Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Opozita duhet të rigjejë komunikimin me ndërkombëtarët

Shkruar nga Ervis Iljazaj

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Opozita duhet të rigjejë komunikimin me

Ndërkombëtarët në Shqipëri, aleancat politike me to, sidomos me Shtetet e Bashkuara, kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike. Ndërkombëtarët sigurisht nuk të sjellin në pushtet, por konflikti me to padyshim që të pengon.

Problemi kryesor i opozitës sot, ose më saktë, një nga problemet është fakti se gjendet pa aleatë ndërkombëtarë. Aleat të cilët ja ka marrë Partia Socialiste e Shqipërisë. Ky izolim kërkon një reflektim të thellë, i cili ende duket sikur nuk po ndodh. Ka sjellje recidiviste, të paktën te një pjesë të opozitës , te ajo e rithemelimit, që vazhdon me akuza ndaj ShBA-ve apo misioneve të tjera diplomatike në Shqipëri.

Ky fakt u konstatua edhe gjatë fjalimeve të protestës së 20 shkurtit. Opozita shqiptare po vazhdon me të njëjtën sjellje që e ka karakterizuar në këto vite. Me një gjuhë radikale, me mosbindje civile apo me idenë se mund t’ja dalin edhe pa mbështetjen e ShBA dhe perëndimorëve për të ardhur në pushtet.

Vetmia e saj në raport me ndërkombëtarët u duk nga përgjigja që dha Anthony Blinken kur u pyet se përse nuk takoi asnjë pjesëtar të opozitës. Një përgjigje e cila ishte shumë domethënëse për gjendjen ku ndodhet opozita sot. Pa aleancën e partnerëve strategjikë të Shqipërisë, pa një mbështetje ndërkombëtare, e cila e ka kthyer gjithmonë e më shumë të izoluar.

Paradoksalisht, edhe pse kjo sjellje e ka lënë gjatë në opozitë dhe jashtë çfarëdo lloj pushteti, një pjesë e mirë opozitës vazhdon ende me të njëjtën gjuhë.  Nuk duket asnjë reflektim në horizont në këtë drejtim .

Pa dashur, po krijojnë idenë se Edi Rama është një super njeri, se ka kapur ShBA-në, britanikët dhe europianët me qëllim që ata të shkatërrojnë opozitën shqiptare. Një marrëzi politike që s’ka as logjikë dhe asnjë fakt. Nëse opozita sot është në izolim ndërkombëtar, kjo nuk ka ardhur për shkak të ‘’korruptimit’’ që i ka bërë Rama të gjithë botës perëndimore, por për shkak të sjelljes së saj.

Ideja se opozita shqiptare mund të vijë në pushtet me një gjuhë anti-ShBA apo anti ndërkombëtare, është një absurditet. Është një diçka e cila ka zero shanse të ndodhë. Të duash të rrëzosh Edi Ramën duke përdorur një gjuhë të tillë është një strategji totalisht kundër-produktive në Shqipëri. Një vend i cili është në pjesën më të madhe të tij perëndimor dhe por amerikan.

Duam apo nuk duam ne, ndikimi i tyre tashmë në politikën shqiptare është i padiskutueshëm. Ata sigurisht mund të kritikohen, mund të gjykohen, por jo të përjashtohen. Kjo tashmë nuk mund të ndodhë më në kontestin politik dhe gjeopolitik shqiptar.

Prandaj, gjuha që Edi Rama ka korruptuar të gjithë botën për të sulmuar opozitën, është të mistifikosh pushtetin e tij dhe padashur të luash në favor të tij.

ShBA dhe  Perëndimi në përgjithësi, krijojnë aleanca me popuj dhe me shtete, dhe jo me persona të caktuar. Të thuash që ndërkombëtarët janë me Edi Ramën është një non-sens politik.

Për të gjitha këto arsye, opozita shqiptare duhet ti japë fund një gjuhe të tillë politike, e cila po prodhon një izolim të saj në favor të pushtetit të Edi Ramës. Duhet të fillojë të hedhë urat e saj të bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë, pa të cilat vështirë se mund të rrëzojë dot një pushtet autokrat. Përballë një pushteti kaq të madh të Edi Ramës, as mosbindja civile, as radikaliteti nuk kanë asnjë efekt nëse s’do të ketë aleanca ndërkombëtare. Sepse i vetmi pushtet që është më i fuqishëm se sa i Edi Ramës, është pikërisht ai i ndërkombëtarëve.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH