë dhe më të vështirë sesa ai priste. Për shembull, ai ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore, më pas është tërhequr. Kjo strategji vjen nga pasioni i tij i përjetshëm, xhudoja:

“Duhet të jesh i zhdërvjellët. Ndonjëherë mund t'u hapësh rrugë të tjerëve, nëse kjo është mënyra që të çon drejt fitores”, tregonte zoti Putin në intervistat me regjisorin amerikan Oliver Stone gjatë viteve 2015-2017, ku ai paraqitej nën një dritë pozitive.

Sipas mendimit të presidentit Putin, Perëndimi agresiv dëshiron të shtypë Rusinë. Deklarimet e tij, së bashku me masat gjithnjë e më represive për të shtypur mospajtimin e brendshëm, kanë rritur mbështetjen patriotike mes shumë prej bashkatdhetarëve të tij. Por kjo mbështetje përballet me një strukturë pushteti joefikase, nga lart-poshtë, të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik dhe sakrificave që rusët po vuajnë personalisht.

NJË UDHËHEQËS I ÇORIENTUAR, POR I VENDOSUR

Në intervistat me Associated Press, biografi i presidentit rus, Short, analistë të tjerë dhe një ish-zyrtar i Kremlinit e përshkruajnë 70-vjeçarin Putin si një udhëheqës të çorientuar, të dobësuar, të ngurtë dhe me një mentalitet të vjetëruar dhe që nuk e pranon se po has vështirësi.

Ata thonë se ai duket se është i shqetësuar për përkrahjen që po zbehet, megjithëse ende të fortë, të opinionit publik vendas, megjithëse të dhënat janë nga hulumtime jo të besueshme. Kryesisht i izoluar për shkak të shqetësimeve të COVID-19 dhe sigurisë së tij personale, presidenti Putin flet me një grup të vogël këshilltarësh, por ata duket se ngurrojnë t’i japin vlerësime të sinqerta.

Vëzhguesit shohin një luftë të gjatë dhe të ashpër që ai është i vendosur ta fitojë, me rrugëdalje që është e vështirë për t'u parashikuar.

“Nuk është zoti Putin ai që sundon Rusinë. Janë rrethanat që sundojnë Putinin”, tha Tatiana Stanovaya, anëtare e lartë e organizatës jo qeveritare amerikane, “Carnegie Endowment for International Peace”.

Zoti Short beson se udhëheqësi i Kremlinit “e ka vendosur veten në një pozicion nga ku e ka të vështirë të lëvizë … Ai do të kërkojë mënyra për të ecur para, por nuk mendoj se i ka gjetur ato”. Nuk ka gjasa të dorëzohet, tha zoti Short, duke kujtuar se “karakteri i tij ishte gjithmonë të forconte përpjekjet dhe të luftonte edhe më fort”.

Fiona Hill, e cila ka shërbyer në tre administratat e kaluara të Shteteve të Bashkuara dhe është studiuese në Institutin Brookings, beson se zoti Putin donte fitore të shpejtë në Ukrainë, të caktonte një president të ri në Kiev dhe ta detyronte atë t'i bashkohej Bjellorusisë, në një bashkim sllav me Rusinë. Rusinë do ta drejtonte një pasardhës tjetër, tha ajo, ndërsa zoti Putin do të forconte rolin e tij duke marrë udhëheqjen e një aleancë më të madhe.

Por tani, sipas zonjës Stanovaya, “Ndihet se nuk ka asnjë shpresë se konflikti mund të zgjidhet në ndonjë mënyrë tjetër përveçse ushtarake. Dhe kjo është e frikshme.”

SKENARËT E MUNDSHËM PËR PRESIDENTIN PUTIN

Analistët parashikojnë disa skenarë për zotin Putin, në varësi të zhvillimeve në fushën e betejës. Skenarët, që nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, variojnë nga ajo që mund të ishte makthi i tij më i madh - një grusht shteti apo kryengritje si ato që ai pa si agjent i KGB-së në Gjermaninë Lindore në 1989, në Bashkimin Sovjetik në 1991 ose në Ukrainë në 2004 dhe 2014 - deri tek një rizgjedhje e tij këtë vit. Kjo do të zgjaste edhe më tej sundimin më të gjatë të Kremlinit nga një udhëheqës, Kremlinit, që nga koha e Josif Stalinit.

Dmitry Oreshkin, analist politik dhe profesor në Universitetin e Lirë në Riga, Letoni, tha se zoti Putin mund të rishikojë objektivat e tij në Ukrainë, duke deklaruar se i arriti ato duke krijuar një korridor tokësor nga Rusia në Krime dhe duke vënë nën kontroll rajonet Donetsk dhe Luhansk, në lindje. Pastaj ai mund të deklarojë se: "Ne i ndëshkuam. Ne u treguam atyre se kush janë të zotët e shtëpisë. Ne kemi mundur të gjitha vendet e NATO-s," shtoi Oreshkin.

Por Kievi nuk ka pranuar të lëshojë territore, dhe që Presidenti Putin ta shesë këtë si një fitore, zoti Orsehkin beson se “ai duhet të bindë veten se e mundi Ukrainën. Dhe ai e kupton më mirë se kushdo që, në fakt, ai humbi.”

Ndërsa shtohen pengesat ushtarake, rusët po bien moralisht dhe psikologjikisht dhe mendojnë: "Po, po shohim se diçka nuk shkon në luftë, por nuk duam ta dimë se çfarë", thotë zoti Oreshkin.

Sipas tij, ky pranim, së bashku me vështirësitë ekonomike, mund të shtojë kritikat ndaj Presidentit Putin, ndoshta gjatë verës, në një kohë që rusët pyesin “na premtoi fitore, ku është fitorja”?

Abbas Gallyamov, që më parë ka shkruar fjalimet e zotit Putin tha se presidenti rus nuk i pranon gabimet apo humbjet dhe “i duhet dëshpërimisht fitorja vetëm për të vërtetuar se ai është një njeri i fortë”.

Madje edhe një pjesë e ushtrisë po bëhet kritike, tha ai.

"Kur ai të urrehet nga më shumë se gjysma e ushtrisë - dhe ne po shkojmë në këtë drejtim - mundësitë për një grusht shteti, për një puç nga elita ushtarake do të rriten," tha Gallyamov, duke përcaktuar si afat vitin 2024 ose disa vjet më shumë.

Por zonja Stanovaya dhe zoti Short nuk presin të ndodhë ndonjë kryengritje e afërt, e çdo forme.

"Edhe nëse njerëzit vuajnë, të jenë të pakënaqur dhe të zemëruar, nuk do e kthejnë në çështje politike" tha Stanovaya.

Zoti Gallyamov sheh një rrugëdalje për Presidentin Putin, nëse ai mund të sigurojë njohjen e "territoreve të reja, plus një deklaratë të NATO-s që ndalon zgjerimin, për shembull, ose futjen në kushtetutën e Ukrainës të statusit neutral ... ose një deklaratë të tyre se rusishtja do të jenë gjuha e dytë zyrtare”.

VDEKJA DHE PASARDHËSI

Një tjetër mundësi është që zoti Putin të vdesë në detyrë, por drejtori i CIA-s, William Burns është skeptik.

"Ka shumë thashetheme për shëndetin e Presidentit Putin dhe me sa mund të themi, ai është plotësisht shumë i shëndetshëm," tha zoti Burns, ish-ambasador i SHBA në Moskë, në Forumin e Sigurisë Aspen në Kolorado në korrik.

Zoti Short tha se Presidenti Putin ka krijuar kontrolle të forta sigurie dhe më të mëdha janë gjasat që ai të ketë një atak zemre se sa ta rrëzojnë nga pushteti njerëzit pranë tij.

Ai dhe zonja Hill besojnë se Presidenti Putin me shumë mundësi po kërkon një pasardhës. Zoti Gallyamov rendit si pasardhës të mundshëm “teknokratë” si kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin dhe kryeministri Mikhail Mishustin.

Zonja Hill tha se Dmitry Medvedev, të cilin zoti Putin e zgjodhi si president nga viti 2008 deri në 2012, "duket se është në provë për të rimarrë të njëjtin rol”.

Për momentin, zoti Putin mbetet në krye të detyrës. Në biografinë e tij të autorizuar të vitit 2000, ai vuri në dukje: “Gjithmonë bëhen shumë gabime në luftë. ... Duhet të mbani një qëndrim pragmatik. Dhe duhet të vazhdoni të mendoni për fitoren.”

Kur një gazetar e pyeti në dhjetor nëse "operacioni i tij special ushtarak" në Ukrainë ka marrë shumë kohë, zoti Putini u përgjigj me një shprehje ruse se qëllimet e mëdha arrihen gradualisht: "Pula i çukit kokrrat e grurit një e nga një”. /VOA/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH