58-vjeçari Tafik Tashi (në foto) vrau me sëpatë motrën e gruas së tij, Alma Qevani, në një ngjarje shokuese që ndodhi ditën e djeshme në fshatin Kusarth të Elbasanit.
Autori është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.
Në dëshminë para hetuesve ai ka deklaruar se motra e bashkëshortes e ofendonte dhe kohët e fundit i ka thënë “je impotent” dhe sherri agravoi sepse ajo “nuk kishte përgatitur drekën”.
Burime bëjnë me dije se para grupit hetimor ai ka deklaruar po ashtu se e vrau kunatën e tij Alma Qevanin, pasi ajo kishte ditë që nuk e lejonte bashkëshorten e autorit që të shkonte në shtëpinë ku jetonte me bashkëshortin.
Policia bëri me dije se autori, 58-vjeçari Tefik Tashi është pikasur nga efektivët teksa vraponte me sëpatë dhe duart e gjakosura, në afërsi të fshatit Shirgjan.
Ky i fundit e kishte lënë fillimisht të plagosur kunatën, e cila pasi është transportuar në spital, nuk ka mundur t’u bëjë ballë plagëve të marra.
Pasi është shoqëruar në komisariat, autori nuk ka shfaqur asnjë pendesë për krimin që kreu.