Pas akuzave serioze të bëra një ditë më parë nga shkolla e futbollit “Pro Prishtina”, se një lojtar i mitur ishte kërcënuar gjatë një ndeshjeje, ka ardhur një reagim i menjëhershëm nga klubi Lipjani 01.
“Pro Prishtina” kishte pretenduar se gjatë një ndeshjeje mes grupeve U13 B dhe U15 B kundër FC Lipjanit, një lojtar i tyre 11-vjeçar ishte sharë, ofenduar dhe kërcënuar për vrasje nga tifozët vendas. Kjo deklaratë u publikua në rrjetet sociale dhe u përhap me shpejtësi.
Por situata mori tjetër rrjedhë. Sot, përmes një deklarate për Klan Kosovën, klubi Lipjani 01 e mohoi kategorikisht këtë akuzë, duke e cilësuar si të pavërtetë dhe tepër të rëndë. Ata bënë me dije se rasti është paraqitur edhe në Polici, me qëllim që të pastrohet imazhi i klubit dhe të sqarohet e vërteta.
Nga ana tjetër, “Pro Prishtina” është tërhequr nga deklarata e tyre fillestare. Ata kanë pranuar për Klanin se reagimi ishte bërë nën afekt, dhe se situata nuk ishte ashtu siç ishte paraqitur fillimisht. Madje, postimi i bërë në rrjetet sociale është fshirë, dhe është kërkuar falje ndaj trajnerëve të klubit Lipjani 01.
Klubi nga Lipjani u shpreh se nuk ka pasur asnjë lloj kërcënimi, e aq më pak ndaj një fëmije, dhe kërkoi që në raste të tilla të bëhet kujdes me deklaratat publike, pasi ato mund të dëmtojnë padrejtësisht reputacionin e një klubi sportiv që punon me të rinjtë.