
Thomas Müller, një nga figurat më emblematike të Bayern Munich, mund të luajë sezonin e tij të fundit me klubin bavarez. Drejtuesit e ekipit kanë vendosur ta largojnë, duke e konsideruar pagën e tij të lartë një barrë financiare për klubin.
Müller, i cili iu bashkua Bayernit që në moshën 11-vjeçare dhe nuk është larguar kurrë prej atëherë, duket se po i afrohet fundit të karrierës së tij si futbollist i skuadrës ku realizoi ëndrrat. Prej kohësh ai nuk është më një titullar i padiskutueshëm, dhe këtë sezon paraqitjet e tij kanë qenë sporadike. Për këtë arsye, largimi i tij nga Bayern në fund të sezonit duket i pashmangshëm.
Trajneri Vincent Kompany dhe drejtuesit e klubit i kanë bërë të qartë 35-vjeçarit se duhet të luftojë për një vend në formacionin titullar. Në të kundërt, paga e tij prej 17 milionë eurosh në sezon është konsideruar shumë e lartë për një lojtar që qëndron kryesisht në stol. Nëse ai dëshiron të qëndrojë, një ulje drastike e pagës është e vetmja alternativë.
Müller iu bashkua ekipit të parë të Bayernit në vitin 2008 dhe ka qenë një nga lojtarët më të suksesshëm në historinë e klubit, duke fituar 2 trofe të Champions League, 12 tituj të Bundesligës dhe 6 Kupa të Gjermanisë. Në fund të këtij sezoni, ai mund të shtojë edhe një tjetër titull kampioni në koleksionin e tij, përpara se të mbyllë një rrugëtim që ka zgjatur gati tre dekada.