Fundjavë e suksesshme për disa prej futbollistëve shqiptarë në kampionate të ndryshme të Europës.
Myrto Uzuni shënoi për Granadën në Ligën e Dytë Spanjolle, mirëpo skuadra e tij u mund më pas me përmbysje 2-1 nga Almeria në transfertë, në një ndeshje të rëndësishme.
Në planin personal, ishte një gol i rëndësishëm për sulmuesin nga Berati, pasi barazoi rekordin e El Arabi si golashënuesit më të mirë në historinë e Granadës, me 44 realizime secili.
Në këtë edicion, Uzuni ka shënuar 9 herë në Ligën e Dytë dhe po garon me Suarezin e Almerias për Këpucën e Artë. Ajo që bëri përshtypje në festimin e golit të Uzunit ishte shprehja: “Këtu jam unë” dhe një ofendim në gjuhën shqipe, por nuk dihet se kujt i drejtohej ky inat.
Vazhdon të shënojë rregullisht në Rusi edhe Mirlind Daku. Rubin Kazan, ku luajnë edhe shqiptarët Marvin Çuni, Shaban Haxhaj dhe Daku, tronditi CSKA-n e Moskës, teksa vendasit siguruan një pikë ndaj Rubin Kazan vetëm përmes një goli të shënuar në minutën e 96-të. Goli i parë i ndeshjes ishte tërësisht kuqezi, Shaban Haxhaj asistoi dhe Mirlind Daku realizoi.
Në 16 ndeshje, Daku ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë 4 asiste në kampionatin rus.
Paraqitje e mrekullueshme edhe nga Anis Mehmeti në Championship-in e Anglisë. Futbollisti i grumbulluar disa herë me kombëtaren realizoi dy gola për Bristol City në fitoren 4-0 kundër Plymouth-it.
Të dy golat u shënuan brenda 8 minutash, në mesin e pjesës së dytë, ndërsa i dyti ishte një realizim i një klasi të lartë.