Media tradicionale dhe zhvillimi teknologjik në konflikt, nga përplasja për kontrollin e informacionit që vlen miliarda.
New York Times është hedhur në “aksion” kundër kërcënimit që paraqet inteligjenca artificiale mbi industrinë e lajmeve, duke ngritur një padi federale të mërkurën kundër ‘OpenAI’ dhe ‘Microsoft’, nga e cila kërkon t'i japë fund praktikës së përdorimit të artiikujve të saj për përgatitjen e “chatbots”.
The Times thotë se kompanitë po kërcënojnë të ardhmen dhe ekzistenvën e saj duke i vjedhur vazhdimisht punën e gazetarëve ndër vite, që vlen miliarda dollarë, në disa raste duke ua shpërndarë materialet e “Times” njerëzve që kërkojnë përgjigje nga inteligjenca artificiale, si ChatGPT e OpenAI. Padia e gazetës u ngrit në gjykatën federale në Manhattan dhe duket se ka të bëjë me prishjen e bisedimeve për të gjetur gjuhën e përbashkët midis gazetës dhe dy kompanive teknologjike, bisedime të cilat filluan në muajin prill.
Media e shkruar aktualisht është goditur rëndë nga një migrim i lexuesve në platformat online. Ndërsa shumë media - veçanërisht “New York Times” - kanë krijuar me sukses një hapësirë dixhitale, zhvillimi i shpejtë i AI kërcënon të përmbysë industrinë e mediave në letër.
Leximi në ueb është një komponent i rëndësishëm i të ardhurave të gazetës nga reklamat dhe po ashtu ndihmon në rritjen e abonentëve në faqen e saj online. Por rezultatet nga chatbot-et e AI e largojnë audiencën nga gazeta dhe mbajtësit e tjerë të të drejtave të autorit, thotë New York Times, duke e bërë më pak të mundshëm që përdoruesit të vizitojnë burimin origjinal për informacionin e duhur.
Një zëdhënës i “OpenAI” tha në një deklaratë se kompania respekton të drejtat e krijuesve dhe është "e përkushtuar" të punojë me ta për t'i ndihmuar që të përfitojnë nga teknologjia dhe modelet e reja mbi sigurimin e të ardhurave. “Bisedat tona të vazhdueshme me New York Times kanë qenë produktive dhe kanë avancuar në mënyrë konstruktive, kështu që jemi të befasuar dhe të zhgënjyer me zhvillimet e fundit,” tha zëdhënësi i OpenAI. - "Shpresojmë se do të gjejmë një rrugë reciproke e të dobishme për të punuar së bashku, siç po bëjmë me shumë botues të tjerë."
Microsoft nuk iu përgjigj agjencisë AFP, pas kërkesës për koment nga ana e saj. Kompanitë e inteligjencës artificiale fshijnë informacionin e disponueshëm në internet, përfshirë artikujt e publikuar nga organizatat e lajmeve, për përgatitjen e “chatbots”-eve gjeneruese të AI. Modelet gjuhësore janë trajnuar gjithashtu në një gamë të madhe materialesh të tjera të shkruara nga njeriu, gjë që i ndihmon ata t'u përgjigjen saktë pyetjeve. Por teknologjia është ende në zhvillim dhe përmban ende shumë gjëra të tjera të gabuara. Në padinë e saj, si shembull, News York Times tha se GPT-4 e OpenAI ia atribuon gabimisht rekomandimet e produktit Wirecutter, faqes së rishikimeve të materialeve të gazetës, duke rrezikuar reputacionin e saj.
OpenAI dhe kompanitë e tjera të AI, përfshirë rivalin Anthropic, kanë investuar miliarda dollarë që kur shpërtheu interesi publik dhe biznesi i teknologjisë, veçanërisht këtë vit. Microsoft ka krijuar një partneritet me OpenAI që e lejon atë të kapitalizojë teknologjinë e AI të kompanisë. Gjigandi i teknologjisë Redmond është gjithashtu mbështetësi i madh i OpenAI dhe ka investuar të paktën 13 miliardë dollarë që kur të dyja kompanitë filluan partneritetin e tyre në 2019, sipas padisë. Si pjesë e marrëveshjes, superkompjuterët e Microsoft ndihmojnë në fuqizimin e kërkimit të AI të OpenAI dhe gjigandi i teknologjisë integron teknologjinë e startup-it te produktet e tij.
Ankesa e gazetës vjen pasi numri i padive të ngritura kundër OpenAI për shkelje të të drejtave të autorit po rritet. Kompania e teknologjisë është paditur po ashtu nga disa shkrimtarë – përfshirë komedianin Sarah Silverman – të cilët thonë se librat e tyre janë vjedhur për të trajnuar modelet e AI të OpenAI pa lejen e tyre. Në qershor, më shumë se 4,000 shkrimtarë nënshkruan një letër drejtuar CEO-ve të OpenAI dhe kompanive të tjera të teknologjisë duke i akuzuar ata për praktika shfrytëzuese në ndërtimin e chatbot-eve.
Ndërsa teknologjia e AI po zhvillohet me shpejtësi, frika në rritje për përdorimin e saj po ashtu ka nxitur greva dhe padi të punëtorëve në industri të tjera, përfshirë Hollywood-in. Palë të ndryshme të interesit thonë se teknologjia mund të prishë të gjithë modelin e tyre të deritanishëm të biznesit
Sarah Kreps, drejtore e Institutit të Politikave Teknike të Universitetit Cornell, tha se pajtohet që New York Times sepse gazeta po përballet me një kërcënim nga chatbots. Por ajo gjithashtu argumentoi se zgjidhja e plotë e çështjes do të jetë një betejë e vështirë.
"Ka shumë modele të tjera gjuhësore atje që po bëjnë të njëjtën gjë," tha ajo. Padia e ngritur të mërkurën citon shembuj të GPT-4 të OpenAI që nxjerr në pah një pjesë të madhe të artikujve të lajmeve nga “New York Times”, përfshirë hetimin që fitoi çmimin Pulitzer në industrinë e taksive të Nju Jorkut, artikull të cilit iu deshën 18 muaj për t'u përfunduar. Ai citoi gjithashtu rezultate nga Bing Chat - i quajtur aktualisht Copilot - që përfshinin fragmente të kopjuara nga artikujt e Times.
New York Times nuk ka një shifër mbi dëmet specifike që po kërkon, por tha se veprimi ligjor "kërkon të nxjerrë përgjegjësit për miliarda dollarë dëme" mbi kopjimin dhe përdorimin e punës së saj. Ajo që kërkon media prestigjoze nga gjykata është që të urdhërojë kompanitë e teknologjisë të shkatërrojnë modelet e AI ose grupet e të dhënave që përfshijnë punën e saj.
Aleanca News/Media, një grup tregtar që përfaqëson më shumë se 2200 organizata lajmesh, e përshëndeti dhe e mbështeti veprimin e së mërkurës nga Times.
“Gazetaria cilësore dhe GenAI mund të plotësojnë njëra-tjetrën nëse trajtohen në mënyrë bashkëpunuese,” tha Danielle Coffey, presidente dhe CEO e agjencisë. "Por përdorimi i gazetarisë pa leje ose pa pagesë është i paligjshëm dhe sigurisht i dënueshëm."
Në korrik, OpenAI dhe Associated Press njoftuan një marrëveshje me kompaninë e inteligjencës artificiale për të licencuar arkivin e lajmeve të AP. Këtë muaj, OpenAI nënshkroi një partneritet të ngjashëm me Axel Springer, një kompani mediatike në Berlin që zotëron Politico dhe Business Insider. Sipas marrëveshjes, përdoruesit e ChatGPT të OpenAI do të marrin përmbledhje të "zgjedhura të lajmeve" nga markat mediatike të Axel Springer. Kompanitë thanë se përgjigjet e pyetjeve do të përfshijnë atribuimin dhe lidhjet me artikujt origjinal.
The New York Times e ka krahasuar vendimin e saj me një padi tjetër për të drejtën e autorit më shumë se dy dekada më parë kundër Napster, kur kompanitë diskografike paditën shërbimin e ndarjes së skedarëve për përdorim të paligjshëm të materialit të tyre. Kompanitë diskografike fituan gjyqin dhe Napster u zhduk shpejt, sikurse vendimi i asokohe pati një ndikim të madh në industri. Transmetimi i miratuar me vendim gjykate nga kjo industri dominon aktualisht tregun muzikor.
/Përgatiti: a.m /Liberale.al