Analizë

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Edi Rama do autorësinë e drejtësisë për ta delegjitimuar atë

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Edi Rama do autorësinë e

Ervis Iljazaj

Dje në emisonin Opinion të Blendi Fevziut, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se ai është autori i Reformës në Drejtësi dhe se amerikanët sollën Noc Rrokun, duke dalë kundër mendimit të përgjithshëm se kjo reformë është vepër e aleatëve të Shqipërisë, sidomos e Shteteve të Bashkuara. Menjëherë kritikët e kësaj reforme, sidomos të SPAK-ut, u hodhën në sulm duke thënë që tashmë Rama doli hapur dhe drejtësia kontrollohet prej tij. Duke u shprehur në këtë mënyrë, kryeministri i Shqipërisë e delegjitimon drejtësinë dhe i ul asaj besueshmërinë. Afërmendsh një reformë që është bërë nga një palë politike nuk mund të jetë e besueshme.

Deri më tani, opinioni publik shqiptar, në pjesën më të madhe të tij, ka besuar te kjo reformë jo vetëm për punën e saj, sidomos të SPAK, por edhe sepse mbrapa tij qëndrojnë amerikanët. Nëse ajo është vepër e Edi Ramës, pra e një pale politike, askush nuk mund t’i besojë. Por, asnjë kryeministër në botë, edhe nëse vërtetë e ka kapur drejtësinë nuk e thotë atë publikisht. Edhe në vendet me diktatoriale, diktatorët thonë që drejtësia është e pavarur dhe jo e tyre. Prandaj, tezat absurde të kundërshtarëve të SPAK-ut, se Rama doli hapur dhe ai ka kapur atë nuk qëndrojnë. Nuk ekziston asnjë kryeministër në botë që ta akuzojnë se ka arrestuar liderat e opozitës, dhe ai ta pohojë publikisht këtë gjë.

Në fakt, ajo që tha Kryeminsitri dje nuk është aspak e vërtetë, aq më tepër teza e kundërshtarëve të reformës, se Rama doli hapur që kontrollon drejtësisnë.
Reforma në Drejtësi në Shqipëri është në vazhdën e një strategjie amerikane në rajonin tonë. Nëse Rama ka bërë Reformën në Drejtësi në Shqipëri, atëherë ai e ka bërë dhe në Rumani, dhe në Bullgari, Kroaci apo Maqedoni. Është e qartë se drejtësia, dhe hetimi i klasës politike të korruptuar në Ballkan prej dy dekadash është një strategji amerikane në luftën kundër korrupsionit në këtë rajon, i cili ka qenë dhe është në nivel galopant.

Kryeminsitri shqiptar gënjen kur thotë që amerikanët sollën Noc Rrokun dhe se ai e ka bërë reformën, edhe për faktin se kjo reformë u votua në parlament unanimisht me 140 vota, si asnjë reformë tjetër. Të gjithë e mbajmë mend se si ish ambasadori amerikan shkonte nga një seli në tjetër për të bindur kryetarët e partive për të votuar pro, madje edhe duke i detyruar ata.

Sigurisht, Partia Socialiste pasi PD e braktisi aplikimin e reformës vazhdoi e vetme në këtë rrugëtim, prandaj edhe pjesë të drejtësisë sot i ndikon, por pjesë të tëra të saj, sidomos në SPAK dhe GJKKO janë qartësisht jashtë ndikimit politik. Dhe kjo falë këmbënguljes së ndërkombëtarëve dhe Shteteve të Bashkuara.

Atëherë, përse Edi Rama kërkon me patjetër autorësinë e Reformës në Drejtësi në Shqipëri? Për dy arsye kryesore. E para, sepse kërkon të hipi në karrocën e suksesit të luftës kundër korrupsionit që SPAK po bën dhe arritjet që ka patur. Duke qenë se ky institucion ka besueshmëri të lartë në opinionit publik, Edi Rama kërkon të bëhet pjesë e tij. Ndryshe nga kundërshtarët e tij që e mallkojnë dhe e quajnë organizatë kriminale kundër frymës së përgjithshme të opinionit publik, Edi Rama nuk sillet në këtë mënyrë. Duke qenë se nuk e ndalon dot arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij, ai në vend që të shikojë fatkeqësi në këto arrestime, i kthen ato në avantazh. Duket paradoksale, por Edi Rama lëvdohet se përse në Shqipëri po arrestohen njerëz me pushtet për korrupsion, ndërkohë që duhet të jepte llogari për nivelin e lartë të korrupsionit të qeverisë së tij.

Arsyeja e dytë se përse Rama do autorësinë e drejtësisë është pikërisht fakti se kërkon ta delegjitimojë atë, sidomos punën e SPAK. Duke thënë që ai e ka bërë këtë reformë i jep të drejtë Sali Berishës dhe opozitës të cilët e akuzojnë se e ka kapur drejtësinë dhe po e përdor atë kundër tyre. Është fakt se puna e SPAK po i merr një nga një bashkëpunëtorët Edi Ramës. Ky institucion sot është ndoshta opozita kryesore kundër qeverisë, dhe për këtë arsye është kthyer në një problem.

Si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita, punën e SPAK nuk e shohin aspak me sy të mirë. Opozita e kritikon hapur, ndërsa Rama publikisht e mbron, por nën rrogoz bënë të pamundurën për ta sabotuar atë. Dhe të shprehesh publikisht se kjo reformë është vepër e Edi Ramës, është një nga mënyrat për ta sabotuar. Edi Rama duke u sjellë në këtë mënyrë është duke i dhënë një ndihmë të madhe ‘’kundërshtarit’’ të tij politik, Sali Berishës.

Por më kot e kanë, shqiptarët e dinë që SPAK është një vepër amerikane në Shqipëri. Jo më kot, çdo zyrtar amerikan që vjen në Shqipëri, i të gjitha niveleve, takimin e parë e bën në SPAK. Nëse ky institucion do të vazhdojë me këtë ritëm, jo vetëm që politika majtas dhe djathtas nuk do të arrijë dot ta delegjitimojë, por përkundrazi, besueshmëria e tij do të vijë gjithmonë në rritje. Sa më shumë e sulmon politika drejtësinë, aq më shumë besueshmëri fiton ajo në sytë e shqiptarëve.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH