Sociale

Mbi arsimin e së ardhmes: A jemi gati?

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPress – 15 vjet

Titulli: Dilemat e një profesori jopopulist

Autor: Edi Puka

Nga Prof. Dr. Erleta Mato

Libri që keni në duar përmban artikuj të ndryshëm për arsimin. Por fakti që duhet nënvizuar është se ai nuk kufizohet në kuptimin e ngushtë të termit, pra nuk ka parasysh vetëm mësimin dhe shkollat, siç ndodh shpesh. Ai merret me disa nga dilemat që shoqërisë shqiptare në këtë periudhë tranzicioni i duhet t’i zgjidhë në favor të një të nesërmeje më të mirë dhe më produktive duke sugjeruar rrugë, veprime dhe vendimmarrje bashkëkohore.

Shekulli, në të cilin kemi hyrë po shfaq në nivel global gjithnjë e më shumë interesant për reformat arsimore dhe bëjnë që edhe ne, akademikët shqiptarë të jemi në kërkim të vazhdueshëm të mënyrave se si funksionojnë së brendshmi proceset e ndryshimit dhe përmirësimit në arsim. Autori i këtij libri, Prof. Asoc. Dr. Edi Puka, nëpërmjet ideve që jep, vizioneve që përpiqet të ndërtojë, kritikave konstruktive që bën, i kapërcen ndërlikimet që shfaqin aktorët kryesorë të edukimit në veprimet apo mosveprimet e tyre në realizimin e misionit programatik që kanë në shoqëri, shtrimin e një rruge që garanton cilësi, efektivitet dhe bashkëkohësi në reformat arsimore, si në nivelin parauniversitar, ashtu dhe atë universitar.

Dilema e një profesori-jo populist është vetë cilësimi që i bën autori vetes. Faqe pas faqesh, lexuesi gjen analiza të shkruara me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme nga të gjithë, profesorë dhe studentë, prindër dhe të interesuar të tjerë të arsimit. Gjithashtu gjen reflektime, propozime dhe ndonjëherë, pse jo, replika me kolegët në mbrojtje të tezave të parashtruara prej tij apo institucionit ku punon si mësimdhënës, kërkues dhe krijues.

Howard Gardner, një ekspert amerikan i edukimit, shumë i njohur në mbarë botën shprehet: “Qoftë kur jam duke udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose qoftë duke vizituar Evropën, Amerikën Latine apo Lindjen e Largët, kudo gjej një konsensus mahnitës: ky është besimi se cilësia e sistemit arsimor të një kombi është një nga përcaktuesit më kryesorë të zhvillimit gjatë shekullit të ardhshëm dhe më tej”.

Por, në vendin e vogël ku jetojmë dhe punojmë, duket se politikanë, qeveritarë dhe drejtues institucionesh publike dhe private arsimore të kohëve të vështira të tranzicionit, nuk ndajnë të njëjtin mendim. “Djalli i veshur si universitet privat” apo replikë me: “10 tezat jo-populiste ose humbëtira e elitës sonë intelektuale” nga Johannes Estrada, janë artikuj që të tërheqin jo vetëm me tezat interesante që diskutojnë, por edhe me intelektualizmin shpotitës ndaj atyre që në mbrojtje të privilegjeve jo të merituara apo pasivitetit shterpë, zbulojnë shkaktarë të rremë dhe jo realë të pengimit të ushtrimit të pozicioneve që kanë, por jo të punës që bëjnë.

Duke lexuar librin e Prof. Asoc. Dr. Edi Puka, kolegut tim të ri në moshë, por me kontribute të shumta jo vetëm në lëmin e arsimit, por edhe në atë të qytetarisë aktive, nuk mund të mos shpreh admirimin dhe kënaqësinë që ndjeva, që të jepja vlerësimin tim për një punë, të cilën autori e bën vullnetarisht duke kontribuar me shkrime që ndërgjegjësojnë publikun për vendimmarrje, politika dhe ide vizionare në lidhje me çështje të ndryshme të arsimit.

Është pothuaj një e vërtetë e pamohueshme që koha jonë nuk ka shumë heronj apo udhëheqës. Natyrisht ka mjaft njerëz, të cilët si rrjedhojë e përgatitjes dhe arritjeve të tyre akademike, janë të aftë të udhëheqin dhe punojnë me standarde në disiplinat e tyre akademike. Por neve na mungojnë njerëz të aftë që flasin (dhe që dëgjohen), nga grupe me interesa të ndryshme, nga shoqëria dhe më gjerë. Libri: “Dilemat e një profesori jo-populist”, ju prezanton me një njeri që mbart vlera akademike dhe shoqërore për t’u ndjekur nga pasues të tjerë, jo vetëm brenda UET, por edhe më gjerë.

Shkencat e edukimit dhe globalizmi: një problem kontekstual?

Globalizmi është një nga argumentet më të trajtuara nga studimet bashkëkohore. Këndvështrimi lëkundet ndërmjet sociologjikes dhe ideologjikes, kështu që ky fenomen kulturor, social dhe politik përfundon në ndarjen dogmatike të kujtdo që i afrohet.

Nga njëra anë, kemi këndvështrimin optimist, i cili bazohet në idenë që modeli ekonomik që e mbështet, është më i miri i mundshëm, në vazhdimësinë e një mentaliteti konservator deri diku bazuar në sintezën neo-koloniale.

Nga ana tjetër, këndvështrimi, i cili dënon themelet ekonomike dhe efektet socio-politike dhe kulturore, në vazhdimësinë e një sjelljeje progresiste, të një ekonomie të bazuar në norma dhe rregulla të mbrojtjes së të drejtave themelore të individëve dhe të popujve, dhe mbi të gjitha të më të dobtëve.

Në këtë kontekst, shkencat e edukimit nuk janë prezente. Pse ndodh kjo?

Do të ishte e pakuptimtë, për të mos thënë dëmtuese, t’i apelohemi principeve si liria dhe barazia për të sqaruar rolin e shkencave të edukimit. Efektivisht, kjo e fundit duke kontribuar në ndjekjen sistematike të objektit të saj, domethënë edukimin, kontribuon në arritjen dhe realizimin e këtyre principeve.

Në fakt, duhet të ndërgjegjësohemi që jemi në një fazë globalizimi të shumëfishtë, jo vetëm në atë ekonomik, por edhe atë social e kulturor. Pra jemi përpara tipeve të ndryshëm të globalizmit, të cilët kanë vështirësi të komunikojnë dhe të integrohen ndërmjet tyre. E si rrjedhojë, shkencat e edukimit, jo vetëm nuk merren parasysh në analizat e shumta që i bëhen fenomenit, por edhe vetë pedagogjistët shpeshherë përfundojnë duke iu nënshtruar studimeve sociologjike e nga ana tjetër mundohen në krijimin e modeleve të reja didaktike për një realitet aktual, megjithëse shpeshherë nuk pajtohen me principet frymëzuese të këtij modeli, siç thotë edhe Genovesi në librin e tij mbi globalizmin, “globalizmi nuk mund të jetë vetëm një çështje ekonomike”.

Për të mos u ndalur shumë në të gjitha kuptimet e larmishme që i kanë dhënë dhe i jepen këtij termi, do të doja të ndalesha tek një faktor themelor, i cili është parë me shumë rëndësi, siç është teknologjia e komunikimit. Kjo e fundit ka ardhur gjithnjë e më shumë duke u kthyer në një fenomen të zakonshëm dhe duke i kthyer individët në një komunikim të pakomunikueshëm, siç demonstrohet nga ndarja e thellë e komunikimit ndërmjet studentëve, i strukturuar sipas parametrave të teknologjisë të komunikimit dhe komunikimit shkollor, i cili vazhdon t’i përmbahet parametrave linearë të kodit alfabetik.

E lënë në funksionin e saj teknologjia ka vetëm një objektiv, të zmadhojë vetveten. Nuk duhet harruar që funksionaliteti impenjon individët deri në fund të forcave të tyre, derisa për ta bëhet e pamundur të kuptojnë efiçencën dhe rolin e zhvillimit teknologjik. Zhvillimi i rëndësishëm teknologjik, i cili ka përcaktuar, midis të tjerash, përhapjen rrënjësore dhe të pafund të dijeve, të fenomenit të globalizmit ka një influencë direkte dhe imediate tek mënyra e të qenit dhe të menduarit të individit bashkëkohor, domethënë mbi ndërgjegjen e tij, mbi ndjenjat, mbi perceptimin e tij, të vlerave morale dhe të botës. Për të bërë këtë është e nevojshme të kemi prezencë të vazhdueshme dhe kompetencë specifike, e cila sigurisht nuk mjafton, por duhet edhe edukim kritik, në mënyrë që prezenca dhe kompetenca të mos ushqejnë vetëm teknologjinë, e cila në këtë rast vetëm do të shkatërronte gjithçka.

Një komunitet i dobësuar dhe i papërgatitur për t’i bërë ballë dy impenjimeve, nuk është i aftë të përmbushë një impenjim të tretë shumë të rëndësishëm, atë të një edukimi kritik.

Një humbje e tillë energjish intelektuale që dëmtojnë sistemin shkollor dhe sistemin edukativ, duke privuar edukimin nga njohja dhe kompetenca për të arritur objektivat e domosdoshëm, nuk është globalizim, por vetëm një interpretim i shtrembër i fenomenit teknik, ekonomik, politik dhe social. Siç thoshte Kant, “gjithçka që ndalon vetëm tek fenomenet nuk mund të krijojë shkencë”. Në këtë rast nuk do të flisnim më për globalizim, por për teknologjizim.

Mendoj që globalizmi si ideal që tenton të përfshijë të gjithë, në princip, për të marrë pjesë në krijimin e çdo të mire dhe akoma më mirë, në të drejtën për të shfrytëzuar këtë të mirë, është objekti i vetë pedagogjisë, pikërisht sepse është shkenca e edukimit që e ka krijuar, i ndërtuar si një shprehi teorike që justifikon të ekzistuarit e vetë pedagogjisë.

Duke e sintetizuar në terma të tjerë, pedagogjia dhe shkolla, në kuptimin e një koncepti si realitete abstrakte, nuk mund të ndryshojnë dhe nuk ndjejnë në asnjë lloj forme peshën e prezencës të globalizmit. Esenca dhe objektivi final i shkencës së edukimit dhe i shkollës do të jenë gjithmonë të njëjtat, ndërkohë që do të ndryshojnë hap pas hapi mënyrat e arritjes së tyre. Ajo që i mungon sistemit tonë edukativ është një mësimdhënie dedikuar epokës “globale” në të cilën ne jetojmë; të ndërgjegjësohesh për këtë epokë është një nevojë e madhe qoftë edhe me vështirësitë që sjell kuptimi dhe mirëkuptimi i saj. E parë nga ky këndvështrim, qenia ose jo e fenomenit globalizues, në mënyrën e të kuptuarit ka një influencë shumë të madhe përkundrejt pedagogjisë dhe shkollës.

Nuk duhet harruar që shkenca dhe çfarëdo lloj aktiviteti tjetër që sjell dije dhe kompetencë, do të kenë gjithmonë të bëjnë me individin, si i tillë. Nëse teknologjia do të fitonte supremacinë, shkenca e edukimit, ashtu si të gjitha shkencat e tjera do të zhdukeshin, ashtu siç edhe shkolla në tërësinë e saj, pasi do të kenë humbur kuptimin e papërshkueshmërisë metodologjike në çfarëdolloj shoqërie. Shkenca është shkencë, pavarësisht nga shoqëria në të cilën lind dhe zhvillohet, megjithëse mënyra e zhvillimit varet nga instrumentet teknikë dhe strategjitë konceptuale prezente në një shoqëri të caktuar.

Besoj se nuk duhet harruar ky aspekt, i vetmi, i cili mund të na drejtojë në mënyrë të sigurt në rrugën që duhet të ndjekë çdo shkencëtar në përgjithësi, shkencëtarët në edukim dhe mësuesit, në veçanti.

Pedagogjia dhe shkolla nuk ndryshojnë në funksion të globalizimit. Pikërisht duke mbajtur të fiksuar objektivat e tyre, ato janë të dobishëm për përmirësimin e cilësisë së jetës. Kështu, nga globalizimi si një proces kompleks në kompleksitetin e edukimit dhe si përfundim nga procesi edukativ i parë si labirint, mund të sintetizojmë dhe krijojmë pamjen e re të shoqërisë njerëzore, ku nga njeriu festivus sipas Mumford dhe njeriu faber, tipik i traditës perëndimore, mund të shtohet njeriu aeternus adule scens, si krijues i qasjeve ekzistenciale, i eksperiencave gjithmonë të reja, i kujdesshëm ndaj asaj që e rrethon, por gjithashtu edhe i prirur të sfidojë rrugët e të panjohurës.

Dilemat e arsimit të mesëm profesional

Përgjatë dy dekadave të fundit, shpeshherë është tentuar të ndërhyhet për përmirësimin e cilësisë së arsimit të mesëm profesional nga ana e qeverive të ndryshme në vendin tonë. Është ndërhyrë në legjislacion, në politika strategjike afatmesme dhe afatgjata, por në asnjë rast nuk është arritur të gjendet zgjidhja e duhur dhe një projeksion i qartë në lidhje me ecurinë e arsimit të mesëm profesional. Kjo si pasojë e shumë të panjohurave dhe sigurisht e një kërkese të tregut gjithmonë e në rritje dhe në zhvillim. Arsimi i mesëm profesional, aktualisht në vendin tonë, gjendet në një dilemë universale: të ekzistojë, duke formuar individë të cilët nuk i përshtaten dot nevojave të tregut të punës, apo, të pushojë së ekzistuari duke krijuar një vakum marramendës në lidhje me nevojat aktuale që shoqëria jonë ka në të përditshmen?

Normalisht nuk kemi nevojë të shpikim diçka që funksionon më së miri në vendet e zhvilluara që na rrethojnë në kontinentin tonë të dashur. Është e nevojshme vetëm, që, idetë dhe praktikat e tyre të suksesshme t’i përshtasim dhe t’i implementojmë. Aktualisht, nuk mund të vazhdojmë më me idenë e një arsimi parauniversitar të copëzuar dhe të përshtatur për të plotësuar nevojat akute të momentit, është e nevojshme për të menduar për një koncept më afatgjatë dhe sigurisht më shpresëdhënës se në të kaluarën. Arsimi parauniversitar dhe sidomos ai i mesëm, duhet të marrë vëmendjen e merituar, që në një farë mënyre i ka munguar, pasi vetëm duke rritur cilësinë e tij mund të kemi në të ardhmen individë të formuar plotësisht, të aftë për t’iu përgjigjur nevojave të tyre personale dhe sigurisht tregut të punës përkatës. Është diskutuar shpesh në lidhje me arsimin e lartë, duke lënë mënjanë dhe duke harruar, rëndësinë që ka për një shoqëri si kjo e jona, arsimi parauniversitar dhe në veçanti arsimi i mesëm profesional. Por çfarë mund të bëjmë në kushtet aktuale?

E thjeshtë, të përshtatemi me përvojat e suksesshme europiane dhe të punojmë seriozisht për të përmirësuar strategjitë për të ardhmen. Ka ardhur koha që, kur flasim për arsimin, nuk mund ta ndajmë më në kategori të ndryshme mbi bazë rëndësie të momentit, pasi arsimi në tërësi është thelbësor për të pasur individë të shëndoshë mendërisht, por edhe të aftë për të përballuar sfidat aktuale, të cilat do të jenë edhe më të ndjeshme në të ardhmen. Është e patjetërsueshme që duhet të shkëputemi përfundimisht nga e shkuara, jo vetëm në mënyrë mekanike, por sidomos në mendësi. Nuk mund dhe nuk duhet të kemi një sistem arsimor të mesëm profesional, i cili nuk arrin të plotësojë vetveten si i tillë në epokën aktuale, në të cilën jetojmë. Duke ditur nevojat aktuale të individit dhe të shoqërisë, luhatshmërinë dhe konceptualitetin e tregut, arsimi i mesëm gjendet përpara një sfide ekzistenciale, ndërmjet nevojës dhe përshtatshmërisë. Aktualisht arsimi i mesëm profesional, në gjendjen në të cilën ndodhet nuk është as i nevojshëm dhe as i përshtatshëm për vendin tonë. Nëse duam që të integrohemi në botën që na rrethon, ndryshimet duhet të jenë të qarta dhe radikale.

Së pari, arsimi i mesëm duhet të jetë universal, domethënë një integrim i shkollave të mesme të përgjithshme me shkollat e mesme profesionale, për një ndërthurje më pozitive të praktikës dhe teorisë. Pasi kjo shoqëri ka nevojë për individë të formuar në tërësinë e tyre dhe jo vetëm për gjysma individësh të aftë vetëm në një drejtim.

Së dyti, arsimi i mesëm duhet të jetë i detyrueshëm për të gjithë. Situata aktuale botërore ka nxjerrë në pah domosdoshmërinë e të paturit të një niveli më të lartë kulture të përgjithshme, e cila nuk mund të mbetet thjesht virtyt i zgjedhjeve personale të individëve.

Së treti, është i nevojshëm shtimi i viteve të studimit, nga tre që është aktualisht në pesë vjet për arsimin e mesëm. Është e pamundur të shpresohet për një shoqëri më të shkolluar dhe më humane, nëse pikërisht në moshën kur individi ka më shumë nevojë për një formim të gjithanshëm dhe më të plotë, të lihet i cunguar dhe i pashpresë, duke i ofruar vetëm një pjesë të asaj që i nevojitet.

E ardhmja është duke ndodhur! Ne si shoqëri duhet vetëm të bëhemi pjesë e saj. Jo duke shpikur, është e mjaftueshme që të përshtatemi në mënyrë aktive duke shpresuar që kemi arritur pjekurinë e nevojshme për një hap të tillë.

Domethënë duhet shkuar drejt një shkolle të mesme universale ku të ndërthuret nevoja për prakticitet me nevojën për teori, për të bërë të mundur formimin e plotë të individit të ardhshëm./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH