Diskutimin se cili është hapi i fundit në përgatitjen e vendit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës e fokusoi tek ekonomia.
Si ekonomist me përvojë, Selami Xhepa tha gjatë konferencës Ditët e Studimeve Shqiptare, se zëvendësimi monetar, i lekut me euro do të ishte strategjik për ekonominë, ndërsa monedha europiane është tashmë de facto monedhë kombëtare
****
Para se të futeshim në këtë konferencë i thashë zotit Smiley: “Do të të sfidoj që të demonstrosh pse integrimi europian ishte ide e keqe për britanikët dhe pse integrimi europian, është ide shumë e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Projekt i shekullit, siç e kanë quajtur të gjithë dhe unë besoj, edhe vetë, se është projekti më i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë. Jo më kot, në këto 30 vite, vazhdon të mbetet projekti që gëzon mbështetjen unanime në nivelet më të larta, krahasuar me të gjithë vendet e tjera.
Besimi tek Europa e bashkuar , është në radhë të parë çështje e identiteti kombëtar dhe kulturor, aq sa edhe njëkohësisht aspiratë për standardet më të larta për demokraci, mirëqeverisje dhe mirëqenie, por edhe një nevojë për siguri edhe mbrojtje, sidomos në kontekstin e zhvillimeve shumë komplekse që po ndodhin në botën e sotme.
Në këto tri dekada, Shqipëria është afruar me Europën në shumë drejtime dhe shumë lidhje janë krijuar në fushën ekonomike, polikë dhe sociale. Europa është partneri ynë kryesor ekonomi, tregtar e financiar dhe destinacioni kryesor i emigracionit dhe tregut të punës jashtë vendit, për shqiptarët. Këto janë të njohura për të gjithë dhe sot mendova të hidhja për provokim një tezë, që e kam hedhur edhe 20 vite më parë, kur punoja në Bankën e Shqipërisë.
Në vitet 2000, një monedhë e re erdhi në jetë; monedha euro. Ideja e zëvendësimit monetar. Kjo na shqetëson shumë kohëve të fundit, se na është ulur edhe rroga. Meqenëse euro është fuqizuar shumë ka krijuar jo pak shqetësime për pjesën më të madhe të shoqërisë. Shqipëria bën pjesë në vendet me një nivel tepër të lartë të zëvendësimit monetar.
Në përgjithësi, në vendet në zhvillim zëvendësimi monetar është një praktikë e njohur. Por në Shqipëri, studimet tregojnë se është në nivele që shkojnë përtej asaj që justifikohet, nga fondamentet ekonomike. Ka disa arsye themelore pse është e tillë.
E para, që na e shpjegon, është ajo që e quajmë “modelet e histerisë”. Pasi një vend e ka pësuar një goditje dhe është paguar njëherë kostoja e kësaj goditjeje të madhe ekonomike, është e vështirë që njerëzit të kthehen mbrapsht, sepse siç themi ne ekonomistët “tregu ka memorie”.
Ajo që ndodhi në fillimet e tranzicionit, nuk ishte gjë tjetër veçse një zhvlerësim masiv i kursimeve të njerëzve, parasë së vendit dhe kjo i shtyu qytetarët drejt monedhave të huaja; kryesisht atë kohë drejt dollarit dhe markës gjermane. Por që nga futja e euros, është bërë monedha e pazëvendësueshme në Shqipëri.
Së dyti, edhe për shkak të modelit konsumator- njerëzit janë investitorë sot - dhe modeli i investimeve nënkupton se e përdorim monedhën si alternativë investimi. Monedhat e forta e të qëndrueshme, janë ato të dëshiruara për të investuar. Jo më kot, kur ka tronditje në kurset e investimit rritet çmimi i arit; shkojmë akoma te simbolet e botës së hershme, sepse monedhat e forta janë zgjedhja e rëndësishme e njeriut, edhe për fitimin afatshkurtër, por edhe për të trashëguar pasurinë që mund të fitojë përgjatë jetës.
...Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të emigracionit- një pjesë e rëndësishme e të ardhurave të shqiptarëve, vijnë përmes emigracionit. Çka do të thotë se kjo monedhë nuk është vetëm një instrument që përdoret nga segmentet më të sofistikuar - firma, korporata, tregjet financiare... është de facto monedhë kombëtare ,përderisa në çdo familje, euro është një nga monedhat e rëndësishme.
Teoria na ka thënë se dy janë zgjedhjet më të mëdha: me kurse luhatëse këmbimi, siç e kemi e që përcaktohet nga forcat e tregut, mirëpo në një treg të cekët siç është tregu valutor shqiptar , luhatjet e kursit të këmbimit mund të sjellin tronditje shumë të forta.
Alternativa tjetër, më e mirë, do të ishte një hard fixing: një zëvendësim monetar.
Do të ishte një zgjedhje strategjike , edhe për një arsye, përderisa 2/3 e transaksioneve tona kryhen me zonën europiane, de facto nuk do të kishim tregti të jashtme, sepse do të kishim faturim me të njëjtën monedhë. Mund të bëjmë një zgjedhje alternative, që në vend të përdornim një monedhë, që e përdor një segment shumë i vogël i popullatës, mundet të përdorim një monedhë e cila sot dominon 30 përqind të tregtisë botërore, faturime të tregtisë globale, që është rezervë globale për 25 përqind të rezervave valutore në shkallë globale... pra, mund të zgjedhim një fytyrë më të rëndësishme të identiteti tonë monetar ,sesa thjesht monedhën tonë.
Kam shkruar një paper atëherë në Bankën e Shqipërisë, por Banka Qendrore Europiane nuk e pranonte zëvendësimin monetar të njëanshëm. Arsyeja ishte e thjeshtë; Banka Qendrore Europiane nuk ishte krijuar akoma dhe euro nuk kishte dalë. Askush nuk e dinte sa ishte stoku i monedhave europiane jashtë Europës dhe kjo, mund të krijonte destabilitet. Të mos harrojmë se Bullgaria dhe shumë vende në tranzicionin ishin një sasi të madhe deutsche mark dhe duke qenë se oferta monetare ishte panjohur, mund të krijonte destabilitet.
Por sot që kanë kaluar 20 vjet, nuk është problem për Bankën Qendrore Europiane që Shqipëria të mund të kërkojë ta përdorë këtë monedhë, duke marrë pasaportë dhe fytyrë europiane për vendin. Dhe pastaj, gradualisht Shqipëria në procesin e integrimit europian do t’i anëtarësohet sistemet të bankave qendrore europiane dhe të bëhet aksionere e Bankës Qendrore Europiane , duke marrë pjesë në të famshmin senior reach, që merret nga emetimi monetar.
Është hap i fundit në procesin e integrimit europian, meqë ra fjala. Por një gjë është e rëndësishme; përderisa zgjedhja jonë tashmë është bërë, që do të shkojmë drejt Europës dhe çështja nuk është nëse do ta adoptojmë apo jo, çështja është kur dhe në gjykimin tim, mund t’i japim ndihmë të madhe ekonomisë nëse e përshpejtojmë këtë lloj procesi. Edhe neve do të na bënte mirë e nuk do të shihnim kursin orë e minutë për të parë sa shkoi rroga jonë paradite dhe pasdite.
Integrimi europian është proces kompleks, i vështirë, dhe kërkon në kohë të gjatë, përshtatje institucionale. Historia e ka treguar se jo të gjithë vendet e reja, të anëtarësuar në BE e kanë arritur ta shndërrojnë atë në një histori suksesi, posaçërisht në fushën e ekonomisë.
Përfitimet nga eficienca dhe ndryshimi i normës së akumulimit të kapitalit dhe faktorët e tjerë të prodhimit nuk janë arritur nga vende që kanë pasur tregje të brendshme jo konkurruese, të karakterizuara nga monopole dhe përqendrimet e tregjeve të brendshme.
Thelbi i suksesit të Europës qëndron tek aftësia e saj për të zhvilluar një sistem eficient të organizimit ekonomik. Kjo e ka bërë atë unike në historinë e ekonomisë moderne. Prandaj, edhe përfitimet ekonomike të pritshme, burojnë jo aq nga financimet e shtuara- ne shpesh themi sa do të hyjë valixhja nga Brukseli- sesa nga përmirësimet institucionale që qëndrojnë në organizimin e qeverisjes ekonomike të vendit.
Ky rrugëtim ka filluar që në vitet ‘90 dhe një shkallë e lartë e familjarizimit të shoqërisë me normat dhe standardet europiane tashmë është realizuar. Anëtarësimi me të drejta të plota e përfundon këtë hap të fundit të procesit të gjatë. Le të urojmë që ky hap të mos jetë si ai i paradoksit Zenon dhe të përfundojë në një kohë sa më të shpejtë dhe të arsyeshme.
*Fjala e mbajtur gjatë seancës plenare të Konferencës Shkencore “Ditët e Studimeve Shqiptare” UET 2023