Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Irina Canco: Dalja në pension, një moment reflektimi për angazhime të reja

Shkruar nga Liberale

EKSPERTIZË nga Irina Canco: Dalja në pension, një moment

*Prof. Asoc. Dr. Irina CANCO

Tërheqja nga jeta aktive apo siç quhet dalja në pension përbën një ndryshim të rëndësishëm në jetën e çdo individi nga këndvështrimi social, emocional, ekonomik, etj. Ky ndryshim ka shtrirje në kohë dhe për rrjedhojë individët në mënyra të ndryshme përballen me këtë dukuri jetësore. Kështu gazeta prestigjoze 'New York Times' e datës 20 korrik 2024 referuar momentit të daljes në pension shkruan: ”Disa e shohin atë si një gjendje qetësie...... Një kapitull i ri. Mundësia për të jetuar jetën dhe jo thjesht për të jetuar”.
Mundësia për të jetuar jetën shpreh në brendësi një domethënie të madhe. Kjo i referohet faktit se madhësia e pensionit ka karakter të dyfishtë. Nga njëra anë pensioni duhet të jetë i bashkëmatshëm me investimin individual në skemën e sigurimeve dhe nga ana tjetër të mundësojë plotësimin e kërkesave për një jetë dinjitoze. Sigurimet shoqërore bazohen në parimin e barazisë që gjen shprehje në formulën e llogaritjes së pensionit. Ky i fundit është i tipit të dyanshëm, që do të thotë se pensioni përbëhet nga niveli minimal i jetesës dhe të ardhurat nga kontributet e derdhura. Karakteri i dyfishtë kërkon kujdesin e strukturave shtetërore respektive për respektimin e ligjit mbi sigurimet shoqërore dhe mundësinë për rishikim të vazhdueshëm të pensioneve. Në këtë kontekst kërkohet ndërgjegjësimi qytetar për respektimin e ligjit dhe mundësinë për përfshirje në skema sigurimi krahas sigurimit të detyrueshëm dhe në skema të tjera funksionale. Kjo sepse sigurimet shoqërore është një normë filozofike që nënkupton një marrëdhënie juridike apo kontraktuale me një institucion sigurimi për të marrë përfitime afatshkurtra apo afatgjata të përcaktuara mbi bazën e kontributeve të paguara më parë për këtë qëllim.

Për vetë ndikimin që ka në jetët njerëzore tërheqja nga jeta aktive, ka tërhequr vëmendjen edhe të mjaft studiuesve nga vende të ndryshme. Ndërmjet tyre Susan Moore (2024) Profesor Emeritus, Fakulteti i Shëndetësisë, Arteve dhe Dizajnit, Universiteti i Teknologjisë Swinburne-Australi, në studimin e saj shtron pyetjen: Pra, çfarë u mungonte më shumë pensionistëve? Nga anketimet rezultoi se: “Paratë ishin një çështje e madhe për gati 20%, dhe rreth një e treta mendonin se gjendja e tyre financiare ishte përkeqësuar, edhe pse grupi kishte punuar kryesisht në punë profesionale dhe punë me jakë të bardhë”. Ky është një problem që ka shqetësuar shoqërinë edhe shumë vite më parë. Në një artikull të Harvard Business Review (HBR), Ken Dychtwald, Tamara J. Erickson, and Robert Morison (2004) vënë theksin në faktin se: “Popullsia e përgjithshme po plaket dhe, bashkë me të, edhe grupi i fuqisë punëtore”. Ndërsa sipas studimit të Angela M. Antonelli nga Qendra për Inciativat e Pensionit, plakja e popullsisë po merr përmasa të mëdha. Në vitin 2018 Antonelli shkruan: “Sipas Kombeve të Bashkuara, numri i njerëzve 80 vjeç e lart në nivel global parashikohet të trefishohet në më pak se katër dekada,duke u rritur nga 137 milionë në 2017 në 425 milionë deri në vitin 2050”. Edhe në Shqipëri plakja e popullsisë është problem që meriton vëmendje të vecantë dhe për këtë mjafton tëkonsiderojmë indekset e demografik mbi lindjet dhe vdekjet. Plakja e popullsisë vështirëson jetesën jo vetëm të të moshuarve, por edhe brezave të rinj.

Sipas një sondazhi të realizuar me pensionistët e Tiranës, me zgjedhje të rastit rezultoi se 92 % e të anketuarve vlerësojnë pensionet e ulëta si një faktor përcaktues të gjendjes së tyre të vështirë dhe shumë të vështirë ekonomike në të cilën ndodhen.

Masa e ulët e pensionit fokuson vëmendjen në veprimtarinë e sigurimeve shoqërore. Sigurimet shoqërore të punonjësve sipas shkencës së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore përfaqëson një nga kërkesat që kanë punonjës gjatë gjithë jetës aktive të tyre. Në një aspekt, sigurimet ngarkojnë me përgjegjësi si punëdhënësit ashtu dhe për vetë punonjësit. Punëdhënësit duhet të krijojnë një mjedis pune të sigurtë, ndërsa punonjësit duhet të ndërgjegjësohen për të qënë konform ligjit dhe të krijojnë një komunitet sigurimi.

Koncepti bazë i rrjeteve të sigurimeve shoqërore është përkujdesi dhe mbrojtja e atyre kategorive personash të cilët nuk kanë as forcë dhe as aftësi për t‘u kujdesur për vetveten dhe këtu bëjnë pjesë të moshuarit, invalidët, etj. Mbështetja e këtyre grupeve në nevojë, krahas përmbushjes së përgjegjësisë mundëson edhe në uljen e tensioneve sociale.

Sigurimet shoqërore kanë një evolucion të gjatë. Ato janë një dukuri e hershme ekonomiko-sociale e praktikuar në forma jo të njëllojta në vende dhe në kohë të ndryshme dhe kanë pësuar një evolucion të pashmangshëm si një reflektim i karakteristikave të zhvillimit ekonomiko-social. E trajtuar në rrafsh historik elementë të mbrojtjes shoqërore gjenden që në kohën e ekonomive natyrore. Në mesjetë sigurimet shoqërore kishin kryesisht karakter privat në konteksin e bamirësisë. Ajo mori karakter privat ose fetar dhe për rrjedhojë trajtohej si një angazhim me të cilin duhej të merrej familja apo institucionet fetare në mbështetje të shtresave të varfra.

Më pas në rendet ekonomiko-shoqëror që pasuan, për varfërinë filloi të kujdesej shteti duke i dhënë edhe karakterin e mbrojtjes juridike. Kështu në Angli, në shek. XIV, dolën ligje për të mbrojtur të varfërit që bazoheshin në mbledhjen e ndihmave. Ndërsa në shek. IX Karli i Madh në Gjermani, mbrojtjen e shtresave të varfra e kërkonte nga institucionet fetare në formën e shërbimeve të caktuara për të varfërit. Mbi bazë të kësaj filozofie funksiononte mbrojtja e të varfërve edhe në Francë duke kërkuar që një pjesë e të ardhurave kishtare të përdorej për të varfërit. Sipas burimeve konfidenciale edhe në Shqipëri, Ali Pashë Tepelena siguronte për të përfituar pension mësuesit dhe ushtarakët.

Megjithatë ka patur edhe periudha si ajo e paradigmës liberale që zhvillimin ekonomik ia dedikonte dorës së padukshme duke anashkaluar nevojën e ndërhyrjes shtetërore. Më pas në mbështetje të teorive të Malthusit, të Seniorit, etj, mbrojtja ekonomike ndaj të varfërve u reduktua ndjeshëm.

Në formën e tyre më të plotë sigurimet shoqërore e arritën në vitet e mëvonëshme. Ishte konsolidimi dhe zgjerimi i lëvizjes sindikale që çoi në shtrirjen e sigurimeve shoqërore në kuadrin e gjithë shoqërisë duke krijuar kështu një sistem modern të tyre. Mbrojtja e të moshuarve është parashikuar edhe në Kartën Sociale Europiane, ku përcaktohet se: “Çdo person i moshuar ka të drejtë për mbrojtje sociale”.

Evolimi i sigurimeve shoqërore çoi në ridimensionimin e rolit social të shtetit. Sigurimet shoqërore përfaqësojnë tashmë një karakteristikë të zhvillimit modern të shoqërisë njerëzore, e integruar në ekonominë e tregut duke e bazuar në rishpërndarjen e të ardhurave mbi bazën e parimeve të solidaritetit, barazisë dhe drejtësisë sociale. Nga ky këndvështrim sigurimet shoqërore janë shndërruar nga një normë filozofike, në një të drejte sociale të padiskutueshme dhe në një normë juridike të garantuar nga shteti, që nënkupton një marrëdhënie juridike apo kontraktuale me një institucion sigurimi për të marrë përfitime afatshkurtra apo afatgjata të përcaktuara mbi bazën e kontributeve të paguara më parë për këtë qëllim.

Duke qënë se sigurimet shoqërore organizohen mbi bazë të ligjit ato drejtohen nga institucionet shtetërore ose subjekteve të tjera ligjore autonome.

E drejta e sigurimit social është një e drejtë që ka mbështetje edhe në aktet ndërkombëtare si ato të OKB, ILO dhe të KE-së Në tërësinë e tyre një vend të rëndësishëm zë Karta Sociale Europiane.

Për shumicën e individëve që në dekada kanë krijuar një identitet profesional sipas sistemit të karrierës, dalja në pension është potencialisht tronditëse.

OECD nën parrullën “Politika më të mira për jetë më të mirë”  përshkruan rregullat ekzistuese, karakterizon tendencat e fundit të politikave dhe vlerëson hartimin dhe funksionimin e rregullave të pensionit të parakohshëm për punë të rrezikshme ose të mundimshme duke pasur parasysh ndryshimin e kushteve të punës dhe presionin e vjetërimit mbi sistemet e pensioneve nëvendet e OECD dhe G20, në artikullin e titulluar: “Pensionet me një vështrim 2021 treguesit OECD dhe G20”.

Ky botim përditëson gjithashtu informacionin mbi tiparet kryesore të dhënies së pensioneve në vendet e OECD dhe G20 dhe ofron parashikime të të ardhurave nga pensioni për punëtorët e sotëm. Ai ofron tregues që mbulojnë hartimin e sistemeve të pensioneve, të drejtat e pensioneve, kontekstin demografik dhe ekonomik në të cilin funksionojnë sistemet e pensioneve, të ardhurat dhe varfërinë e të moshuarve, financat e sistemeve të të ardhurave të pensionit dhe pensionet private.

Më shumë se gjysma e vendeve të OECD mbrojnë pensionistët plotësisht nga tendencat e inflacionit nëpërmjet indeksimit. Në këto vende indeksimi është një dukuri e shpeshtë. Indeksimi i shpeshtë është konsideruar si një aktivitet i nevojshëm për të ruajtur fuqinë blerëse të pensionistëve. Zbatimi i vazhdueshëm i indeksimit edhe pse i kushtueshëm, është çelësi për të ndërtuar besimin e pensionistëve.

Megjithë rëndësinë që ka, mbështetja financiare e  pensionistëve nuk është gjithçka. Sipas 'New York Times', Eilene Zimmerman(2019) pranon se Catherine Collinson, presidente e “Transamerica Center for Retirement Studies” (Qendrës jofitimprurëse Transamerica për Studimet e Pensionit) shprehet se tendenca tani është drejt një pensioni shumë më aktiv, ku puna dhe koha për ndjekjet personale apo kohën e lirë nuk janë reciprokisht ekskluzive, dhe ku vetë tranzicioni - në "pension" - është shumë i personalizuar. Catherine Collinson deklaron se "Iku vizioni tradicional i daljes në pension, .....” Tranzicioni shumë i personalizuar mund të përfshijë kalimin nga punësimi me kohë të plotë në punë me kohë të pjesshme, duke punuar në një kapacitet tjetër, ndoshta duke filluar një biznes.

Por "Çfarë është 'Punimi në pension?' Tre breza përgatiten për moshën më të vjetër", të publikuar në prill 2019. Sipas këtij studimi rezulton se nuk ishte (është) domosdoshmërisht që njerëzit duan të vazhdojnë të punojnë, por pse e bëjnë këtë?! I studiuar në terren ky problem sipas New York Times (2019) rezultoi se 80% e planifikojnë ta bëjnë këtë angazhim për arsye financiare; por çuditërisht, 72% e këtyre të anketuarve, krahas rëndësisë ekonomike, duan të jenë pjesë e këtij angazhimi për arsye të plakjes së shëndetshme.

Punësimi pas tërheqjes nga jeta aktive, nuk është një dukuri e re. Ka edhe shtete të tjera që e aplikojnë këtë veprimtari. Krahas përmirësimit të standardit të jetesës, punësimi pas daljes në pension, luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e IQ (Intelligence Quotient), koeficienti i inteligjencës së trurit dhe pikërisht kjo është plakja e shëndetshme. Megjithë rëndësinë që ka IQ, nuk është aq shprehëse sa EQ-ja (inteligjenca emocionale). Në lidhje me këtë të fundit Daniel Goulmani me librin e tij: ”Inteligjenca emocionale” botuar në vitin 1996 shpjegon pse nuk mund të jetë më tepër e rëndësishme se IQ-ja” sesa EQ-ja. Këtë Goulmani ia dedikon faktit se aftësia individuale nënkupton gjendjen e individit se sa “në korrent” është ai(individi) me emocionet e tij.

Plakja e shëndetëshme krahas ndikimit që ka në financat individuale redukton edhe shpenzimet për trajtimet shëndetësore të pensionistëve për ruajtjen e shëndetit mendor.

* Drejtuese e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut - Universiteti Europian i Tiranës

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH