Në sfondin e një lufte të ashpër tregtare mes SHBA-së dhe Kinës, me tarifa që kanë arritur në 145% dhe 125% përkatësisht, një valë e re zbulimesh ka tronditur rrjetet sociale: prodhuesit kinezë po flasin hapur për mënyrën se si markat më të mëdha luksoze të botës prodhojnë mallrat e tyre në Kinë për një pjesë të vogël të çmimit që konsumatorët paguajnë.
Në një video që është bërë virale, një sipërmarrës kinez, pronar i një fabrike OEM (Original Equipment Manufacturer) të produkteve luksoze, shpjegon qartë: çanta Birkin, e cila shitet për 38,000 dollarë, kushton vetëm 1,400 dollarë për t’u prodhuar.
Ai liston gjithçka që përfshin kostoja – lëkura e klasit të lartë, fijet e qëndrueshme, zinxhirët, vajrat e skajeve, astari i brendshëm, paketimi dhe forca punëtore – dhe arrin në përfundimin se mbi 90% e çmimit paguhet vetëm për logon.
Sipas tij, për më shumë se 30 vite, fabrika e tij ka prodhuar për marka si Gucci, Prada, Coach, Louis Vuitton, ndërsa një tjetër video zbulon prodhim për Chanel, Estee Lauder, L’Oréal, Bobbi Brown, MAC, Shu Uemura, dhe La Prairie.
Një tjetër grua tregon se fabrika kineze FJF Group prodhon për Nike, Pou Chen Group për Adidas, HengLong Group për UGG, dhe Shengtai Group për FILA.
Ndërkohë, YaTing, CEO e një grupi konsulence në Kinë, përmend një listë të markave që prodhojnë mallra në Kinë:
Ralph Lauren, Armani, Dior, Lululemon, Apple, Michael Kors, Coach, Calvin Klein, Celine, Swarovski, The North Face, Rimowa, Levi’s, Burberry, Versace, Chanel, Cartier, Ferragamo, Timberland, YSL, Victoria’s Secret, Puma, Disney, Max Mara, DKNY, Givenchy.
Sipas saj, kostoja e prodhimit është rreth 1/10 e çmimit përfundimtar të shitjes.
Pronari i fabrikës shpjegon se disa marka kanë tentuar të zhvendosin prodhimin në SHBA, por janë përballur me dështime. Arsyeja?
“Nuk ka kualitet, nuk ka mjeshtëri, punëtorët janë të shtrenjtë apo dembelë dhe mungon zinxhiri i furnizimit,” – thotë ai. “Në fund, ata gjithmonë kthehen te ne.”
Dhe në një thirrje të drejtpërdrejtë për konsumatorët:
“Pse nuk blini direkt nga ne? Nuk do ta besoni çmimin që do t’ju japim.”
Zbulimet kanë ndezur debate në rrjete sociale rreth vlerës reale të luksit, transparencës së markave dhe natyrisht, manipulimit të konsumatorit përmes marketingut të brandit.
Kjo nuk është hera e parë që prodhuesit në Kinë zbulojnë prapaskenat e industrisë së modës dhe bukurisë, por kjo valë e fundit deklaratash shkon përtej thashethemeve – është një sfidë e hapur ndaj industrisë shumë-miliardëshe të luksit, e cila vazhdon të fshehë origjinën e produkteve të saj pas etiketimeve glamuroze.
Ndërsa Kina e ka quajtur qëndrimin amerikan si “bulizëm unilateral”, ajo po u bën thirrje vendeve si Bashkimi Europian dhe Vietnami të bashkohen për të kundërshtuar tarifat e Trump. Por në prapaskenë, një tjetër betejë po zhvillohet: ajo për transparencë dhe ndershmëri në tregtinë globale.
Sepse ndoshta nuk është vetëm një çantë që kushton 38,000 dollarë – është një realitet i fshehur që konsumatorët kanë të drejtë ta njohin.