Përmbytjet në rajonin italian të Emilia Romagna kanë marrë jetën e 15 personave dhe kanë shkaktuar dëme, të cilat i kalojnë 5 miliardë euro. Shifra është e rëndë dhe në vend ka reflektim të madh se çfarë mund të bëhet për të parandaluar tragjedi të reja, të ngjashme.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, media përmend një tjetër rrezik. Alarmi përkatës është sinjalizuar nga rajonet e Forlit dhe Ravenës dhe ka të bëjë me një tjetër pasojë të përmbytjeve. Ujërat e vrullshëm dhe dëmtimet e shumta në tokat bujqësore kanë rishfaqur pajisje shpërthyese të epokës së Luftës së Dytë Botërore, të cilat tani rrezikojnë të shpërthejnë.
Deri në këtë moment, në zonën e gjerë të Ravenës, burra dhe gra të ushtrisë italiane kanë evidentuar 6 bomba të kësaj periudhe. Mekanizmat janë neutralizuar, por ekspertët theksojnë se sigurisht që ka të tjerë dhe se duhet bërë çdo përpjekje që të mos rrezikohen kryesisht fermerët dhe banorët ruralë.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, ka shumë mundësi që ujërat e vrullshme të kenë transportuar këto bomba të shekullit të kaluar në zona qendrore të qyteteve të ndryshme, çka do të thotë se rreziku është shumëfishuar. Tani për tani, në shumë zona të rajonit Emilia Romagna, ushtria italiane ka vendosur në rrugë postera me fotot e mjeteve shpërthyese të gjetura dhe u ka kërkuar të gjithë banorëve të kenë sa më shumë kujdes.