Nga fjala në ceremoninë e marrjes se çmimit special “Kadare” në dhjetëvjetorin e këtij çmimi të UET PRESS
Jam shumë i lumtur të më jepet çmimi special “Kadare” për përmbledhjen lme poezi të zgjedhura “Ne çdo pasqyrë na sheh mëkati”( 1984-2024) . Falenderoj nga zemra jurinë, kryetaren e saj, shkrimtaren e adhuruar, Vera Bekteshi. Një falenderim të veçantë për Henri Çilin, themeluesin e këtij çmimi prestixhioz, tashmë dhjetëvjeçar, më i madhi mes çmimeve letrare që jepen në vendin tonë nga institucione private dhe publike, siç është, fjala vjen, Ministria e Kulturës.
Ky libër i librave të mi poetikë nuk mund të kishte një nderim më të madh, pas parathënies shteruese të studiuesit Gëzim Bashës, pedagog në Universitetin e Wiskonsin në SHBA, të cilit i shpreh admirimin dhe mirënjohjen time të thellë.
Perse shkruaj? Çfarë është sipas meje poezia, përse ekziston dhe do të ekzistojë ajo sa të ketë jetë njerëzore në tokë?
Do të kisha provuar, siç është zakoni, të jepja ndonjë përgjigje nga përvoja ime për këto pyetje.
Por, siç u tha nga parafolësit, rasti na fton ta shndërrojmë ketë ngjarje në një homazh për Ismail Kadarenë, duke treguar dëshmi të takimeve me të.
Si gjithë shkrimtarët e mëdhenj, fati i të cilëve është vetmia, Kadare na ka pasë mësuar ta shihnim rrallë, të ishte prani në mungesë. Kjo nuk ka qenë ndonjëherë shqetësuese për dishepujt e tij në Shqipëri, tek e dinim se jetonte në Tiranë, në Paris, në botë dhe do ta shihnim në mos një ditë një tjetër në kafenetë e tij të preferuara, në shëtitje, në një emision, në një intervistë, në një ngjarje letrare.
Ndarja e tij nga jeta në 1 korrik të këtij viti na privoi përgjithmonë nga ky raport që na tregon aposteriori të ketë qenë një luks për ne. E përjetojmë të tillë tani që ikja e tij pa kthim e ka varfëruar tmerrësisht shumë vendin tonë.
E konsideroj privilegj të kem qenë bashkëkohës i tij, ta njihja për fytyrë, ta dija si e kishte zërin, ta shihja si vishej, si e kishte pamjen, si ecte; ta dëgjoja duke folur, ta kem takuar, të kem biseduar me të, të lexoja pa i ikur era e bojës së shkrimit veprën e tij të radhës, të rrallën gjë shqiptare që na përfshinte në lartësitë botërore të letersisë, të parrokshme në nivele të tilla nga verbi dhe gjuha jonë para së të vinte ai.
Letrar i ri në kohën kur Kadare po ngjiste shkallët e shkëlqimit dhe lavdisë, kam qenë i shtyrë së brendshmi të qëndroja në një distancë adhurimi me të edhe po të më jepej rasti ta takoja. Në vitin 1976 poeti i ri plot talent Rudolf Marku, që po shfaqej si ikonoklast i dogmave letrare të kohës, më solli në Manati të Lezhës, ku po bëja stazhin e pasmbarimit të shkollës së mesme, librin e ri poetik të Kadaresë me titullin “Koha”. U ndalëm të dy nën degët e një plepi, binte shi me riga që rrëshqisnin nga gjethet e zverdhura dhe na binin në flokë, në fytyra, në qafë; e shfletonim librin duke e mbrojtur me xhaketat që kishim veshur, ndaleshim te poezitë që kishte shënuar Rudolfi, të cilat i lexonte me zë. Nuk i harroj kurrë vargjet “Përmbi tokë qiejt e dimrit/mbartin kryqe dhe rrasa resh/ Si xhevahire të vjedhur nga vetvetja/ i skuqin botës qytetet e mëdhenj”. Rigat e llagarta të shiut, stoli të festës sonë, e tregonin më mirë se asgjë efektin e një figuracioni poetik kaq të fuqishëm e novator. E sjell në vëmendje këtë episod për një arsye të thjeshtë, që mund të jetë e ndërlikuar gjithashtu: shiu i kristaltë i asaj dite do të bëhej një element i pandashëm i përfshirjes sime kokë e këmbë, siç thuhet, në leximin e gjithçkaje që kishte shkruar e shkruante Kadareja.
Do t’i kapercej në këtë fjalë qëndrimin dhe bisedën time të parë të gjatë me të në muajin shtator të vitit 1990, pak para se të merrte rrugën e radhës për në Francë, prej nga do të deklaronte moskthimin në Shqipërinë komuniste të kohës dhe takimet e paharruara pesë muaj me vonë në Paris në 23 dhe 24 shkurt të vitit 1991, ku mund të them se në mos i pari shqiptar nga Shqipëria, isha i pari nga themeluesit e Partisë së re Demokratike dhe gazetës opozitare “Rilindja Demokratike” që po takohesha me Kadarenë në statusin e tij të azilantit politik. Për këto dhe takime te tjera të atyre viteve kam shkruar me hollësi në librin tim publicistik “ Fillimet”, botim i UET PRESS në vitin 2015.
Po ndalem në këtë fluturim në një takim të veçantë në një konferencë të shkrimtarëve të Ballkanit në Delfi të Greqisë, në vitin 1993. Kadare erdhi atje nga Parisi. U prit dhe shkëlqeu si ylli i konferencës. Në mbrëmje deri vonë pas darke u ulëm në një bar, ai më pyeti për librin e tij më të fundit me ese “Pesha e kryqit”, që nuk kishte qarkulluar ende në Shqipëri por mua ma kishte dhënë vëllai i tij, Shahini. Sigurisht që më kishte pëlqyer shumë. Kadare nuk dinte të shkruante veçse bukur. Sa për shkak të intimitetit të bisedës në natën e Delfit mijëravjeçar të orakullit, apo duke u ndier kaq larg nga korridat toksike të Tiranës, ku profecia e tij e shpërthimit të gjirizve po ndodhte tashmë, nuk lashë pa ia thënë ndershmërisht mendimin tim se nuk kishte nevojë të shpjegonte me kaq impenjim veprën e tij, duke rrezikuar të harxhonte shumë kohë dhe energji të panevojshme në një spirale të diktuar nga baltëhedhësit dhe mohuesit e tij, shumica pa vepër e anonimë, çfarë mendoja se ishte edhe një kurth për ta shvendosur nga timoni i kreativitetit letrar. Kisha lexuar ato ditë librin autobiografik të Pablo Nerudës, “Po ju them se kam jetuar”, më kishte impresionuar e bindur distancimi i tij dramatik, i çiltër dhe shumë i besueshëm nga komunizmi i zbatuar, duke vajtuar ndarjen nga një utopi të cilën e kishte besuar. Isha në influencën e këtij shembulli të përballjes me dështimin e utopisë, por mendimet e mia ndeshën në kundërshtimin e Kadaresë, tek theksoi se ai nuk kishte besuar kurrë te komunizmi, çfarë më la ndjesinë e një pakujdesie të taktit nga ana ime. Nga ajo kohë, u riktheva në strehën e adhurimit të tij në distancë, një zgjedhje instiktive e përzier me arsyetim kundër rrezikut për të mos u rritur nën hijen e personalitetit të tij prej patriarku dhe, më tej, për te ndjekur në poezi tragën time të një suksesi alternativ me të tijën.
Vazhdoj ta ndiej e përjetoj në formën e një çrregullimi varfërinë që ka lënë pas shuarja e tij fizike. Është akoma e freskët, në fazën kur vdekja që e mori sikur pozon me fytyrën e tij pa jetë duke u argëtuar me dëshpërimin tonë.
Por koha do ta përtretë shpejt vdekjen e tij fizike, Kadare do të jetë përgjithmonë shpirti dhe ylli i epokës sonë në përjetësi, bileta e artë e njohjes dhe krediti i madh falas për çdo shkrimtar shqiptar që do të synojë të bëhet i njohur jashtë vendit, lavdia e shqipes në gjuhët e botës.
Para pak muajsh botuesi Bujar Hudhri më dërgoj një fotografi të Kadaresë duke lexuar në një kafene disa poezi të miat të botuara në gazetën letrare “ExLibris”. Nuk e kam ditur kurrë a më ka lexuar dhe çfarë ka menduar për poezinë time. Adhurimi im për veprën e tij nuk ka bubërruar kurrë në kërshëri të kësaj natyre. Aq më shumë duke pasë pjekur me kalimin e kohës një mendim të ri për kuotat e avancuara të poezisë shqipe bashkëkohore, e cila e ka ngushtuar si asnjëhere tjeter në histori distancën me poezinè që shkruhet e lexohet në kohë reale në botë.
Duke kujtuar atë foto sonte, në këtë përvjetor të çmimit që mori në të gjallë dhe do të vijojë ta mbajë përgjithmonë emrin e tij, nga forca e dëshirës, më vjen ta shoh Kadarenë me sytë e mendjes tek ngre paksa kokën nga gazeta dhe më përcjell një salutim mbushur me kuptime.
/Liberale.al/