Aranit Muraçi
Në orët e fundit, në mbyllje të Lojërave Olimpike, “Paris 2024” Shqipëria siguroi dy medaljet e para, prej bronzi, të cilat janë dhe do të mbeten historike. Kjo për arsyen se janë të vetmet medalje për vendin tonë, në historinë e pjesëmarreve të ekipeve shqiptare në olimpiada.
Mundësit me origjinë ruse të natyralizuar në shqiptarë, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, kanë arritur t’i sigurojnë Shqipërisë dy medalje olimpike në 24 orët e fundit të Lojërave Olimpike, që u mbajtën në Paris.
Ngatërresa politike me emrin e Ymer Pampurit, i cili doli i 9-ti në garën për medalje në Mynih 1972, por në të njëjtin event u shpall kampion Bote në peshëngritje, më tepër e largon problematikën e dështimeve tona historike sesa i jap zgjidhje, ashtu edhe ndërgjegjësim.
Rezultati i Ymer Pampurit në Mynih 1972
Përtej debatit, padyshim që suksesi i tyre individual është edhe i Shqipërisë. Dy sportistët rusë garuan me flamurin shqiptar dhe e përfaqësuan atë denjësisht, duke u futur në zonën e medaljeve, siç nuk ia ka dalë deri më sot asnjë shqiptar.
Ndërkohë që e vërteta është se shumë vende të tjera përfaqësohen me sportistë të natyralizuar në të gjitha sportet, Shqipëria mbetet ende në kërkim të medaljes së parë, nga një shqiptar. Nga një shqiptar i lindur dhe i rritur në Shqipëri, talenti i të cilit duhet zbuluar, dhe promovuar si i tillë në vendin e tij. Dhe ky është thelbi i dështimeve tona historike. Ato kanë si “diagnozë” mungesën e garës brenda kufijve shtetërore. Një mungesë e tillë nuk nxjerr ose dekurajon më të mirët dhe për pasojë në garat ndërkombëtare shpesh jemi përfaqësuar ose me turp ose kemi mbetur të fundit. Jo vetëm në sport.
Por në këtë artikull po flasim më konkretisht për garat sportive që janë të vetmet të cilat flasin me rezultate të pakontestueshme. Valiev zuri vendin e tretë më 10 gusht 2024, duke i siguruar Shqipërisë medaljen e parë olimpike në histori, ndërsa Dudaev e ka siguruar medaljen e dytë të bronxtë pas fitores më 11 gusht. Valiev me prejardhje prej rajonit të Osetisë, ndërsa Dudaev me prejardhje çeçene, duhet theksuar se nuk janë produkt i sportit shqiptar në asnjë aspekt të mundshëm. Valiev është bërë pjesë e ekipit tonë olimpik pak muaj para Lojërave Olimpike. Kjo nuk do të thotë se ai dhe sportisti tjetër që morën medalje nuk kanë meritë dhe duhet të kritikohen. Të dekurajohen. Apo suksesi i tyre dhe i ekipit tonë që i numëron tashmë dy medalje nuk ekziston. Përkundrazi! Nuk mund të thuhet as që strategjia e ndjekur për ti afruar ishte e gabuar.
E ndërsa gëzimi dhe jehona për dy medaljet e fundit do të zgjasin tre ditë, Shqipëria do të mbetet shumë gjatë para sfidës se përse nuk nxjerr talentë nga radhët dhe mjedisi i saj, nëse nuk përcakton "diagnozën"? A janë shqiptarët gjenetikisht më të dobët se sportistët e kombeve të tjera, apo një problematikë tjetër ka shoqëruar kombin shqiptar në histori? Këtë shpjegim e kanë dhënë studimet shkencore me kohë. Asnjë komb genetikisht nuk nxjerr individë superiorë. Është talenti, puna dhe mjedisi ku ata punojnë faktorët që ndikojnë në sukses.
Shqipëria dhe rajoni, para Olimpiadës Paris 2024
Përtej debatit “të arratisur” mbi dy sportistët e sportit të mundjes, Kosova shënoi një sukses më të madh si në përmasa ashtu edhe në përmbajtje me dy sportistët e saj. Xhudistja Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë dhe xhudistja tjetër Laura Fazliu mori medalje të bronztë. Në total Kosova edhe pse konkurron vetëm në tre eventet e fundit në pjesëmarrjet e saj nëpër olimpiada, numëron pesë medalje olimpike. Shqipëria para se të arrinte dy medaljet e para, mes të gjitha shteteve të Ballkanit mbetet skuadra më e dështuar. Edhe se Bosnje Hercegovina, shteti i vetëm i mbetur pa një medalje, një shtet me probleme etnike dhe që garon në 20 vitet e fundit.
Nëse analizojmë tabelën e medaljeve në Lojërat Olimpike Paris 2024 të cilat nisën më 26 korrik dhe përfunduan mbrëmjen e 11 gushtit, Shqipëria ndan vendin e 80-të në botë me Grenadën, një mikroshtet në Amerikën Latine, që numëron gjithashtu po aq sa ne; dy medalje bronxi.
A është koha për t'u vetkënaqur?
Kurrsesi jo! Është madje vonë për të zbuluar rrugët e suksesit.
Gara për medalje siç tregon edhe tabela pas përfundimit të Paris 2024 bëhet mes shteteve që garojnë në çdo fushë, në politikë, ekonomi, shkencë, kulturë, inovacion etj. Në rang botëror dikur gara zhvillohej mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-ve. Sot mes Kinës dhe SHBA-ve. Në përfundim të Lojërave Olimpike, kryesisht vendet më të zhvilluara në ekonomi të cilat suksesin e bazojnë përmes garës dhe talentit, rezultuan edhe vendet më të suksesshme në Olimpiadë, sa u përket numrit të medaljeve.
Prandaj, politika e ditës mund të quajë sukses ose dështim paraqitjen e fundit të ekipit tonë olimpik sipas shijeve të saj. Në fakt jemi para një fakti dhe dështimi historik të cilën duhet ta njohim para se ta "kurojmë". Ndryshe nuk do të na mbetet gjë tjetër, por njësoj çdo sukses të mundshëm, edhe atë politik do ta importojmë.