Historiani i njohur, Rektori i parë i UET, 15 vjet i pandarë me universitetin dhe projekti i Kolegjit të Profesorëve Emeritus në institucion.
Suadela Balliu
Nuk ngurroi t’u thoshte po atyre djemve të rinj, intelektualë të arsimuar jashtë e me qasje liberale, kur i propozuan t’u bashkohej projektit të tyre.
Ishte viti 2006, kur Profesor Ferit Duka u bë rektori i parë i Universitetit Europian të Tiranës dhe nga ajo ditë u bë i pandashëm me vetë jetën e këtij universiteti duke u kthyer edhe në një nga shtyllat e tij.
Sapo ka përfunduar gjashtë orë leksione me studentët e tij, ndërsa ata mbyllën kështu procesin mësimor për të shkuar drejt sezonit të provimeve.
Është mësuar tashmë me mësimdhënien online, ndërsa në UET nisi të aplikohej menjëherë që në ditët e para, kur vendi shpalli gjendjen e pandemisë, vitin e kaluar.
E ka parë të rritet Universitetin Europian të Tiranës në sytë e tij, nga koha kur auditorët ishin në ambiente të tjera më të vogla, në rrugën e Elbasanit, diku pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë e deri më sot, kur ky institucion është kthyer një nga më të rëndësishmit e sistemit të lartë universitar në vend, e jo vetëm atij privat.
Pati skeptikë atëherë që e panë me habi zgjedhjen e historianit, i cili në karrierën e tij shënonte pozicione pune në institucione me prestigj e rëndësi në lëmin e Historisë si Arkivi Qendror të Shtetit apo Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë.
“E mbështeta që në fillim, sepse kisha besim që një grup i tillë të rinjsh intelektualë - duke parë edhe kontekstin rreth e rrotull-, mund ta çonte përpara këtë projekt”, rrëfen Prof.Dr.Ferit Duka, duke shtuar se kjo bindje nuk i doli e gabuar.
Ndoshta ata intelektualë të rinj i kujtonin disi veten shumë vite më parë, kur mbërriti në auditorët e Fakultetit të Historisë.
Ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç dhe vetëm pak muaj student, kur e thirrën për t’i thënë se ishte përzgjedhur për një kurs të turkologjisë. Kjo ndodhte me porosi të Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Prof.Aleks Budës dhe të përzgjedhurit ishin disa studentë të rinj me rezultate të larta në dëftesën e shkollës së mesme.
Kështu nisi rrugëtimi i tij me turqishten, që më pas u thellua në osmanishte që do t’i hapte dyert e arkivave të Osmanologjisë, jo vetëm në Arkivin Qendror të Shtetit, por edhe arkivat e Turqisë.
Kujton se studionte dymbëdhjetë orë në javë për ta mësuar turqishten atëkohë dhe ndonëse në një periudhë skamjeje, për të gjithë vendin, pasioni ishte aq i madh sa t’ia dilte në fund të të katër viteve të përkthente dokumente nga osmanishtja, me rëndësi për fushën e studimeve historike.
“Natyrisht që kam pasur fatin që jo vetëm falë punës sime, sepse natyrisht kam qenë si natyrë këmbëngulëse me vullnet të jashtëzakonshëm dhe nuk jam tërhequr asnjëherë me gjithë kushtet e vështira, ishim të varfër atëherë, por na jepte forcë e vullnet për të arritur atë që dukej e paarritshme”, rrëfen zoti Duka.
Me të përfunduar studimet, ende në moshë të re, nis punë në Arkivin Qendror të Shtetit, kur siç kujton pati kontakte me njohës të mirë të Osmanistikës dhe institucioneve osmane.
“Ka qenë një juristi i shkëlqyer, elitar, Andrea Sahatçiu i cili kishte pasur funksione të larta në gjykatën e kohës së Zogut. i njihte shumë mirë institucionet dhe jurisprudencën osmane. Pata mundësi të shkëlqyer të punoja tri orë në javë pranë këtij njeriu, me durimin e tij dhe me pasionin tim më mësoi shumë gjëra në lidhje me të drejtën dhe institucionet osmane”, vijon rrëfimin profesori.
Pas tre viteve në Arkivin e Shtetit, nis punë në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Shkencave. Ishte viti 1979. Aty pati mundësinë e një specializimi pasuniversitar pranë
Universitetit të Ankarasë dhe më pas, pranë universitetit të Stambollit, dy nga më të vjetrit dhe me reputacion në Turqi.
Trekëndëshi i historianit
Ishte sërish Prof. Aleks Buda, i cili kishte investuar disa vjet më parë tek studentët e rinj, që bëri të mundur vijimin e specializimit të tij për tre vite në Turqi.
Jo vetëm me vizionin për të përgatitur profesionistë në këtë periudhë, ku Historia kishte nevojë, por edhe me shtysën e tij për të ndihmuar të rinjtë.
Në Institutin e Historisë, shef Sektori ishte Prof.Buda, të cilin e kujton si një njeri të urtë e të ditur me një përkujdes prindëror për të rinjtë që i bashkoheshin në kërkimin shkencor.
Me po atë nostalgji dhe respekt kujton edhe akademikun tjetër, Stefanaq Pollo, drejtor i Institutit.
“Specializimi im i plotë lidhet me vizionin e këtyre njerëzve të shquar”, rrëfen profesor Duka, i cili prej asaj kohe ka dhënë kontributin e tij të vazhdueshëm e të pandërprerë në periudhën Osmane të Historisë, ku ka edhe fushën e tij të specializimit.
Për vetë specifikën e një gjuhe të vjetër e të vështirë, rrëfen se historianëve që merren me atë periudhë u merr kohë më të gjatë studimi i një dokumenti. “Por janë këto vështirësie që e mbajnë më të fortë pasionin”, thotë ai. “Kjo periudhë është e mbushur me mistere dhe zbardhja e tyre, graduale, është e vështirë. Por të jep kënaqësi të madhe”, shton.
Pas vitesh punë kërkimore shkencore, ku trekëndëshi i rëndësishëm i jetës së tij profesionale u bë Instituti i Historisë, Arkivi i Shtetit dhe Biblioteka Kombëtare, brenda së cilës hynte çdo ditë në orën 7 pa 10 të mëngjesit për të dalë nga aty në 8 të mbrëmjes, do të prekte një dimension tjetër, mësimdhënien.
Ishte mesi i viteve ’90, kur nisi punë si pedagog në Universitet, një periudhë e rëndësishme e transformimeve të vendit pas daljes nga regjimit komunist dhe me një nevojë imediate për rishikimin e historisë, deri atë kohë e shkruar nën dritën e fortë të ideologjisë dhe propagandës së Partisë së Punës.
Nga kërkimi shkencor në mësimdhënie
“Natyrisht kërkimi shkencor ka marrë pjesën më të madhe të kohës sime. Por puna pedagogjike në auditor, komunikimi i vazhdueshëm me studentët, mendoj që bën mirë shumë për kërkuesin shkencor, sepse e mban gjithnjë të freskët dhe e nxit gjithnjë të kërkojë të kualifikohet e të ngrejë nivelin kulturor e shkencor e kështu të thellohet më shumë”. i sheh të dyja në lidhje dialektike.
Në dekadat si pedagog ka parë disa breza të ulen në auditorë. Nuk është shkëputur nga mësimdhënia aktive dhe prej vitit 2012 thotë se është me kohë të plotë në auditorët e UET, pasi deri atëherë e ndante kohën me Institutin e Historisë.
“Këto dekada të veprimtarisë sime pedagogjike në universitet janë një përvojë e jashtëzakonshme, një marrëdhënie tillë ku jo vetëm student i merr dije dhe informacion, shton njohuritë e tij, por edhe ne kemi mësuar më shumë, jemi rritur më shumë në këtë proces komunikimi të dyanshëm dhe kemi fituar më shumë. Jemi bërë këta që jemi, në sajë të një përfitimi të ndërsjellë”, është i bindur profesori, duke shtuar se ata që mendojnë se vetëm pedagogu jep në orën e mësimit dhe s’ka ç’të mësojë nga brezat është i gabuar.
Ai e nisi mësimdhënien me brezat që sapo kishin dalë nga regjimi i hekurt dhe indoktrinomi i ideologjisë komuniste, ende nuk ishte zhdukur. Ndërsa këto kohë brezat që ulen në auditorë janë ato të epokës së teknologjisë së informacionit, por edhe më të largët nga periudha komuniste e ndoshta më të çlirët nga ideologjia.
“Çdo brez ka veçoritë e tij, qoftë në rritje, edukim, në pretendimet që ka për jetën, raportet që ndërton. Brezi ynë ka qenë një brez, i cili është rritur në mes të privacioneve, të vështirësive, pothuajse një asketizëm por kishte një gjë: të kaliste më shumë vullnetin, këmbënguljen dhe të mbante të fokusuar në punën tënde, sepse nuk kishte tundime të tjera”, thotë ai, ndërsa zbulon duke qeshur se ka festoi ditëlindjen më 1 Qershor. Ditë që me përkimin e veçantë të Festës së Fëmijëve, e mban gjithnjë me kërshërinë e një të riu.
Kërshëri që e kërkon edhe shkenca së cilës i ka dedikuar dekada të tëra të jetës, siç është Historia, gjithnjë në zhvillim, gjithnjë në përballje me fakte e interpretime të reja të së shkuarës. Është shkencë tërheqëse, e cila pëlqehet dhe mbetet gjithnjë popullore rrëfen. Kujton një shprehje të një intelektuali anglez, që thotë se historia ka karakter demokratik. Ajo i përket të gjithë popullit, jo vetëm historianëve thotë. Megjithatë janë këta të fundit që kanë barrën e përgjegjësisë për të qenë sa më besnikë me të vërtetën dhe të paanshëm.
“Është shumë e vështirë për t’u eksploruar, sepse ka faktorë objektivë dhe subjektivë të përfshirë në këtë proces. Mendoj se, nëse ndjekim metodologjinë shkencore në studimin e historisë, nëse kemi parasysh parimet që i përcakton filozofia e historisë, për historinë, për mënyrën e të shikuarit, për qasjet që duhet aplikuar në procesin e kërkimit historik, sigurisht që është i suksesshëm dhe patjetër që edhe publiku i gjerë dhe qarqet e studimore-shkencor do të kenë përfitime nga kontributi i secilit historian”, mendon ai.
Historia, disiplina që tërheq gjithnjë
Historia, thotë më tej, e kuptuar si shkencë e jo si narracion kafenesh, është e bazuar në njohjen. “Sepse na mëson filozofia që shkenca bazohet në njohje dhe e dimë nga filozofia se njohja nuk ka fund. Edhe dija historike, njohja e historisë nuk ka ndonjëherë fund. Prandaj është e natyrshme që historia si shkencë të përparojë, të pasurohet , të interpretohet dhe riinterpretohet”, mendon historiani, ndërsa ideali mbetet arritja e së vërtetës historike.
“Historiani që i përmbahet metodologjisë së shëndoshë shkencore në interpretimin e fakteve, të të dhënave në analizën e tyre, është gjithnjë fitimtar në procesin e studimit të historisë. Përndryshe, historiani që bie viktime ë ndikimit politik, ideologjik apo interesave të ditës të grupeve apo grupimeve të ndryshëm, ka dalë nga binarët profesionit”, thekson, duke iu referuar edhe debateve publike apo përpjekjeve për të parë në drita të ndryshme figura të ndryshme historike apo edhe periudha të caktuara të historisë së Shqipërisë. Ajo që mbetet në fund, për të si profesionist, është besnikëria ndaj së vërtetës dhe raporti i këtyre figurave me interesin kombëtar.
Nëse do të ketë më shumë anë pozitive, atëherë do të qëndrojnë në panteonin e atyre që njihen si heronjtë e kombit. Por është gjithnjë i mendimit se figurat duhen parë në tërësi, me të gjitha dritëhijet dhe kontributin dhe nuk duhen asgjësuar nëse një segment i caktuar i jetës së tyre politike a publike ka qenë i errët. Për këtë diskutimi mes profesionistësh të fushës apo edhe analistësh është i nxehtë. Shpesh për konsum politik. Kjo e fundit e pandashme në përdorimin e historisë për interesa të saj, për fat të keq jo rrallë. Megjithatë, do të mbetet një disiplinë që magjeps gjithnjë publikun e aq më shumë studentët. Këta të fundit kanë fatin që e mësojnë historinë prej një profesionisti që i ka prekur nga afër materialet burimore dhe ka kontribuar në disiplinën shkencore, me artikuj, punime e studime.
Kolegji i Profesorëve Emeritus në UET
Këtë kontribut do ta japë edhe pranë Kolegjit të Profesorëve Emeritus, një forum që ka për qëllim të integrojë profesorët senior të UET, profesorë me eksperiencë që kanë mbaruar periudhën normale të punës, në ndërtimin e një raporti të ri, që është statusi i profesorit Emeritus.
“Qëllimi është që ky Kolegj i Profesorëve Emeritus, të jetë një bërthamë e fuqishme në UET, i cili duke qenë se integron në vetvete figura, të cilat janë me kontribute të veçanta, qoftë ne jetën akademike, qoftë në atë universitare, kanë gjithashtu, jo vetëm përvojën, por edhe mundësi të gjera të komunikimit me publikun”, vijon profesori. Qëllimi është përforcimi i asaj marrëdhënie të ngushtë me publikun dhe një komunikim i përhershëm. “Të jetë shumë aktiv në të gjitha fazat e jetës në universitet, në mënyrë që Universiteti të jetë në vëmendjen e publikut vazhdimisht, te prezantojë arritjet e veta dhe në këtë mënyrë, ndërtohet një raport, i cili ka interes”, vijon.
Ky Kolegj do të dinamizojë më tepër jetën akademike në universitet, do të ketë veprimtari të ndryshme, ku profesorë me eksperiencë që janë anëtarë të këtij forumi, do të kenë mundësinë të ekspozojnë çështje të trajtojnë, çështje nga studimet e tyre, të kenë komunikime, të kenë prezantime për arritjet e tyre akademike.
“Në këtë mënyrë ky grup është në fakt edhe një strumbullar i veprimtarisë akademike, një faktor i rëndësishëm i cili do ta ndihmojë universitetin që edhe në pikëpamje të cilësisë, të progresit në mësimdhënie, në progresin kërkimit shkencor, të ketë ndikim të fuqishëm që universitet të ketë progres të vazhdueshëm në të gjitha këto shtylla kryesore të veprimtarisë së tij. Kolegji të japë një kontribut domethënës në ngritjen e standardeve të universiteti në çdo pikëpamje”, shton me bindje.
Atyre skeptikëve që e panë me habi kur i besoi projektit ambicion e me vizion të largët të disa të rinjve, u është përgjigjur me kohë. Me anë të arritjeve të Universitetit Europian të Tiranës, që jo vetëm demokratizoi dijen dhe arsimin e lartë, por i dha një hov në cilësi, me anë të konkurrencës dhe përditësimit të njohurive si edhe futjen e dijeve të reja, të cilat i kërkon tregu. Sot UET është një nga institucionet e rëndësishëm të universitetit të lartë dhe ai, rektori i parë i këtij universiteti, me krenari sheh sesi dija, vizioni, por edhe besnikëria tek idetë që duan të sjellin progres i jep frytet e veta.