Ervis Iljazaj
Amerika e Donald Trump është ndryshe nga ajo që jemi mësuar deri më tani. Jo vetëm nga ajo e demokratëve, por edhe e republikanëve përpara tij. Idealizmit demokrat me sa duket i ka ardhur fundi, dhe vendin e ka zënë pragmatizmi dhe realizmi politik i Donald Trump. Dhe ky pragmatizëm sigurisht që ka nevojë për qëndrime të qarta, të thëna troç dhe të hapura. Koha kur Amerikanët ndërhynin dhe ndikonin në botë nëpërmjet diplomacisë apo instrumenteve të tjerë të Soft-power-it ka mbaruar. Tashmë ja ka lënë vendin qëndrimeve të drejtë për drejta.
Këtë gjë administrata Trump po e bën me Europën dhe me vende të tjera të rëndësishme. Dhe këtë gjë do ta bëjë me Shqipërinë dhe Kosovën sa herë që do ta kërkojë rasti. Ashtu sikurse ndodhi me qëndrimin e Grenell sot në raport me Albin Kurtin. Si rrallë herë ka patur një qëndrim të thënë kaq troç dhe hapur. Grenell e akuzoi Kurtin se ai s’ka qenë asnjëherë aleat luajal me Amerikën, me të gjitha administratat. Sipas tij Kurit ka kundërshtuar të gjitha planet e Amerikës që nga ato të Trump, madje dhe ato të administratës Biden për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Sot i bëri thirrje të hapur shqiptarëve të Kosovës që të mos votojnë Kurtin, pasi ai nuk shihet si një bashkëpunëtor i Amerikës. Një thirrje e fortë si rrallë herë më parë, por që mban disa të vërteta.
Albin Kurti në çështjen e Kosovës dhe raporteve me Serbinë ka patur një qëndrim radikal. Ai ka kundërshtuar, madje shpesh herë ka dalë kundër thirrjeve të aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës me qëndrimet e tij, duke e futur Kosovën në izolim ndërkombëtar. Sigurisht disa fitore të vogla i ka marrë, por ama nuk dihet se si do të shkojë beteja e fundit me administratën e re të Donald Trump.
Aq me tepër që kjo administratë na ka mësuar këto dy javë se nuk e ka problem të bëjë thirrje të drejtë për drejtë qytetarëve të shteteve të tjerë që të votojnë një parti apo një tjetër, në bazë të preferencave që kanë. Administrata Trump këtë po e bën në Kanada, në Gjermani apo dhe në Britaninë e Madhe duke shprehur hapur preferencat e saj. Imagjinoni se sa të lehtë e ka ta bëjë këtë dhe në Kosovë nëse mendon që s’kanë aleatin e duhur.
Nuk dihet nëse kjo administratë do të jetë mirë apo jo për çështjen e Kosovës, por me të gjitha gjasat Kosova gjatë kësaj administrate mund të marrë një zgjidhje përfundimtare, duke patur parasysh metodën e shpejtë dhe pragmatiste që vepron administrata Trump. Gjithsesi Grenell foli hapur dhe tha se, Albi Kurti pengon planet amerikane për Kosovën. Më qartë dhe më hapur se kaq nuk mund të fliste.
E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Shqipëri. Qëndrimet diplomatike kanë mbaruar. Nëse Amerika do të ketë ndonjë interes për Shqipërinë, atë do ta shprehë qartë. Kështu që të gjithë ata që pretendojnë në Shqipëri se e kanë mirë më Administratën “Trump”, do ta mësojnë shumë shpejt këtë gjë. Kjo administratë është krejt ndryshe nga Amerika që jemi mësuar deri më tani. Dhe për këtë gjë, duhet të përgatitemi. Problemi qëndron se me Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe me filozofinë e tij politike që parashikon një tërheqje dhe shkurtim të shpenzimeve të angazhimit amerikan në botë, Shqipëria, dhe sidomos Kosova, mund të vuajnë për sigurinë e tyre, që u është garantuar gjatë këtyre dekadave nga Shtetet e Bashkuara.