Letërsi

INTERVISTA për Liberale.al/ Keqpërdorimi dhe deformimi i Gjuhës Shqipe, Mehmet Elezi: E keqja nis nga elita, që flet çorbërisht!

Shkruar nga Aulona Menalla
INTERVISTA për Liberale.al/ Keqpërdorimi dhe deformimi i Gjuhës

 

Nga Aulona Mënalla

Gjuhëtari, shkrimtari dhe publicisti Mehmet Elezi ka sjellë në treg Botimin e 5-të të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, me 41.000 fjalë, që sipas autorit nuk gjenden në fjalorët e Akademisë së Shkencave.

Globalizmi, si çdo gjë tjetër, duket se edhe gjuhën e ka vënë përballë sfidës së mbijetesës, veçanërisht  për popuj të cilët nuk kujdesen për mbrojtjen e saj.

Në një intervistë për “Liberale.al”, Mehmet Elezi thotë se gjuhën tonë po e shkatërrojnë përdorimi i shumtë dhe i shpeshtë i fjalëve të huaja të panevojshme dhe po ashtu shtrembërimet në sintaksë e në frazeologji.

“Duket sikur ka një garë të pashpallur kush me e shkatërrue më shumë” - thotë Elezi. Autori flet për nevojën e rishikimit të standardit të gjuhës, reformës gjuhësore dhe flet “për një rishikim serioz të mësimit të gjuhës shqipe në shkolla, duke i dhënë shumë më tepër hapësirë e peshë. Dhe kërkesë llogarie.” Por gjuhëtari i shquar vëren me keqardhje se, “mjerisht pushteti nuk është i interesuar. Është më i përkushtuar për t’i blerë mediet, jo që të mbështesin gjuhën shqipe e vlerat kombëtare, por që ta mbështesin qeverinë” thekson ndër të tjera Mehmet Elezi:


Liberale.al: Zoti Elezi, cilat janë disa nga të rejat që sjell Botimi i 5-të i Fjalorit të Gjuhës Shqipe dhe dallimi i fjalorit, që sapo keni publikuar, me të tjerët?

Mehmet Elezi: Botimi i 5-të është ribotim. Krahasuar me Fjalorët e Akademisë së Shkencave, gjithçka në këtë fjalor ka qenë e re qysh në fillim. Rreth 41.000 fjalë e rreth 54.000 kuptime që gjinden aty, kur doli botimi i parë (2006), nuk i gjeje në asnjë fjalor të Akademisë. Fjalori jep shkurt edhe etimologjinë (prejardhjen e fjalëve), çka nuk e bëjnë fjalorët e Akademisë. Shpjegimin e fjalëve e ilustron me fjalë e shprehje frazeologjike nga veprat e mbi 40 autorëve, që nga Gj. Fishta, A. Pashku. K. Mehmeti deri te I. Kadare; nga Kanuni i Lekë Dukagjnit, Visaret e Kombit e thesare popullore të tjera.

E ilustron gjithashtu me mijëra fjalë të urta, me qindra gjëza, doke, urime, mallkime, paragjykime, bestytni, yshtje, lojë fjalësh, etj. Në fjalorët e Akademisë fjalët shpjegohen vetem prej hartuesve (gjuhëtarëve). Aty mungon mbështetja me shembuj nga autorë e vepra të botuara. Fjalori 2023 përmban lëndë krejt të re dhe shtjellime më të plota.

Liberale: Gjuha Shqipe po deformohet, fatkeqësisht, gjithnjë e më shumë nga keqpërdoruesit e saj me diplomë. Çfarë mund të bëhet më mirë për të parandaluar përdorimin e shpeshtë të fjalëve të huaja pa qenë nevoja, ose pa i mallkuar siç u ka thënë Fishta, “iu thaftë goja!”

Mehmet Elezi: Prishja e gjuhës bie në sy më shumë te fjalët e huaja të panevojshme, por gjuhën po e shkatërrojnë po ashtu shtrembërimet në sintaksë e në frazeologji. Duket sikur ka një garë të pashpallur kush me shkatërrue më shumë. Snobizmi është formë e shfaqjes së kompleksit të inferioritetit. Fillon te pushtetarët, që futin fjalë të huaja pa kurrfarë nevoje, thjesht me na e mbushë mendjen se janë të ditur. Por dija e vërtetë shprehet në njohjen e përdorimin e saktë të gjuhës amtare, jo në shkelmimin e saj. Në librat “Gjuha shqipe në bunker” (kjo sprovë është botuar edhe në Fjalor, në vend të parathënies), “Gjuha shqipe dhe ëndrra e një nate vere”, “Gjuha shqipe me një mushkëri”, “Dritëhije në Fjalorët e Akdemisë” e në disa të tjera jam ndalur hollësisht te këto çështje, jap edhe disa mendime modeste çka mund të bëhet.

Kërkohet dashuri e vlerësim për gjuhën shqipe, e përsëris, vlerësim, të tjerat vijnë vetë pastaj. Masa më e thjeshtë fillon te ajo që quhet elitë: pushtetarët e njerëzit e tjerë të politikës të flasin shqip e jo çorbërisht. Media e intelektualët të flasin e të shkruajnë shqip e jo çorbërisht. Qeveria dhe institucionet akademike të përkushtohen me e ndjeshmue (sensibilizue) pandërprerë shoqërinë. Një bashkëpunim i shtetit e i institucioneve akademike me median, ku dijetarët të shprehen rregullisht, në biseda, në shkrime e në rubrika të rregullta, për nevojën me e mbrojtë gjuhën shqipe, me e pasunue. Me shembuj të prekshëm, që mbeten në mendje. Dhe një rishikim serioz i mësimit të gjuhës shqipe në shkolla, duke i dhënë shumë më tepër hapësirë e peshë. Dhe kërkesë llogarie. Mjerisht pushteti nuk është i interesuar. Është më i përkushtuar për t’i blerë mediat, jo që të mbështesin gjuhën shqipe e vlerat kombëtare, por që ta mbështesin qeverinë.

Liberale.al: A besoni se ka fjalë të shqipes, që janë lënë jashtë fjalorit të parë të Gjuhës Shqipe, me tendencë, siç edhe ka pretendime të kësaj natyre për arsye krahinore?

Mehmet Elezi: Jo besoj, por vërej e tregoj. Vetë ky Fjalor, dëshmon deri në kupë të qiellit. Janë mijëra e mijëra fjalë të bërryluara e të shkelura për shkaqe jogjuhësore. Madje janë të shumta rastet kur gjuha shqipe, në dialektin gegë të saj, për një send, për një cilësi a për një veprim ka disa sinonime, fjalë të pastra shqipe, por ato nuk janë përfshirë nëpër fjalorët zyrtarë. Herë-herë në vend të tyre janë parapëlqyer fjalë me prejardhje sllave, greke, turke. Fjalorët e Akademisë janë hartuar mbi të njëjtat kritere oruelliane, bolshevike e lokaliste, me të cilat u bë edhe standardizimi i gjuhës. Ka gjuhëtarë, politikanë po se po, për të cilët gjuhë shqipe është vetëm ajo që flitet në “fshatin” tim. Domethënë dialekti, nëndialekti ose e folmja e tyre e ngushtë.

Liberale.al: A mendoni edhe ju, siç qarkullojnë prej kohësh disa kritika, se gramatika e sotme zyrtare e Gjuhës Shqipe është diskriminuese ndaj Veriut?

Mehmet Elezi: Një saktësim: jo ndaj Veriut, por ndaj gegnishtes, e cila nuk flitet vetëm në Veri, por flitet edhe në Shqipërinë e Mesme, në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi. Dhe më tej, jo ndaj gegnishtes, por ndaj gjuhës shqipe. Ajo që ju e quani diskriminim nuk e vret thjesht gegnishten. Është goditje për krejt shqipen, të cilën e përbëjnë pasuritë e gegnishtes dhe të toskërishtes, të shkrira në një. Siç e bëjnë zemrën dy barkushet e saj. Për ta bërë më të kapshëm problemin për gjithkënd, diku kam bërë këtë përqasje: nëse dikujt i “kërren” syrin e djathtë ose mushkërinë e djathë, nuk mund të thuash se krimi u bë ndaj syrit të djathtë ose ndaj mushkërisë së djathtë. Krimi u bë ndaj fytyrës, ndaj njeriut, i cili u gjymtua, u la me një sy ose me një mushkëri.

Kthehemi te pyetja juaj. Gramatika po, mjafton të kujtojmë përjashtimin e paskajores, çka e varfëron tej mase aftësinë shprehëse të shqipes. Por problemi është më i gjerë se gramatika. Krejt standardi i gjuhës shqipe është i njëanshëm. Është shpërfillur gjysma e pasurive të saj. Standardi që kemi në përdorim u vendos si përzgjedhje politike. Iu vu bërryli rregullave të drejtshkrimit të përcaktuara nga Komisia Letrare e Shkodrës (1916), u bënë të paqena. Rregullat e Komisisë ishin gjithpërfshirëse. Në themel të tyre ishte elbasanishtja, e hapur për të thithur vlerat e dialektit jugor e të dialektit verior.

Rregullat e Komisisë qenë ngulitur e po konsolidoheshin. Deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore mbi to mbështetej gjuha e administratës, e shkollës, e një pjese të mirë të shtypit. Deri në 1972 zbatoheshin me vendosmëri edhe në Kosovë e në krejt hapësirat shqiptarë në ish-Jugosllavi. Pas vendosjes së regjimit komunist, arritjet u shëmben me vendim politik. Standardizmi i gjuhës shqipe rifilloi nga pika zero, si te Mithi i Sizifit. U bë si në futboll, ku kampionati kombëtar filloi numrimin vetëm “pas çlirimit”. Se futbolli “para çlirimit” s’kishte qenë futboll!

Liberale.al: A ka vend për të korrigjuar Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe të vitit 1972, me qëllim për ta përmirësuar atë? Ose e thënë ndryshe, a mund të ketë vend për diskutime, duke qenë se gjuha jonë është nga të paktat apo të vetmet në Europë që shqipëron emrat e njerëzve të huaj, dhe për rrjedhojë i deformon ato (për shembull Trump-Tramp, Joe-Xho)?

Mehmet Elezi: Në muajin nëntor (2023) kam botuar librin “Kongresi i Drejtshkrimit, një fëmijë i plakur”. Aty argumentohet edhe domosdoshmëria për të reformuar vendimet e atij kongresi, standardin e sotëm. Gjuha zyrtare po shkëputet nga gjuha e përditshme e shqiptarëve; po ftohet me folësit e shqipes në shumë trevat; po shfaqet gjithnjë e më e brishtë, me imunitet të lodhur, përballë sfidave të sotme. Çabej kishte përalajmëruar shndërrimin e saj në një gjuhë “artificiale”.

Dy nënvizime, kur flas për reformën gjuhësore:

E para, reformimi duhet ta hapë standardin në mënyrë shkencore, për të thithur të gjitha pasuritë e qenësishme të gjuhës, nga të gjitha dialektet e nëndialektet. Nuk jam për të përmbysur standardin, jam për reformim serioz. E kam përsëritur shumë herë.

E dyta, çështja nuk është gegnishtja apo toskërishtja. Çështja është gjuha shqipe, gjuha jonë e rrallë, e veçantë, e vetmja vlerë që na njëjtëson si shqiptarë. Edhe nëse do të kishim një gjuhë standarde mbi bazën e gegnishtes, të vendosur me kritere përjashtuese, duke shpërfilluar vlerat e shqipes në dialektin toskë, unë përsëri do të isha duke e ngritur zërin njësoj dhe do të kërkoja njësoj reformë gjuhësore, siç e kërkoj tashti.

Shkrimi i emrave të huaj? Në thelb kjo është çështje e ngushtë teknike, që duhet zgjidhur drejt, por nuk e rrezikon gjuhën. E liga është te të tjerat, që po e brejnë e po e bjerrin gjuhën shqipe përditë, me shpejtësi marramendëse.

Liberale.al: Vihet re me keqardhje se Gjuha Shqipe nuk shkruhet mirë edhe nga punonjës të administratës publike. Pse mendoni se nuk mbahen konferenca, kongrese, nuk ngrihen debate për të parandaluar këtë fatkeqësi të madhe kombëtare, për të mbrojtur një gjuhë, të cilën shqiptarët e mbrojtën edhe nga pushtuesit ndër shekuj?

Mehmet Elezi: Shqipja po dëmtohet me shpejtësi se nuk u dhemb atyre që duhet t’u dhembë. Qeveritarëve në radhë të parë. Po t’u dhembë, e shndërrojnë në përparësi kulturore dhe gjendja do të përmirësohej me shpejtësi.

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH