Nga Luiza Pinderi
Kur nënshkruan kontratën e parë me MITS-i, në vitin 1975, Bill Gates dhe Paul Allen, e referuan veten si persona që bëjnë biznes në Micro- Soft. Pas 47 vitesh kompania mban të njëjtin emër dhe është shndërruar në korporatën më të njohur botërore. Kur Albi Zhulali themeloi kompaninë e tij 6 vite më parë, synonte një softuer makro, diçka që rritej dhe zhvillohej vazhdimisht. E quajti Softmogul, manjat i softuerit. “E kundërta e Microsoft. Është një emër që nuk të limiton”, shpjegon ai. Emri nuk të lë të kuptosh shumë për natyrën e programit, por në fund të fundit çfarë të thotë Apple për telefonin?
Softmogul është një sistem unik për menaxhimin e hoteleve, që operon në mbi 20 shtete të botës. I vetmi all in one me një tërësi produktesh, që e ndihmojnë hotelin të menaxhojë çdo lloj aktiviteti, nga operacionet e brendshme dhe shërbimet ndaj klientit, deri te integrimi në të gjitha kanalet e shitjes. Është një nga startup-et më të suksesshme që ka Shqipëria, i cili ka tërhequr investime në miliona dollarë.
Shkatërrues, krijues dhe inovator
Kur ishte fëmijë e bërtiste shpesh se do të ndryshonte botën. Kishte dhuratë natyrore kuriozitetin, këtë “motor” që e shtyn mendjen njerëzore të shkelë limite dhe të krijojë realitete të reja. “Kur më vinin lodra, qejfi më i madh ishte t’i shkatërroja, të shikoja çfarë kishin brenda, të njihja pjesët elektronike”, tregon ai. Rritja nuk ia zvogëloi pasionin për elektronikën, përkundrazi e afroi në dimensione të reja. Në moshën 15-vjeçare u punësua pranë një kompanie web development, ku përgjatë 2 viteve mësoi dizajnimin dhe programimin. Mori një profesion, ende pa mbaruar një shkollë të tillë. Guxoi duke menduar se kishte fituar mjaftueshëm eksperiencë për të hedhur një hap të ri.
Ishte vetëm 17 vjeç kur hapi kompaninë e tij të parë në fushën e programimit. “Fillova të mësoj më shumë rreth biznesit, rreth shitjeve dhe menaxhimit të klientëve”, thotë ai. Deri tani, kishte mjaftueshëm njohuri për teknologjinë, kështu që studimet e larta i vazhdoi për menaxhim biznesi. Konturet ishin caktuar qartë në këtë puzzle të ri sfidues. Duhej veçse një ide, për një hap më të madh. “Hotelet ishin pak të zhvilluar në Shqipëri, por e shihja si një fushë me shumë potencial. Shumica prej tyre nuk ishin as të pasqyruar në platformat ndërkombëtare, Booking apo Expedia”, tregon ai.
Nisi ndërtimin e një uebsajti gjithëpërfshirës. Në stayinalbania.com do të regjistroheshin të gjitha hotelet e Shqipërisë, ku turistët të kishin informacione të mjaftueshme për të përzgjedhur destinacionin e tyre. Pikëpyetja më e madhe ishte për hotelet që tashmë gjendeshin të regjistruara në platformat e huaja. A do ta përdornin platformën e tij? “Bëra një kërkim nëse kishte një platformë që të integronte të gjitha kanalet e shitjes në një të vetme dhe pashë që kishte shumë mangësi. Shfrytëzova agjencinë që kisha, targetova disa hotele për t’iu ndërtuar uebsajte dhe kështu hyra më në brendësi të kësaj industrie”, tregon Albi.
Në botën e startup-eve
Nuk mund ta vazhdonte i vetëm. I duheshin njerëz. I duhej një staf që të zhvillonte projektin. Vëllai i solli shokun, Arnold Dritën, që më vonë u bë bashkëthemelues i Softmogul. I solli edhe investitorin e parë, që pasi dëgjoi idenë e tij, nuk denjoi t’iu jepte një shans. Tashmë kishin një zyrë, kishin një staf të vogël, të konsoliduar. Nga ana tjetër, nuk ishin të pakta rastet kur mëngjesi i gjente në zyrë. Fati ishte në anën e tyre dhe i çoi shumë larg. Aplikacionin e kompanisë e shkarkoi një hotel në Arizona, që përveçse klienti i parë, do të bëhej edhe një udhërrëfyes i asaj se çfarë duhet të shtonin apo të rregullonin në sistem.
Në kohën që zgjeronin platformën, erdhi një trajnim për sipërmarrjen dhe inovacionin, në San Francisko. Në mbyllje, bëri një prezantim para 100 investitorëve më të mëdhenj të Silicon Valley. “Aty u pikasëm nga Plug and Play, i cili është akseleratori më i madh në botë dhe network-u që të jep është i jashtëzakonshëm”, tregon ai, duke e cilësuar këtë periudhë si një nga më të bukurat në zhvillimin e tij. “Kam pasur mundësi të takoj shumë liderë botërorë në fushën e teknologjisë, duke përfshirë edhe Steve Wozniak, bashkëthemeluesin e Apple”.
Thotë se në San Francisko shumë persona marrin investime dhe pasurohen vetëm me ide, gjë që nuk ndodh në vendin tonë. “Në Shqipëri kemi zakon shumë të keq. Nuk i ndajmë idetë, sepse kemi frikë mos na i vjedh dikush tjetër. Atje është e kundërta”, tregon Albi. Kopjimi është i pashmangshëm, sipas tij. Në një moment, qoftë në idenë fillestare apo në prezantimin e produktit, dikush do të kopjojë. Ky nuk është një fakt deprimues, sepse rruga që ndjek gjithsecili, dikton edhe vazhdimësinë. Por a mjafton vetëm një ide për të nisur një sipërmarrje? “Mund të kesh ide shumë të bukura, por po nuk i ktheve në produkte, mbeten thjesht ide”, shton ai më tej.
Mbijetesë dhe sfida të reja
Marrja e investimeve rriti fizikisht Softmogul. Përveç zyrës qendrore në Tiranë, u hapën filiale edhe në Nju Jork dhe Romë. Pandemia COVID-19 goditi shumëkënd, por industrinë e turizmit e gjunjëzoi. Albi tregon se kjo situatë ndikoi edhe në kompaninë e tij. Mbylli zyrat jashtë Shqipërisë dhe reduktoi stafin. “Një pjesë të madhe të klientëve i mbajtëm pa pagesë, që të mos i rëndonim, por edhe që të mos iknin prej nesh. Sot jemi në një në një fazë të mirë, pasi industria e turizmit është kthyer jo atje ku ka qenë, por edhe më fuqishëm”, thekson ai.
Thotë se ka në mendje zhvillime të reja për kompaninë, për përsosjen e produktit. Preferon mos t’i zbulojë, derisa të ketë hartuar një plan të qartë ekzekutimi. Nga ana tjetër, e quan veten me fat që ka pasur rreth vetes njerëz të zgjuar dhe punëtorë. Nuk e fsheh as krenarinë për mundësitë e mira që iu janë ofruar njerëzve që kanë punuar me të. Sipas tij, Softmogul ka qenë një biletë suksesi për punësimin në kompani të njohura ndërkombëtare.
“Duke qenë se kemi produktin tonë, investohemi që të japim zgjidhjen më të mirë dhe jo më të shpejtën, për ta hequr qafe problemin”, tregon më tej. Këshillon programuesit që të mos zgjedhin fitimet e shpejta, por të bëhen më ambiciozë. Në vend që të eksportojnë orët e punës, duhet të prodhojnë vetë produkte që kanë një treg më të gjerë dhe fitime më të larta, në kohë afatgjatë.
“Të refuzosh” Elon Musk
Kur e pyet nëse rrugëtimi i tij është tregues gjenialiteti, shfaq modestinë, këtë aset që e gjen shumë rrallë në natyrën njerëzore. “Gjeni është fjalë shumë e madhe. Të tillë quaj Elon Musk”, thotë Albi. Admiron novatorin më të njohur të momentit, por jo mënyrën sesi e jeton jetën. Sipas tij, nuk është një model që duhet ndjekur. “Është një person që e shkatërron veten duke punuar. E mira e njerëzimit dhe i keqi i vetes”, shprehet Albi. Ka dëshirë që në jetën e vet të ketë një lloj harmonie mes punës dhe jetës private.
Sigurisht që dëshiron të bëjë pushime, të flejë në shtëpinë e tij dhe jo në dyshemenë e kompanisë apo në shtëpitë e miqve, siç bën Musk. E shqetëson e ardhmja, por jo aq sa të angazhohet në shpëtimin e racës njerëzore, siç po përpiqet themeluesi i SpaceX. Ka personazhe të tjerë që e frymëzojnë dhe e drejtojnë në biznes. Steve Jobs-in e ndjek si model për strategjinë e biznesit, për filozofinë e organizmit të punës apo të prodhimit të produktit, duke synuar thjeshtëzimin.
“Po të krahasosh produktet e tjera për hotelet me produktin tonë, është si të krahasosh një telefon iPhone me një nga telefonat e papërdorshëm. E kemi bërë shumë të thjeshtë programin”, thotë Albi. Anthony Melchiorri është një tjetër mentor i vyer. Eksperti më i njohur i hotelerisë në botë dhe drejtues i emisionit “Hotel Impossible” në Travel Channel, është këshillues dhe bashkëpunëtor në Softmogul. “Pa këshillime nga të tjerët, është e vështirë të mësosh. Por kjo është e bukura e biznesit. I mëson shumë shpejt proceset, duke provuar”, shprehet Albi.
Sigurisht që pranon edhe gabimet. As nuk premton të jetë i pagabueshëm në të ardhmen. Pranon me zemërgjerësi sfidat, por mbi të gjitha mësimet, në këtë rrugëtim që i dihet veç fillimi./Revista Liberale