Vangjel Tavo ngjitet në karrigen e kryetarit të ri të Bashkisë së Himarës pas një karriere të gjatë që numëron gati 3 dekada angazhim në politikë. Rrugëtimi i tij nisi në vitin 1996 si deputet në qarkun e Gjirokastrës pas propozimit të kryeministrit të kohës Fatos Nano. Krahas mandatit të deputetit, Vangjel Tavo, i cili në profesion është mjek gjinekolog, ka shërbyer edhe si Ministër i Shëndetësisë
Pas numërimit të kutive në 36 qendrat e votimit, që përfundoi në orën 7 të mëngjesit Tavo arriti të marrë 5022 vota, ose 58.62% të tyre, ndërsa kandidati i opozitës Petro Gjikuria mori 3545 vota, ose e thënë ndryshe 41.38%.
Numërimi i kutisë së fundit e gjeti mes mbështetësve dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste, duke u kthyer në një festë fitoren e tij për Himarën. Ishte beteja e 18 elektorale për socialistin Tavo, ndërsa ai arriti të siguroi 1477 vota më shumë se rivali i tij në garë.
Pavarësisht se në Bashkinë e Himarës dhe në fshatrat përreth dominoi me votë Petro Gjikuria, fitoren kandidati socialist e mori falë votave në Lumin e Vlorës, në fshatrat Tërbaç, Vranisht, Bolenë e Kuç. Pas numërimit në një prej këtyre fshatrave ai siguroi 330 vota, ndërsa Petro Gjikuria vetëm 7 vota.
Vangjel Tavos iu desh një shkëputje nga PS dhe një rikthim për dy goditjet e tij më të mëdha në karrerë, e fundit e sapo-shënuar. Aderimin në PS ai e vijoi thuajse në hije deri në vitin 2010 ku pas përplasjeve me Edi Ramën, asokohe kryetar i opozitës, për konfliktet e lindura mes socialistëve në Gjirokastër, Tavo vendosi të largohej dhe t’i bashkohej një tjetër partie të majtë. Ai bë pjesë e LSI-së, nën drejtimin e Ilir Metës.
Për një periudhë 1-vjeçare në mandatin e fundit të qeverisjes së PD-së, në vitet 2012-2013 Tavo shërbeu si Ministër i Shëndetësisë, duke zëvendësuar Petrit Vasilin.
Në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës dhe 2017-ës, Tavo u zgjodh deputet në qarkun e Gjirokastër.
Ai vijoi të kandidonte në këtë qark edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021 por nuk mundi të fitonte mandatin e deputetit dhe në këtë mënyrë vendosi të shkëputej përkohësisht nga politika aktive.
Gjatë kohës që ishte në opozitë si edhe pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, jo pak herë Tavo ishte kundër kryeministrit Rama madje duke deklaruar në publik se rilindja e Edi Ramës nuk kishte asnjë lidhje me socialistët.
Pavarësisht konflikteve në distancë, së fundmi ai zgjodhi që rikthimin në sferën politike ta bënte pas një oferte të kryesocialistit gjatë këtij viti, fillimisht për t’u mandatuar nga qeveria si prefekt i qarkut të Vlorës. Pas zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë surprizë Vangjel Tavo u propozua nga PS si kandidat për bashkinë e Himarës.
Rezultatet paraprake treguan se kandidati qeverisës i Partisë Socialiste Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet për kryebashkiak në qytetin e Himarës, pasi kryetari i mëparshëm u shkarkua duke ndezur tensione mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Mediat e huaja raportuan gjerësisht zhvillimet e Himarës dhe mbi rezultatet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Tavo fitoi 58.62% të votave, ndërsa 41.38% shkuan për Petraq Gjikuria nga koalicioni opozitar prej 10 partish, që përfshin Partinë Demokratike të qendrës së djathtë të opozitës kryesore të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe të majtën që është Partia e Lirisë së ish-Presidentit Ilir Meta.
Edhe pse nuk është pranuar nga opozita, fitorja e Vengjel Tavos shton humbjet e njëpasnjëshme të saj duke demoralizuar kështu elektoratin e djathtë, teksa për humbjet e kaluara ka munguar përgjegjësia e opozitës.
Opozita u ankua sërish se rreth 6,000 njerëz nuk ishin në gjendje të votonin për shkak të kartave të identitetit të skaduar. Gjatë zgjedhjeve të mëparshme, KQZ kishte lejuar personat me letërnjoftime të skaduara që të votojnë me kërkesë të disa partive politike dhe me një vendim të qeverisë. Këtë vit nuk është paraqitur një kërkesë e tillë, sipas kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi. Ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se pavarësisht thirrjes së tij më 22 korrik për lëshimin e shpejtë të letërnjoftimeve dyditore, nuk pati asnjë përgjigje nga votuesit e Himarës, veçanërisht nga ata që jetojnë në Greqinë fqinje. Dhe pas kësaj humbjeje opozita do të ketë kështu "material" me çfarë të merret.
Gjithsesi, si fitues i zgjedhjeve, Vanglel Tavo ndoshta i dha një mesazh apo leksion tjetër opozitës: Politika është art i kompromisit dhe fituesi nuk gjykohet. Nëse Vangjel Tavos do ti mungonin kompromiset (pa marrë në konsideratë cilësinë e tyre), me siguri nuk do të ishte bërë as ministër dhe as kryetar i bashkisë së Himarës.