
Mbi 11 vite pas aksidentit tragjik të Michael Schumacher në ski, të afërmit dhe familja e tij vazhdojnë të ofrojnë informacion të kufizuar për gjendjen e legjendës së Formula 1. Felix Gorner, një gazetar i njohur gjerman, i cili ka pasur një lidhje të ngushtë me Schumacher gjatë gjithë karrierës së tij, ei përshkroi situatën si “shumë të trishtueshme”.
Ai theksoi se Schumacher ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe është plotësisht i varur nga ata që kujdesen për të.
Pas aksidentit të tij në dhjetor 2013 në Meribel, ku ai pësoi një dëmtim të rëndë në kokë dhe hemorragji cerebrale, Schumacher nuk është parë më në publik. Informacionet për gjendjen e tij janë të kufizuara dhe shpesh të kontrolluara. Gorner konfirmoi se Michael Schumacher “nuk mund të komunikojë më verbalisht”, një informacion që ka qarkulluar prej kohësh, duke pasur parasysh se në vitin 2021 djali i tij, Mick, kishte folur për vështirësitë që kishte në komunikimin me të atin.
Ai gjithashtu përmendi se vetëm një rreth i ngushtë miqsh dhe familjarësh mund të shohin Schumacherin. “Aktualisht, maksimumi 20 persona mund ta takojnë dhe të jenë pranë tij. Familja e tij ka mbajtur gjithmonë një strategji të fortë për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e tij,” shtoi Gorner.
Mes atyre që kanë mundësinë të vizitojnë Schumacherin është Jean Todt, ish-drejtor i Ferrarit dhe ish-president i FIA-së. Todt ka theksuar se, përveç lidhjes profesionale, miqësia e tij me Schumacherin është një pjesë e jetës së tij dhe vazhdon të qëndrojë e fortë, duke vizituar rregullisht familjen e legjendës të Formula 1.