Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj do të përballet të hënën më 14 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Vetingu për prokurorin Hajdarmataj po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Suela Zhegu.
Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.
Me ardhjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Hajdarmataj u largua fillimisht nga posti i drejtuesit të Krimeve të Rënda dhe në shtator 2018 u komandua në Prokurorinë e Pogradecit. Ai e konsideroi transferimin të paligjshëm dhe me vendim të Gjykatës Administrative dhe më pas të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u rikthye sërish si prokuror i Krimeve të Rënda.