Letërsi

Promovimi i librit të Eni Vasilit/ Nevila Nika rrëfen takimin e parë me Kadarenë: Solli në Arkivë dorëshkrimin e ndaluar nga regjimi

Shkruar nga Liberale

Promovimi i librit të Eni Vasilit/ Nevila Nika rrëfen takimin e

Profesorja e Universitetit Europian të Tiranës, Nevila Nika tregoi gjatë promovimit në Kryeministri të librit të gazetares Eni Vasili, botim i UET Press, takimin e parë me shkrimtarin Ismail Kadare.

E kishte parë më parë në vendin e punës së nënës së saj, kur Kadare vinte për të marrë librat që porosiste, por kontaktin e parë do ta kishte gjatë kohës që punontë në Arkivin Qendror të Shtetit, kur shkrimtari shkoi për të dorëzuar dorëshkrimin e pabotuar nga regjimi, “Qyteti pa reklama”, një gjë e rrallë dhe e pabesueshme kjo sipas Nikës.

“Unë ia kam thënë edhe në takimin që patëm. Kisha një kënaqësi  të jashtëzakonshme që shikoja dikë që sillte fëmijën e vet dhe na e dorëzonte neve. Na e dorëzoi ne dorëshkrimin “Qyteti pa reklama”. Ishte hera e parë që isha në një ceremoni të tillë, të pabesueshme. Pse të pabesueshme? Arkivi Qendror Shtetëror në Tiranë është i mbushur me dokumente, monumente kulture, krijimtari të njerëzve që nuk jetonin më, të njerëzve të persekutuar, të njerëzve të larguar për motive politike. Iu janë marrë në shtëpi dhe u futën në arkivë. Ne i lexonim por nuk dinim për fatin e këtyre personazheve. Asnjëri nuk i kishte dorëzuar vetë, të gjithvë ua kishin marrë me forcë”, tregoi Nika, duke shtuar se kjo ishte një ndihmë e jashtëzakonshme, prandaj edhe drejtori i Përgjithshëm i Arkivave në atë kohë, Shaban Sinani, organizoi një ceremoni për dorëzimin e dokumentit.

Libri “Qyteti pa reklama” u botua për herë të parë në 2001, edhe pse cilësohet si një nga romanet e parë të Kadaresë. Ai e shkroi atë në vitin 1959, në moshën 23-vjeçare, kur ishte student në Institutin “Gorki” në Moskë. Deri atëherë kishte shkruar tregime, por jo një roman.

Po pse regjimi e ndaloi botimin e tij? Libri shpalos disa fenomene e ngjarje që asesi nuk i shkonin përshtat imazhit dhe propagandës së sistemit. Personazhi kryesor i librit është Gjoni, i cili pas mbarimit të studimeve do të dërgohet në një qytet provincial si mësues gjimnazi. Për t’u kthyer në kryeqytet ai do të shohë fillimisht si zgjedhje falsifikimin e një dokumenti, në bashkëpunim me miqtë e tij, ku tregohej se shqipja ishte shkruar që në 1387 në dialektin e tokërishtes.

Gjithashtu, ky libër na njeh me shumë realitete, ndjenja të pathëna apo të fshehura nga mentaliteti i kohës, që mesa duket vrulli djaloshar i Kadaresë nuk mund t’i mbante për vete. Ose ndoshta as ai vetë nuk e dinte atëherë se gërshëra e regjimit do të prekte krijimtarinë e shkrimtarëve dhe artistëve.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH