Kolana UETPRESS-15 Vjet
Titulli: Fitimi i pronwsisw mbi pasuritw e paluajtshme
Autori: Besnik Maho
Nga Afërdita Lika
Pasuria e paluajtshme paraqet sot në Republikën e Shqipërisë një interes të veçantë në lidhje me zhvillimet social-ekonomike dhe politike që po kalon vendi ynë. Kështu, sot, pasuria e paluajtshme përbën një stimul të pamohueshëm për ndërmarrjen e iniciativave ekonomike të gjithsecilit, qofshin këta shtetas shqiptarë apo të huaj, persona juridikë, publikë apo privatë, vendës apo të huaj.
Nisur nga këto dy kritere bazë, mund të themi se ky botim synon të pasqyrojë se si reflektohen këto interesa në lidhje me mënyrat e fitimit të pronësisë mbi sendet e paluajtshme nga ana e subjekteve të mësipërme, në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Fillimisht, do të gjeni një tablo të përkufizimit të pasurisë së paluajtshme në rende kohore, historike, politike, ekonomike, juridike të ndryshme: pra, këndvështrimin e secilit prej këtyre formacioneve për pasurinë e paluajtshme, rëndësinë që ato i jepnin, mbrojtjen që i ofronin. Një analizë e tillë, në disa këndvështrime, do të na çojë në arritjen e një produkti përfundimtar dhe relativ mbi përkufizimin që secili prej nesh i jep pasurisë së paluajtshme.
Pavarësisht atributit që ka secili prej nesh për të konceptuar dhe përshkruar pasurinë e paluajtshme, pikë referimi është përkufizimi që i jep ligjvënësi kësaj lloj pasurie, duke qenë se ajo përfaqëson, nga njëra anë, një interes ekonomik dhe, nga ana tjetër, është e veshur në formën e instituteve juridike të së drejtës civile. Në këtë kuptim, ky punim do të vazhdojë me trajtimin që ligjvënësi shqiptar i ka bërë pasurisë së paluajtshme. Këto parashikime dhe rregullime ligjore mund të kenë zënë vend në kode të ndryshme apo edhe në ligje të posaçme. Disa prej tyre referojnë te konceptime mbi pasurinë e paluajtshme, disa të tjerë mbi format, në të cilat ajo materializohet, disa synojnë të radhisin, por jo në rend shterues, mënyrat e fitimit të pronësisë mbi të. Disa prej këtyre ligjeve paraqesin një ekspoze të mjeteve të mbrojtjes së kësaj lloj pronësie, disa mund të nxjerrin në pah edhe kufizimet ligjore mbi pasurinë e paluajtshme dhe pronësinë mbi të. Disa prej këtyre ligjeve kanë karakter material, të tjerë kanë vlera proceduriale, shumë prej tyre reflektojnë marrëdhënie administrative mbi pasurinë e paluajtshme, ka prej tyre që mund të kenë edhe karakter teknik. Duke e konsideruar secilin syresh një investim për të formuar kuadrin ligjor, i cili ka për objekt pasurinë e paluajtshme, do të merremi me trajtimin, në mënyrë të hollësishme, të objektit dhe qëllimit të çdo ligji, të veçantat që ata evidentojnë, problemet që trajtojnë, zgjidhjet e ofruara, si dhe procedurat përkatëse, parashikuar prej tyre.
Ashtu siç e pohova më lart, pasuria e paluajtshme përbën një interes pasuror të prekshëm, që jo në pak raste mund të jetë shkaku i problematikave të shumta, objekti i konflikteve që trajtohen dhe mund të gjejnë zgjidhje në rrugë të ndryshme ligjore. Jo në pak raste, ato janë shndërruar edhe në konflikte gjyqësore. Me qëllim që cikli i leksioneve të mos jetë vetëm doktrinal, por edhe praktik, si dhe me synimin që ai të vijë sa më i kuptueshëm dhe real te ju, në të do të paraqiten edhe kazuse gjyqësore, vendime unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, vendime të Gjykatës Kushtetuese. Një rëndësi të veçantë në ciklin e leksioneve do të kenë edhe vendimet që ka marrë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në lidhje me çështjet e pronësisë në tërësi, si dhe të mbrojtjes së pronës mbi sende të paluajtshme në veçanti. Si kazuset, edhe vendimet, do të ilustrojnë zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve që kanë lindur në praktikën gjyqësore.
Për gjithë sa më sipër, do gjeni mendimin tim personal, për të cilin do të mbështetem jo vetëm në formimin tim profesional si jurist, por edhe në përvojën time në gjyqësor dhe administratën e lartë shtetërore. Opinionet e shprehura dhe të trajtuara në këtë libwr përbëjnë opinione, për të cilat gjithmonë do të ketë diskutime.
Ashtu si e drejta, e cila është gjithmonë në lëvizje dinamike, mendoj se ky material do t`ju ofrojë informacion interesant për aspekte të ligjit, doktrinës juridike, si dhe praktikës gjyqësore, lidhur me mënyrat e fitimit të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme.
Përfundimisht, janë të mirëpritur të gjithë ata që, pasi të lexonin këtë libwr, do të jepnin mendime, sugjerime apo edhe vërejtjet përkatëse për përmirësimin e tij të mëtejshëm.
Fragment nga libri
…Karakteristika e parë e përgjithshme e së drejtës së pronësisë apo marrëdhënies juridike të pronësisë është cilësimi i saj si marrëdhënie shoqërore, pra, marrëdhënie mes personave fizikë, midis personave juridikë, si dhe midis personave fizikë dhe juridikë.
Personit fizik, si subjekt i së drejtës civile, i është njohur një atribut në botën e së drejtës, si një qendër referimi e të drejtave dhe detyrimeve që burojnë nga marrëdhënia juridike e pronësisë. Ky atribut, i cili është plotësisht i realizueshëm në realitetin e sotëm, nuk ka ekzistuar gjithmonë kështu. P.sh., në shoqërinë skllavopronare, cilësia, si subjekt i së drejtës, u njihej vetëm njerëzve të lirë dhe jo skllevërve, të cilët, juridikisht, hynin në kategorinë e sendeve, pra konsideroheshin objekte dhe jo subjekte të së drejtës.
Në qytetërimet moderne, çdo njeri është potencialisht edhe subjekt i së drejtës së pronësisë në statusin e personit fizik, cilësi që ai e fiton me lindjen e tij dhe e ruan deri në çastin e vdekjes. Kjo aftësi e njeriut për të qenë titullar i të drejtave dhe detyrimeve quhet zotësi juridike dhe është kushti i parë i personit fizik për të qenë pronar apo subjekt i së drejtës së pronësisë.
…Sa herë që përmendet ky term, secilit nga ne i vjen ndër mend ajo organizatë politike e pajisur me forcë shtrënguese, me anë të së cilës ajo imponon vullnetin e saj shtetëror. Por ky është përkufizimi tipik që i bashkëngjitet shtetit si subjekt i së drejtës publike. Sepse shteti është edhe subjekt i së drejtës private, madje edhe subjekt i së drejtës së pronësisë1. Në këtë rast të fundit, ai ushtron tagrat e pronarit mbi pronën shtetërore. Kur doktrina dallon pronën private nga prona shtetërore, ajo i referohet, pikësëpari, pronarit si kriter ndarës. Prona private është në pronësi të personit fizik apo juridik privat, ndërsa prona shtetërore është në pronësi të shtetit, organeve të pushtetit qendror dhe vendor që e përbëjnë atë dhe ndërmarrjeve shtetërore. Prona publike dhe shtetërore materializohet në forma nga më të ndryshmet. Kodi Civil dhe ligje të tjera të posaçme përcaktojnë se cilat janë kategoritë e sendeve që bëjnë pjesë në pronësinë e shtetit… /Gazeta Liberale