Editorial

Nga vota në Gjermani shenja të politikës së mirë

Shkruar nga Liberale
Nga vota në Gjermani shenja të politikës së mirë

ALDO CAZZULLO

Ja PSD u kthye në partinë e parë gjermane, jo me një vijë të së majtës skajore, ala Jeremy Corbyn apo Jean – Luc Mélenchon – për të bërë të heshtin skajorët e shtëpisë sonë – por me një vijë qendërsore, duke bërë të tyren trashëgiminë e Angela Merkel-it; që në këta vite nuk ka drejtuar një Koalicion të Madh (në Gjermani tashmë dy partitë e mëdha vlejnë pothuajse sa gjysma e trupit zgjedhor), por një qendër të majtë, fortësisht të lidhur me qendrën.

Nuk ishte parashikuar, madje dukej e pamundur. Socialdemokratët dukej se ishin të paracaktuar të ndiqnin fatin e Pasokut grek, të zëvendësuar nga populistët e Syrizës (të detyruar të pranonin këshilla më të buta: jashtë Varoufakis, po ashpërsisë së detyruar nga Berlini), ose atë të PS franceze, të nxjerrë jashtë loje nga një tjetër qëndërsor: Emmanuel Macron. Në të kundërt një parti që, megjithëse historinë e saj të lavdishme dukej e vdekur, paraqitet sot në pragun e Kancelarisë; në sajë edhe të “kthimit në rend” të shënuar nga kriza mbas-Covid, me kthimin e rolit të Shtetit dhe rimarrjes së besueshmërisë të institucioneve evropiane.

Mbas luftës së parë botërore, pararojat artistike – nga kubizmi tek abstraksionizmi – ndjenë një “thirrje për rregull”: artistët rifilluan të vizatonin figura, ri gjetën format klasike, deri edhe vetë Kandinski ndjeu tërheqjen e racionalitetit gjeometrik. Në të njëjtën mënyrë, pandemia ka sjellë një thirrje të arsyes për një botë që dukej e magjepsur nga sirenat e populzimit e të sovranizmit.

Në fillim fitorja e Brexit. Më pas ende më e befasishme ajo e Trump-it. Meteora e pabesueshme Bolsonaro. Ngjitja e Podemos dhe Vox në Spanjë. Qeveria verdh-jeshile n ‘Itali. Dukej se kryengritja kundër sistemit kishte fituar dhe ishte e paracaktuar të qeveriste një botë pa monedhë të përbashkët, kufij të hapur, institucione shumëkahëshe. Pastaj pandemia pështjelloi gjithçka. Trump-i i nisur për t’u rizgjedhur, gaboi në nënvleftësimin e saj dhe vuri në lojë Shtëpinë e Bardhë. Johnson-i, mbas gabimeve të para, shpëtoi dhe tani shton taksat për të financuar National Health Service, shërbimin shëndetësor kombëtar. No-Vax-i Bolsonaro han picën në rrugë sepse i përzënë nga restorantet e Manhattanit e rrezikon të mundet nga i ringjalluri Lula, i sapo dalë nga burgu. Në Spanjë Podemos është shembur, Vox është tkurrur e kthehen në alternativën ndërmjet socialistëve dhe popullorëve. N ‘Itali rishkombëtaristja Legë mbështet tani më evropianisten e qeverive. Në Francë shfryhet Marine Le Pen. E në Gjermani partia e Merkelit lëshon terren jo nga e djathta (Alternativa për Gjermaninë humbet vota e deputetë), por nga qendra, ku fuqizohen nga një anë liberalët e nga tjetra të Gjelbërit dhe pikërisht socialdemokratët.

I fundmi kancelar socialdemokrat, Gerhard Schröder, kishte si parullë të tij “Die Neue Mitte”, qendra e re. Që nuk do të thoshte të bëhen të gjithë demokristianë e pra të moderuar, ndërmjetës, pothuajse të palëvizshëm. Do të thoshte se reformistët mund të jenë qendrorë në rreshtimin politik të shoqërisë, duke mobilizuar energjitë e të rinjve, të grave, t ‘atyre që synojnë të fuqizojnë institucionet e jo t’i shkallmojnë, të ndërtojnë Evropën e jo t’a shkatërrojnë, të vënë në lëvizje ashensorin shoqëror pa ndëshkuar shtresat e mesme, të përtërijnë qeverisjen e jo t’a zëvendësojnë me atë që çirret më shumë e rreh më ashpër në rrjetet sociale. Në kohët e tij, Schröderi arriti të marrë më shumë se 21 milion e gjysmë vota, thuajse dhjetë milionë më shumë se sa mblodhi të dielën e shkuar Scholzi. Dypartishmëria është tejkaluar, kuadri copëzohet gjithnjë e më shumë, edhe se kultura politike gjermane vazhdon të çmojë qëndrueshmërinë. Sovranizmi nuk është mundur aspak; shpërthen në Lindjen evropiane, dhe në vetë ish Gjermaninë lindore, ku AFD (më shumë popullsitë se rishnaziste) është partia e parë. Por reformizmi liberal, si ai që sheh djathtas si ai që sheh majtas, vazhdon të qeverisë Vendet kryesore të kontinentit dhe institucionet evropianë, bisedon me Amerikën e Biden-it, shpreson të krijojë një front të përbashkët me Rusinë e Putinit kundër vullnetit zotërues të Kinës.

Mbas reformizmit është qëndrueshmëria e shtresës së mesme, që njëheri u quante borgjezi, që nuk është një fjalë e ndyrë, është emri i prodhuesve që çojnë përpara ekonominë e që mbajnë peshën e të varfërve të rremë  e të të pasurve të vërtetë që nuk paguajnë taksat. Edhe borgjezia mund të tundohet nga zemërimi kundër-sistem dhe nga refuzimi i demokracisë përfaqësuese; por din t’a njohë politikën e mirë që sjell përfundime të mira.

“Corriere della Sera” 

Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH