Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Përmbushja e detyrimeve të Kosovës ndaj Perëndimit nuk duhet të varet nga sjellja e Serbisë

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Përmbushja e detyrimeve të Kosovës

Tre shtetet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian i kanë kërkuar sot kryeministrit të Kosovës Albin Kurti të konsiderojë draftin e propozuar nga BE si një projekt serioz dhe ta konsultojë atë me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës duke kundërshtuar kështu draftin të ri që ka nisur Albin Kurti. Këtë sjellje vendet e Bashkimit Europian e shikojnë si shmangie të detyrimeve për të përmbushur kriteret e një shteti funksional për anëtarësimin në Këshillin Europian. Madje për këtë sjellje Kurti ka krijuar dhe një mini-konflikt me Presidenten e Kosovës, Osmani.

Ky është një moment kyç për njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Dhe pikërisht në këtë moment kyç për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Albin Kurti si gjithmonë nuk zhgënjeu dhe nxori nga sirtari një kundër-propozim, me atë që është negociuar me BE. Kjo nuk është hera e parë e konfliktit që Kurti ka krijuar kohët e fundit me Perëndimin dhe aletatët e Kosovës. Sa herë që zgjidhja e çështjet së Kosovës afrohet, Kurti nxjerr karakteristikat e tij prej radikali patriotik, sjellje e cila po dëmton të ardhmen e Kosovës.

Problemi i Kurtit është se përmushjen e detyrimeve që Europa dhe ShBA përcakton për Kosovën e lidh me sjelljen e Serbisë dhe në varësi të saj. Ndërkohë që këto detyrime ndërkombëtare duhet të jenë si luajalitet ndaj aleatëve të Ksovës dhe të ardhmes së saj europiane. Nëse Kosova përmbush detyrimet e saj problemi nuk është më i saj, por i Serbisë. Duke u sjelljë kështu siç po bën, thjesht se po i jep alibi Serbisë për ta mbajtur peng çështjen e Kosovës përgjithmonë. Ndërkohë që kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt për të garantuar një shtet të integruar ndërkombëtarisht sa nuk është vonë dhe sa konjuktura gjeopolitike nuk ka ndryshuar ende.
Më e rëndësishme për Kosovën se sa njohja e saj nga Serbia, është aleanca e fortë perëndimore dhe njohja që BE dhe ShBA i bëjnë asaj. Nëse humbet këtë rrugë do ti humbasë të dyja, edhe njohjen e saj nga ana e Serbisë.

Albin Kurti ende nuk e ka kuptuar, ose më saktë bën sikur nuk e kupton, se beteja e Kosovës nuk është me Serbinë por me Perëndimin. Në kuptimin që Kosova duhet të bëj çdo gjë për të pasur në krah të saj ShBA dhe aleatët e saj perëndimorë. Beteja me Serbinë, fatkeqësisht të gjithë e dimë se si përfundon. Nuk është nevoja për ta ritheksuar. Ajo është një luftë e humbur. Kosova, por shqiptarët në përgjithësi, historikisht, sa herë që kanë pasur Perëndimin në krah kanë fituar dhe sa herë e kanë pasur kundër kanë humbur. Këtë na ka mësuar historia, dhe këtë duhet ta kemi parasysh gjithmonë.

Megjithatë, Albin Kurti po mban peng çështjen e Kosovës dhe politikën e saj me radikalitetin e tij politik, që ndoshta zgjidh fatin e tij, por jo atë të Kosovës. Duket sikur nuk del dot nga rrethi vicioz i radikalit. Radikalët, zakonisht janë peng i politikave të tyre. Për të mbijetuar në politikë duhet të bëjnë akte të tilla. Sepse nëse sillen të arsyeshëm i bie e gjithë ideja politike mbi të cilën kanë ndërtuar karrierën e tyre. Dhe duke qenë një politikan dogmatik, arsyeja është një tipar që nuk e përdor. Jo sepse nuk do, por sepse nuk mundet.

Problemi qëndron, se kjo dogmë nacional-socialiste, është duke e larguar gjithmonë e më shumë Kosovën nga aleatët e saj perëndimorë dhe ShBA, të cilët janë arkitektët e pavarësisë së saj. Nëse bëjmë një bilanc se çfarë ka arritur Kurti me ketë politikë duhet të pyesim nëse Kosova është më e sigurt apo ajo? Nëse është zgjidhur çështja e saj apo ajo? Nëse ka më shumë aleatë ndërkombëtarë apo jo? Të gjithë janë pyetje të cilat fatkeqësisht nuk marrin përgjigje pozitive.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH