Apeli i GJKKO ka lënë në burg avokatin Alban Bengasi, i cili u arrestua në kuadër të dosjes ‘Plumbi i Artë’. Ai pagoi 120 mijë euro grupit të Nuredin Dumanit për të vrarë ish-bashkëshorten e tij.
Bengasi kërkoi më herët masë më të butë sigurie, por që u refuzua sot nga Gjykata e Apelit të Posaçëm. Avokati mbrojtës i Bengasit gjthashtu kerkoi t’i hiqej masa e arrestit me burg, kundrejt garancisë pasurore, por kërkesa e tij u refuzua.
Alban Bengasi ishte në kërkim që prej Majit të vitit 2022, ku u zhvillua operacioni “Plumbi i Arte” dhe u vu në prangat e policisë në shtator të këtij viti, teksa po kthehej nga Dubai. Ai u arratis nga Shqipëria kur u penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani tregoi krimet që kishte kryer dhe personat që e kishin kontraktuar me para.
Sipas tij, një ndër ta ishte dhe Alban Bengasi I cili i kishte ofruar Dumanit 120.000 euro për të vrarë gruan. Në dëshminë e tij bashkëpunëtori i drejtësisë tregoi si e ka ndjekur gruan e avokatit dhe madje kishte porositur dhe persona të tjerë që ta dhunonin. Dumani tregoi se u është kërkuar që gruas t’i thyhej një këmbë ose një dorë, por personat e porositur vetëm e kishin rrahur me grushta.