
Thiago Motta do të shkarkohet nga detyra si trajner i Juventusit. Në raportimet e tyre, mediat italiane e japin të sigurt largimin e italo-brazilianit nga stoli.
Në krye të bardhezinjve pritet të emërohet Igor Tudor, ish-lojtari i famshëm i skuadrës, që do të mbajë detyrën deri në fund të sezonit.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Tudor ka pranuar ofertën eklubit dhe do të paraqitet në Torino për të formalizuar marrëveshjen. Juventusi ende nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për të mohuar ndryshimin në stol.
Vendimi ka ardhur pas sezonit zhgënjyes, dështimit në Champions me eliminimin nga PSV, por mbi të gjitha pas shtatë golave të pësuar në dy humbjet e fundit me Atalantën dhe Fiorentinën.
Momentalisht ekipi është në vendin e pestë dhe rrezikon të mbetet jashtë Champions-it për edicionin e ri. Kjo do të ishte një goditje e madhe financiare, duke patur parasysh që largimi i trajnerit Motta mund t’i kushtojë klubit rreth 20 milionë euro.
I afruar nga Bolonja në fillim të sezonit, tekniku kishte kontratë deri në vitin 2027, nga e cila përfitonte 4 milionë euro neto në sezon. Kostove u shtohen edhe pagat dhe shpenzimet për pjesëtarët e tjerë të stafit teknik.