Ekspertizë

EKSPERTIZË/ A është mbrojtja e ‘infrastrukturës kritike’ si garanci për sigurinë kombëtare?

Shkruar nga Kristaq Xharo
EKSPERTIZË/ A është mbrojtja e ‘infrastrukturës

Imagjinoni një qytet të zhytur në errësirë, ku rrugët janë të heshtura dhe komunikimet ndërpriten papritur. Të gjitha aktivitetet, nga furnizimi me ujë deri te trajtimi në spital, ndërpriten, duke lënë mijëra njerëz të pafuqishëm përballë kaosit. Ky nuk është një skenar i largët apokaliptik, por një realitet që po përjetohet përditë në Gaza, Ukrainë e zona të tjera konflikti, por jo vetëm. Para pak kohësh edhe në Kosovë ku u godit një arterie e ujit të pijshëm. Sulmet ndaj  infrastrukturës kritike, po kthehen në objektiv strategjik duke theksuar rolin jetik të saj në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit kombëtar, e më thjesht të sigurisë humane.

Infrastruktura kritike nuk është thjesht një rrjet i sistemeve dhe shërbimeve; ajo është vetë kolona që mban dinamike jetën e përditshme. Në një botë të ndërlidhur dhe të ndjeshme ndaj krizave natyrore dhe kërcënimeve njerëzore, mbrojtja e saj nuk është më një luks, por një domosdoshmëri jetike. Nga tërmetet shkatërruese në Shqipëri deri te lufta në Ukrainë, dekada e fundit na ka mësuar një mësim të hidhur: injorimi i sigurisë së këtyre sistemeve sjell pasoja të pallogaritshme.

Infrastruktura kritike: moment delikat në sigurinë humane dhe kombëtare. Pas viteve ’90, Shqipëria përjetoi një transformim të rrënjësishëm, ku përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri të re pas rrëzimit të regjimit totalitar u përballën me një realitet të ashpër. Dobësitë e infrastrukturës kritike, njëherë të fshehura nga sistemi i centralizuar, u bënë të dukshme në formën e ndërprerjeve të energjisë, rrugëve të shkatërruara dhe shërbimeve publike të paqëndrueshme. Kriza e vitit 1997, që la pas vetes trazira dhe shkatërrim masiv, goditi thellë shtyllat e shtetit, duke çuar në kolaps të aseteve jetike si transporti dhe energjia. Përmbytjet që ndodhën në dekadën pasuese dhe tërmeti shkatërrues i vitit 2019 i zhveshën këto sisteme nga mbrojtja e pamjaftueshme, duke lënë popullsinë të ekspozuar ndaj mungesës së shërbimeve bazë dhe duke nxjerrë në pah një të vërtetë të hidhur: infrastruktura kritike ishte zemra që nuk rrihte me forcën e duhur për të mbajtur gjallë jetën kombëtare.

E gjitha kjo u përkeqësua me shpërthimin e pandemisë COVID-19, një krizë që zbuloi se kërcënimet nuk vijnë vetëm nga katastrofat fizike. Spitalet u mbushën tej kapacitetit, ndërsa mungesa e furnizimeve mjekësore dhe presioni mbi zinxhirët globalë të furnizimit sollën paralizë ekonomike dhe sociale. Në këtë kaos, sulmet kibernetike të vitit 2022 shtuan pasigurinë, duke ndërprerë shërbimet publike dhe duke dëmtuar data-bazat e shtetit, në një kohë kur mbështetja teknologjike ishte më e rëndësishme se kurrë. Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës, zjarret, krijojnë pamjen e një vendi që përballet në çdo kohë me sfida, të cilat ka va vetëm një alternativë...ti fitojë. Përballë këtyre dukurive, një vizion dhe paradigmë e re riformaton strategji dhe doktrina të cilat e shohin ‘infrastrukturën kritike’ jo vetëm si një sistem funksional, por si një garanci për të ardhmen e sigurt të qytetarëve të saj dhe si pjesë të sigurisë kombëtare.

Kërcënimet Moderne: Lufta e Re për Siguri. Në dekadën e fundit, kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike janë rritur jo vetëm në numër, por edhe në sofistikim. Sulmet kibernetike kanë hyrë në skenë si një armë e re për destabilizimin e shteteve. Ai nga domen i aktorëve jo shtetëror po kthehet në armë e fuqishme e shteteve në përplasjet e tyre në fronte apo në prapavijë.  Infrastruktura kritike nuk është vetëm një komponent funksional; ajo është arterie,  që mund të goditet për të paralizuar një komb. Edhe në kohë paqeje, shtetet përdorin energjinë, komunikimin dhe rrjetet logjistike si mjete presioni strategjik. Nuk janë vetëm zonat e konfliktit ku nëpërmjet goditjeve të infrastrukturës synohen të arrihen objektiva strategjike të luftës, por I gjejmë në të gjitha situatat e tjera.  Vec bombardimeve në Ukrainë, Rusia ka përdorur furnizimet me gaz për të mbajtur në shantazh gjithë Evropën, duke dëshmuar fuqinë e infrastrukturës kritike si një mjet i heshtur, por vdekjeprurës, në përplasjet politike.

Në arenën globale, kontrolli mbi teknologjitë strategjike po merr  dimensione të reja. Sulmet kibernetike në vendin tonë në 2022 goditën databazat qeveritare, duke krijuar një situatë delikate. Ndërkohë, gara për dominimin e rrjeteve 5G mes ‘të mëdhenjve’ ka shfaqur një tjetër front ku infrastruktura kritike përdoret si mjet ndikimi. Këto shembuj tregojnë se, edhe në paqe, sulmet mbi infrastrukturën kritike janë një formë e re e konflikteve, një luftë e heshtur që vendos superioritetin  e fuqive.

Lufta, konkurrenca dhe reflektimet për infrastrukturën kritike. Rasti i Ukrainës, i Gazës, Kosovës, apo edhe direkt në vendin tonë ,   ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes proaktive të infrastrukturës kritike. Sulmet e vazhdueshme ndaj rrjeteve të energjisë në këto rajone kanë treguar se infrastruktura kritike është një objektiv strategjik në luftërat moderne, me ose pa fronte. Këto sulme kanë krijuar një krizë energjetike në vend dhe kanë ndikuar gjithashtu në furnizimet me energji në vendet e tjera evropiane, duke theksuar ndërlidhjen rajonale të këtyre sistemeve. Gjatë dimrave të luftës, Ukraina u përball me ndërprerje masive të energjisë elektrike, duke ndikuar në miliona qytetarë dhe duke paralizuar spitalet dhe objektet industriale. Mësimet e nxjerra nga këto sulme përfshijnë nevojën për investime në sigurinë kibernetike, ndërtimin e sistemeve më rezistente dhe krijimin e mekanizmave të koordinimit ndërkombëtar. Një strategji e tillë është e nevojshme për të minimizuar efektet shkatërruese të sulmeve të qëllimshme dhe për të përballuar fatkeqësitë natyrore apo teknologjike.

Një lufte që duhet fituar. Në Shqipëri, mbrojtja e infrastrukturës kritike përbën një sfidë të rëndësishme, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e lartë ndaj fatkeqësive natyrore, kërcënimeve kibernetike dhe dobësitë strukturore të trashëguara. Për të përballuar këto sfida, është thelbësore të përmirësohen kapacitetet teknologjike për monitorimin dhe mbrojtjen e rrjeteve energjetike dhe telekomunikacionit, si dhe të hartohen plane kombëtare për reagim ndaj emergjencave, që integrojnë ndërlidhjen ndërsektoriale dhe koordinimin institucional. Gjithashtu, Shqipëria duhet të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar, duke përfituar nga përvojat e vendeve që kanë menaxhuar sfida të ngjashme, si Ukraina dhe shtetet e BE-së. Kjo qasje gjithëpërfshirëse është vendimtare për përmirësimin e strategjive ekzistuese dhe zhvillimin e burimeve të reja, duke garantuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë e infrastrukturës kritike në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit kombëtar dhe duke e konsideruar si  ‘një luftë që duhet fituar’ në kohë paqe.

Siguria kombëtare nuk është një ide abstrakte; ajo përbëhet nga komponentët ‘hard’ (integriteti, sovraniteti, vlerat kombëtare) , por edhe nga pjesët themelore të jetës së përditshme – dritat që ndizen në shtëpi, uji që rrjedh nga rubineti dhe komunikimi i përditshëm . Mbrojtja e këtyre sistemeve është një luftë që duhet fituar, jo thjesht për të shmangur katastrofat, por për të garantuar stabilitetin dhe vazhdimësinë e jetës. Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, infrastruktura kritike mbetet arteria që normalizon jetën e një kombi. Bottom of Form

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH