Aktualitet

Pse na duhet një President antikomunist

Shkruar nga Liberale
Pse na duhet një President antikomunist

Nga Besim Ndregjoni

Ka mbi dy javë që politika shqiptare diskuton për institucionin më të rëndësishëm në vend për zgjedhjen e kryetarit të shtetit. Shoqëria shqiptare, gjatë tri dekadave, ka ndjekur tamtamet ideologjike që çdo maxhorancë i lëshon në kohën e zgjedhjes të kryetarit të shtetit.

Fatkeqësisht, dy partitë kryesore politike, Partia Socialiste me kryetar Edi Ramën dhe Partia Demokratike me ish-kryetar Sali Berishën në vitin 2008 ndërhyn në Kushtetutë duke e degraduar institucionin e Presidencës dhe zgjedhjen e Presidentit dhe duke ia lënë zgjedhjen maxhoranës në raundin e katërt, pa pasur nevojë për votat e opozitës.

Po në vitin 2008, këta dy drejtues politikë ndërhynë në ligjin e zgjedhjeve duke futur në Kushtetutë rolin e Kryetarit të Partisë si vendimmarrës për deputetët pa i dhanë të drejtë votuesit të zgjedhë individin që konkurron, por partinë. Këto ndërhyrje në Kushtetutë sollën një fenomen të rrezikshëm për mosfuksionimin e shtetit ligjor.

Këta politikan nuk patën problem ndërtimin e shtetit ligjor, por forcimin e pushtetit të kryetarit të partisë dhe aspak funksionimin e institucioneve të shtetit siç e kërkon Kushtetuta në një sistem demokratik. Këto ndryshime kushtetuese sot mbas 13 vitesh po i vuajnë shqiptaret, institucionet janë kthyer në vartësi të kryetarit të maxhorancës qeverisëse dhe institucioni i votës është dhunuar dhe ka mbi 9 vite që nuk ka rrotacion politik dhe ndërrim pushtetesh.

Gjendja e sotme në Shqipëri është shumë shqetësuese nga mosfunksionimi i institucioneve të shtetit. Sot, politikëbërja ndodhet e copëzuar: Një opozitë e ndarë, pa vizion, pa program të djathtë që s’ka ndërtuar identitetin e saj politik për 31 vite, që s’është as e qendrës e as e djathtë. Një maxhorancë e fuqishme trashëgimtare ideologjike e diktaturës e ardhun në pushtet me një sistem politik të dyshuar votimesh si rrjedhojë e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.

Kryetari i maxhorances, Edi Rama, ka hedhur idenë që Presidenti të zgjidhet dhe me dakortësinë e opozitës dhe nuk do të jetë pjese e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Nëse qëndron në deklaratën e tij, atëherë përveç opozitës duhen marrë në konsideratë dhe aktorët e tjerë të shoqërisë, siç janë të përndjekurit politikë dhe pronarët që përfaqësojnë 35% – 40% të popullsisë dhe elektoratin e djathtë shqiptare, shtresën antikomuniste, si dhe organizatat e shoqërisë civile.

Ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politikë shqiptarë janë një komunitet i fuqishëm i shoqërisë shqiptare, ata përfaqësojnë familjet fisnike dhe patriote që u sakrifikuan dhe i qëndruan regjimit diktatorial komunist, duke mbrojtur vlerat e lirisë e demokracisë. Megjithëse kaluan një kalvar vuajtjesh dhe dënime nga më çnjerëzoret, ditën të mbijetojnë e të mos përkulen përpara terrorizmit të çmendurisë diktatoriale hoxhiste.

Sot, mbas 31 vitesh pluralizëm, familjet fisnike e të mbijetuara nga diktatura, përveç lirisë dhe fjalës së lirë, jemi ende larg integrimit total shpirtëror në këtë pluralizëm fasadë. Ka mbi tri dekada që politikëbërja i rri larg promovimit të kapaciteteve dhe personaliteteve të kësaj shtrese në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Ora e këtyre partive u ka ngel në vitet ’90, ku ne sa kishim dalë nga burgjet e kampet e internimit dhe nuk mund të përfaqësoheshim në organet drejtuese të shtetit. Është e pafalshme që në strukturat e shtetit shqiptar nuk mund të gjesh asnjë personalitet nga kjo shtresë, por promovohen çdo ditë vetëm individë që kanë lidhje me të kaluemen komuniste. …Por, mbas 31 vitesh, raportet tona kanë njohur ndryshime kolosale në drejtim të arsimit e profesionalizimit në fusha të ndryshme…

Sot, ne kemi një elektorat që varion nga 300.000 deri në 400.000 votues ku të shkolluar numërohen mbi 25.000 nga shtresa e të Përndjekurve Politikë. Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, ish-i përndjekur politik nga regjimi komunist, zoti Enkeljed Alibej, nxori një draft ku theksonte që Presidenti të mos jetë ish-komunist, dhe të mos ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, të jetë antikomunist. Shqetësimi erdhi menjëherë nga dy grupime politike që gjatë tri dekadave e kanë zgjedhur Presidentin o ish-komunist, o ish-i privilugjuemi i diktaturës komuniste.

Si kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, zoti Balla, si grupi i themelimit i drejtuar nga zoti Berisha, filluan sulmet banale ndaj këtij drafti se i shqetësonte që në krye të shtetit të vihet një antikomunist që do ta shkëpuste institucionin e kreut të shtetit nga ideologjia komuniste dhe do ta vinte në funksion të Kushtetutës dhe në zhvillimin e vendit. Zgjedhja e kryetarit të shtetit nga shtresa e të Përndjekurve Politikë dhe Pronarëve do t’i jepte vendit një besueshmëri dhe vizion perëndimor demokratik, por dhe një kthim në shinat e demokracisë dhe lirisë.

Të gjithë të zgjedhurit në krye të shtetit nga viti ‘92 e në vazhdim kanë qene personalitete të lidhura me Partine Komuniste, ose intelektualë të ideologjizuar të diktaturës, që më së shumti janë kontestuar nga partitë politike që i promovonin vetë dhe për interesa të pushtetit të tyre i delegjitimonin dhe ata kanë dështuar në mbrojtjen dhe zbatimin e Kushtetutës dhe në besueshmërinë morale të kreut të shtetit.

Ne të përndjekurit politikë dhe pronarët u drejtohemi deputeteve të parlamentit shqiptar të shkëputen nga e kaluara komuniste të dalin mbi partitë dhe të votojnë për kryetar shteti një personalitet antikomunist që të mos ketë as ideologji dhe mos t’i ketë shërbyer regjimit diktatorial.

Zgjedhja e një antikomunisti në krye të shtetit shqiptar do të ishte dhe një mbështetje e fuqishme për shqiptarët në rajon. Edhe Ukraina ka qenë pjesë e diktaturës komuniste, por zgjodhi një personalitet kryetar shteti që i jep mësim gjithë botës dhe ka fituar përkrahjen e vëmendjen e të gjithë liderëve botërorë të vendeve të zhvilluara demokratike për drejtimin e shtetit.

Dhe shoqërisë shqiptare nuk i mungojnë kapacitete nga shtresa antikomuniste për të drejtuar shtetin shqiptar, dhe politika i ka aq borxhe morale e ligjore këtij komuniteti sa mbas 31 vitesh kjo shtresë, megjithëse ka mbi 5000 të vrarë dhe të zhdukur kufomat, nuk ka kërkuar hakmarrje, por ka predikuar paqe, duke kërkuar drejtësi për të zhdukurit paqe për të gjallët.

Zgjedhja e një personaliteti antikomunist si President i Shqipërisë do t’i jepte një moral besueshmërie dhe respekt institucionit më të rëndësishme të vendit dhe do të ishte vizion për të ardhmen duke ndërtuar institucione në shërbim të shtetit dhe jo të pushtetit, siç është vepruar gjatë këtyre dekadave pluralizëm të cunguar në Shqipëri./Marrë nga Panorama/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH