Letërsi

DORËSHKRIM/ “Intervistë me armikun”, sjell intelektualen serbe Jelica Minić: Serbia mund të zgjedhë vetëm BE-në, askënd tjetër

Shkruar nga Liberale
DORËSHKRIM/ “Intervistë me armikun”, sjell intelektualen

Shkrimtari Virgjil Muçi në librin e tij më të fundit “Intervistë me armikun”, një botim i shtëpisë botuese më prestigjioze në vend UET-PRESS, risjellë për lexuesin shqiptar një qasje nga brenda të Serbisë dhe Serbëve.

Ky libër me intervista, i nisur në kohën kur Muçi ishte diplomat në Beograd, si humus të tij, ka personazhe që përbëjnë elemente kyçe në shoqëri, duke përjashtuar politikanët që, sipas tij, priren të fshehin më shumë se të thonë.

Ata janë shkrimtarë, botues, gazetarë, publicistë, të cilët, dëshmojnë Serbinë e tyre, me problemet që i dhembin, nga propaganda te korrupsioni, duke kuptuar më në fund se ngjashmëritë mes dy vendeve janë të panumërta.

______________________________

Jelica Minić

Kryetare, Lëvizja Europiane për Serbinë

SERBIA MUND TË ZGJEDHË VETËM ATË QË ËSHTË QENDRA E RËNDESËS SË SAJ HISTORIKE DHE GJEOGRAFIKE – EUROPËN QENDRORE, DOMETHËNË BE-NË.


Ashtu si Sonja Biserko, e ndjera Borka Paviçeviç, Jelica Miniç është një prej veprimtareve më në zë të shoqërisë civile sot në Serbi. Si drejtuese e Lëvizjes Europiane për Serbinë ajo është një europianiste e thekur, çka bën që shpesh të ndeshet me atë pjesë anakronike të shoqërisë serbe, më së shumti nacionalistë pansllavë, që jo vetëm nuk e shohin të ardhmen e Serbisë dhe të qytetarëve të saj në Europën e Bashkuar, por s’lënë dy gurë bashkë, siç thotë një shprehje e urtë, për ta sabotuar këtë ide dhe ëndërr. Më duhet të theksoj se në Serbi numri i tyre nuk është krejt i papërfillshëm, siç mund të jetë në ndonjë vend tjetër fqinj me të.

Virgjil Muçi - Si po ecën aktualisht procesi i integrimit në BE i Serbisë? Ka ngecur në vend, po përparon me ritme të ngadalta apo po zhvillohet normalisht?

Jelica Minić – Në njëzet e dy vitet e fundit integrimi në Bashkimin Europian është nxjerrë në pah si objektivi kryesor i politikës së jashtme të Serbisë. Edhe pak dhe bëhet një çerek shekulli qyshkur filloi ky udhëtim i gjatë. Si Serbia ashtu edhe BE- ja e shohin njëra-tjetrën me frustacion dhe një ndjesi “lodhjeje”.

Po të kemi parasysh se gjatë gjithë atij harku kohor 13 vende u bënë anëtare me të drejta të plota në BE dhe se negociatat e tyre për anëtarësim zgjatën nga 3 në 6 vjet, situata në Ballkanin Perëndimor vërtet që duket e pashpresë dhe Serbia, e cila shihet si vendi më i përparuar në rajon, pas ndalesës në Mal të Zi, sigurisht që s’mund të përfaqësojë një rol model për të tjerët.

Negociatat për anëtarësim [për Serbinë] u hapën në janar të vitit 2014 dhe po zgjasin prej dhjetë vjetësh, pa ndonjë rezultat premtues. Edhe pse janë hapur dy cluster negociues dhe 22 kapituj negociues u duk se adoptimi formal i acquis së të drejtës dhe asaj institucionale të BE-së në këtë seri fushash negociuese nuk u shoqërua me zbatimin adekuat të tyre dhe reformat që i shoqërojnë. Numrat janë të pamëshirshëm.

Kështu kurba e hapjes së kapitujve (viti 2015 2 [kapituj], 2016 4, 2017 6, 2018 4, 2019 2, 2020 0, 2021 4, po kështu Cluster 4, 2022 0) bën fjalë e dëshmon përparimin e pabarabartë në rrugën drejt BE- së, shoqëruar me periudha bllokimi dhe mungese energjie e vullneti politik. Sipas vlerësimeve përmbledhëse në raportet e përvitshme të Komisionit Europian, Serbia nuk ka treguar se ka bërë përparim nga viti 2016. Një sërë organizatash ndërkombëtare të përmendura si Freedom House, Reporterët pa kufij, Transparency International, Indeksi i Transformimit Bertelsmanov e të tjerë, vlerësojnë se Serbia ka hedhur hapa pas në zhvillimin e demokracisë, shtetin e së drejtës, lirinë e mediave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe, nga një vend gjysmë demokratik, është shndërruar në regjim hibrid, madje klasifikohet edhe si autokraci zgjedhore. Duhet të kujtojmë këtu se në vitin 2011, në deklaratën e vet zyrtare për kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE, Komisioni Europian vlerësoi se në harkun e pesë vjetëve Serbia mund të përmbushë kushtet për anëtarësim me të drejta të plota.

Ai çast ndriçues inkurajimi sot duket tepër larg, për të mos thënë i paarritshëm. Ndaj mund të thuhet se mbarë rajoni po ndjek sindromën turke të kandidatit të përjetshëm (statusi [i vendit kandidat] u fitua në vitin 1999, negociatat u çelën më 2005 dhe duke nisur nga viti 2013 praktikisht kanë ngrirë).

Gjithsesi ka edhe disa pika të ndritshme. Zhvillimi ekonomik vlerësohet pozitivisht, investimet e huaja, investimet e kryera në infrastrukturë, digjitalizimi... Rregullisht Serbia vlerësohet për “rolin konstruktiv në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal”, por edhe është kritikuar lidhur me marrëdhëniet dypalëshe me vende të veçanta fqinje, të cilët nuk janë të paktë.

V.M. - A ndikon në procesin e integrimit të Serbisë, kundërvënia ndaj politikave të jashtme të Unionit dhe, më konkretisht, mosbashkërendimi me vendet anëtare të Bashkimit Europian për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë? Dihet që zyrtarë të lartë të Brukselit shpesh e kanë kritikuar Serbinë për mosrreshtim me politikën e jashtme të Bashkimit Europian.

J.M. – Si statistikisht ashtu edhe thelbësisht, Serbia është larguar nga politikat e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Në vitin 2021 pajtueshmëria me deklaratat e BE-së në fushën e politikës së jashtme ishte 62 %, ndërkohë që në vitin 2022 ky nivel pajtueshmërie ra në 48 % si rrjedhojë e masave të marra kundër Federatës Ruse për shkak të luftës në Ukrainë, masa të cilave Serbia nuk iu bashkua.

Megjithëse kjo gjë lidhet edhe me deklaratat që kanë të bëjnë me Kinën, Iranin dhe, pjesërisht, Bjellorusinë, prej të cilave Serbia është distancuar, ashtu siç është distancuar edhe nga rrjedha kryesore e politikës së jashtme të BE-së. Edhe pse iu bashkua deklaratave të OKB-së që e dënojnë Rusinë [kundër agresionit ndaj Ukrainës],

Serbia është i vetmi vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE që nuk ka ndërmarrë as edhe një paketë sanksionesh kundër Rusisë. Kjo gjë ka bërë që temave të zakonshme në raportet e Komisionit Europian dhe të Parlamentit Europian t’i shtohet edhe një tjetër temë me shumë peshë, e cila vë në pikëpyetje përparimin real të Serbisë për anëtarësim në BE, çka, në të njëjtën kohë, ka bërë që vende të caktuara anëtare të BE-së, ashtu si dhe grupe partish në PE të kërkojnë ngrirjen e negociatave për anëtarësim dhe bllokimin e instrumenteve financiare të ndihmës prej të cilave Serbia përfiton.

V.M. - Pas takimit në Ohër midis presidentit Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit Albin Kurti, u krijua përshtypja sikur pas një ngërçi relativisht të gjatë, “akujt u shkrinë” – metaforikisht speaking - dhe të dyja palët janë të predispozuara për t’u ulur dhe negociuar, madje edhe për ato tema që konsiderohen “patate të nxehta”, Asosacioni i Komunave Serbe etj. Jeni e mendimit që dokumenti franko-gjerman, në mos një zgjidhje përfundimtare, është kyçi i duhur për një zgjidhje afatgjatë mes Serbisë e Kosovës?

J.M. – Duhen pritur rezultatet. Në mjaft raste pritja ka qenë e pafrytshme, ashtu si dhe marrëveshja e arritur midis palëve në vitin 2013 në Bruksel. Ndryshimi këtë herë për arritjen e kësaj marrëveshjeje është se u përfshi hapur edhe SHBA-ja, çka do të thotë se dështimi i saj ka për të qenë dështim i Uashingtonit dhe i Brukselit dhe jo vetëm i këtij të fundit. Kjo gjë ia rrit peshën marrëveshjes së arritur.

Por në Kosovë dhe në kufirin administrativ me Serbinë çdo ditë ndodhin shpesh incidente të pashpjegueshme, të cilët, për fat, nuk kanë pasur përfundim tragjik. Serbët kanë dalë nga institucionet kosovare dhe i bojkotojnë ato, por kjo ndodh ngase siguria e tyre atje ku jetojnë rrezikohet. Bëhet fjalë për zgjedhjet e bashkësisë lokale me shumicë serbe, të cilat serbët i bojkotojnë. Edhe për çështjen e targave të makinave nuk është rënë dakord, ndonëse kjo gjë parashikohet me marrëveshje [midis palëve], ashtu si dhe çështja e dokumenteve të identitetit të serbëve, e cila aktualizohet me liberalizimin e vizave nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës, por jo për serbët që nuk kanë dokumente të Kosovës.

Dy kërkesa kyçe të serbëve, Bashkësia e Komunave Serbe dhe mbrojtja e trashëgimisë fetare e kulturore serbe ende nuk duken gjëkundi. Ashtu si dhe mekanizmat që garantojnë një bashkësi shtetërore funksionale, të njohur ose të panjohur nga Serbia, që presin shqiptarët. Por duke pasur parasysh se është formuar organizmi për ndjekjen e implementimit të marrëveshjeve dhe se në fillim të majit [2023] do të mbahet sërish takimi në nivel të lartë i të dyja palëve, ku përfaqësuesit ndërkombëtarë do të bëjnë një përmbledhje të rezultateve, ekziston ende një farë baze për shpresë, megjithëse gjuha e urrejtjes dhe e konfliktit midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë kurrë s’ka qenë me tone kaq të larta. Për fat të keq, qytetarët nuk përfillen, të cilët, po t’u jepej shansi e të pyeteshin, me siguri që do të zgjidhnin bashkëjetesën në paqe.

V.M. - Mendoni që lufta në Ukrainë, në mos faktori kryesor, është ndër ata faktorë që po e pengojnë procesin integrues drejt BE-së? Kam parasysh jo vetëm Serbinë, por edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor që tanimë kanë statusin e vendit kandidat dhe janë pjesë e procesit të negociimit?

J.M. – Lufta në Ukrainë ka ndikuar lidhur me gjithçka që ndodh në Europë dhe në botë, po kështu edhe në politikat e zgjerimit të BE-së. Nga njëra anë dhënia e statusit të vendit kandidat Ukrainës, Moldavisë e Bosnjë-Hercegovinës, duke anashkuar procedurat e zakonshme, tregon se procesi mund të përshpejtohet, si dhe të zhvendoset në mënyrë dramatike territorialisht kah kufijtë e rinj faktik të Europës (BE-së), kufij që në perspektivë, përveç vendeve të lartpërmendura, nënkuptojnë edhe përfshirjen e Gjeorgjisë. Për BE-në kjo do të ishte një sipërmarrje e madhe, e cila kërkon edhe rregullime të karakterit institucional. Kjo gjë mund të përfshijë mundësinë e një integrimi sipas disa fazave ose sektorial të kandidatëve, rrathët koncentrikë (Bashkësia politike europiane) ose ndonjë modalitet tjetër. Por faktor vendimtar është vullneti politik dhe përkushtimi i kandidatëve, formimi dhe aftësimi i tyre administrativ, përpjekjet individuale e të përbashkëta për të siguruar një afrim gjithnjë e më të madh drejt institucioneve, politikave, programeve dhe fondeve europiane. Ndërkohë në vendet e Ballkanit Perëndimor vjen duke u rritur mosbesimi dhe lodhja nga BE-ja që shihet si një shënjestër e lëvizshme, vende që prej dy dhjetëvjeçarësh e më shumë përpiqen, pa sukses, t’i afrohen. Kështu sot 28 përqind e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor nuk besojnë më se vendet e tyre do të bëhen një ditë anëtare të Bashkimit Europian.
 
Shpejtësia e dhënies së statusit të vendit kandidat në BE, Ukrainës dhe Moldavisë në vitin 2022, tregon se rrethanat gjeopolitike dhe vullneti i spikatur politik i ushqyer prej tyre kanë fuqi vendimtare, e megjithatë duhet pritur e parë sesi do të shkojë procesi i aderimit. Ka të ngjarë shumë më shpejt se në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nëse motivimi dhe energjia e investuar do të veprojnë me intensitetin e pritur.

V.M. - “Ballkani i Hapur” ka miqtë dhe armiqtë e vet sot në rajon. Ndërkohë e vërteta është se ai ka nisur të japë frytet e veta në bashkëpunimin e treshes Shqipëri-Serbi-Maqedonia e Veriut. E gjithë kjo jo vetëm përsa i përket lëvizjes gjithnjë e më të lirë e të dendur mes qytetarëve të këtyre vendeve, si dhe të mallrave e kapitaleve, por edhe fasilitete të tjera, si punësimi, shërbimi shëndetësor në çdonjërin prej këtyre vendeve etj. Si e shihni të ardhmen e këtij procesi? Mendoni që edhe vende të tjera të rajonit do t’i bashkohen apo do ta refuzojnë?
J.M. – Ballkani i Hapur është përpjekja legjitime e tri vendeve të rajonit, të cilat nuk kanë çështje të hapura mes tyre, për të krijuar një hapësirë për zhvillimin pa pengesa të bashkëpunimit ekonomik përmes lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve. Ajo çka është më e rëndësishme është zhvillimi i stimujve për një klimë bashkëpunimi, e cila do të shtrihet edhe në fusha të tjera (kultura, arti, shëndetësia, arsimi etj.). Kjo nismë është nominalisht e vetë këtyre vendeve me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së.

Nga ana tjetër kemi nismën e Tregut të Përbashkët Rajonal për Ballkanin Perëndimor, e cila është ndërtuar me kujdes me mbështetjen e Procesit të Berlinit dhe të BE-së në këto pesë vitet e fundit. Në dallim nga Ballkani i Hapur në të marrin pjesë të gjitha vendet/territoret e rajonit sipas kushteve të barabarta dhe mbështetjen e disa organizatave kyçe rajonale (Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, CEFTA 2006, Bashkësia e Transporteve, Forumi i Investimeve të Dhomave etj.), dhe nëpërmjet tyre marrin pjesë në financimin e këtyre organizatave. Ballkani i Hapur nuk është inkluziv, dmth nuk përfshin gjithë vendet e rajonit. Ai i mbivendoset vetëm në një pjesë Planit të Aksionit për Tregun e Përbashkët Rajonal, në atë të krijimit dhe të rregullimit të tri lirive të lëvizjeve dhe, në të njëjtën kohë, nuk ka ndonjë plan të vetin të veprimit. Nuk ka një strukturë të qëndrueshme organizative dhe mbështetjen adekuate nga një grup ekspertësh; veprimet e tij janë ad hoc dhe ndërmerren prej liderëve të tri shteteve.

Edhe pse Ballkani i Hapur ka arritur rezultate të padiskutueshme në mënyrë të legjitime shtrohet pyetja, përse këto dy nisma nuk integrohen me njëra-tjetrën në një moment të caktuar. Një detaj që tregon zhvillimin e mundshëm të mëtejshëm të të dy nismave është ratifikimi i shpejtë i disa marrëveshjeve që lidhen me lirinë e lëvizjes së njerëzve, të miratuara në vitin 2022 në Samitin e Procesit të Berlinit prej disa vendeve anëtare të Ballkanit Perëndimor dhe mungesa pothuajse e plotë e ratifikimit të thuajse të të njëjtave marrëveshje të miratuara më herët në kuadër të Ballkanit të Hapur.

V.M. - Si e vlerësoni nivelin e marrëdhënieve dypalëshe midis Serbisë e Shteteve të Bashkuara dhe si e shihni ecurinë e tyre në të ardhmen?

J.M. – Aktualisht shihet një përmirësim i dukshëm i marrëdhënieve dypalëshe midis Serbisë dhe SHBA-së. Zyrtarët amerikanë theksojnë se për ta Serbia është vendi më i rëndësishëm në rajon për shkak të pozitës qendrore, numrit të banorëve dhe përmasave ekonomike. SHBA-të mbështesin plotësisht integrimin europian të Serbisë dhe Ballkanin e Hapur. Në përputhje me angazhimin e tyre gjithnjë e më të madh në arritjen e marrëveshjes europiane midis Serbisë dhe Kosovës, roli i tyre politik është përherë dhe më me peshë. Për nga rëndësia SHBA-të janë partneri i pestë tregtar i Serbisë pas BE-së, grupit të CEFTA-s, Kinës dhe Rusisë. Vlera e investimeve amerikane shkon në 4.5 miliard dollarë, por në qoftë se përfshijmë këtu edhe firmat amerikane që janë regjistruar dhe bëjnë biznes në Europë, këto investime janë edhe më të mëdha, duke pasur parasysh se për periudhën në vazhdim ka për të pasur investime edhe më të rëndësishme.

Angazhimi i SHBA-së në rajon është përherë e më i madh dhe perceptohet si efikas, me një kredibilitet dhe autoritet më të madh se ai i BE-së, edhe pse BE-ja dhe vendet anëtare të saj janë dhe vazhdojnë të jenë edhe më tej partnerët kryesorë ekonomikë e politikë. Në rrethanat e sotme gjeopolitike faktori i sigurisë luan një rol të rëndësishëm në krijimin e këtij perceptimi lidhur me rolin e SHBA-së në rajon.

V.M. - Dëgjojmë gjithnjë e më shumë të flitet për një rend të ri botëror jo më unipolar – SHBA dhe Perëndimi -, por bi ose më shumë polar – Kina, Rusia dhe vendet e BRICS-it. Serbia ka mbajtur marrëdhënie shumë të mira si me Rusinë ashtu edhe me Kinën, por edhe me të ashtuquajturat vende të Botës së Tretë, duke ruajtur një ekuilibër me vendet Perëndimore. Nga do të orientohet politika e jashtme e Serbisë në rast të një konflikti për të vendosur një rend të ri global?

J.M. – Mund të hamendësojmë edhe pse ende nuk kemi një pamje të plotë të paragrupimeve të mëdha që po luhen në botë shkaktuar prej luftës së pamëshirshme në Europë. Konflikte të tjera të përgjakshme nëpër botë nuk kanë pasur pasoja kaq dramatike përsa i përket rendit ekzistues botëror. Gjithsekujt do t’i duhet t’iu përshtatet ndryshimeve të mëdha që po ndodhin.

Tani për tani vendet perëndimore janë në një masë të madhe solidare, edhe pse BE-ja vazhdon të peshojë një autonomi strategjike. Në fillim të mandatit në vitin 2019, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Joseph Borrell bëri të ditur se gjëja më e keqe për BE-në do të ishte të mbetej peng i ndeshjeve të konkurrencës midis SHBA-së dhe Kinës. Sot vendi me popullsinë më të madhe në botë është India, e cila kërkon vendin e vet në ndarjen e re të ndikimeve, ndërkohë që qendra e ekonomisë botërore po kalon në Azi. Kemi një rritje të ndjeshme të rolit të Afrikës dhe të luftës për ndikim ekonomik dhe politik në të, ku kinezët kanë krijuar një pozitë strategjike të lakmueshme. Ende nuk është krejtësisht e qartë se çfarë do të sjellë aleanca e sapokrijuar e Rusisë me Kinën dhe kush është dimensioni i saj i vërtetë. Vendet e BRICS-it sigurisht që janë një suazë e rëndësishme e bashkëpunimit shumëpalësh mes fuqive në rritje e sipër rajonale e botërore, por shkalla dhe fuqia e asaj çka i lidh nuk mund të matet, tani për tani, me aleanca të tilla siç janë BE-ja, NATO-ja, madje edhe ASEAN-i, të cilët janë fuqimisht shumë herë më të lidhura.

Pa diskutim që është mirë të kesh marrëdhënie të mira me të gjithë këta aktorë, në qoftë se është e mundur. Por në qoftë se lufta në Ukrainë do të shtrihet dhe hendeku mes grupeve të mëdha globale të interesit do të thellohet, Serbia mund të zgjedhë vetëm atë që është qendra e rëndesës së saj historike dhe gjeografike – Europën qendrore, domethënë BE-në. Serbia ka qenë kurdoherë e orientuar nga Europa Qendrore ekonomikisht, arsimisht, kulturalisht dhe lëvizjet migratore. Rusia ka qenë vetëm një ëndërr, me shumë pak njohuri lidhur me atë që ëndërron. Një shkencë dhe kulturë magjepsëse, por gjithmonë e shtypur, si dhe një perandori e pamëshirshme dhe e tmerrshme.
 
Prill 2023

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH