Letërsi

Botim i UET-Press, “Apostulli” nga Ilir Ikonomi: Biseda me presidentin Wilson dhe tre arsye themelore pse FBI po e gjurmonte Fan Nolin si...

Shkruar nga Liberale
Botim i UET-Press, “Apostulli” nga Ilir Ikonomi: Biseda me

Biografia e Fan Nolit, e titulluar “Apostolli”, një botim i shtëpisë botuese UET-Press, me autor gazetarin Ilir Ikonomi, solli për lexuesin shqiptar shumë të panjohura mbi jetën e një prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës tonë dhe, për hir të së vërtetës, jo vetëm. Në këtë pjesë të shkëputur nga libri i tij, redaksia e Liberale.al, ka vendosur të zbulojë disa detaje interesante për të gjithë ata lexues që ende nuk e kanë në bibliotekën e tyre këtë studim voluminoz, mbi jetën e Fan Nolit. Këtu japim shumë detaje mbi dyshimet e amerikanëve për Nolin, të cilin e pandehnin si agjent të Gjermanëve dhe Austriakëve, por mbi të gjitha publikojmë edhe bashkëbisedimin e tij me presidentin amerikan Woodrow Wilson.

-----------------------------------------

Aq të forta ishin dyshimet rreth Nolit si agjent i gjermanëve dhe i austriakëve, saqë Byroja e Hetimit vendosi të ndjekë me imtësi lëvizjet e tij.

Më 2 korrik 1918 rreth orës 4 pasdite, një agjent shkoi përballë zyrës së Nolit për të vëzhguar. Selia e Vatrës ndodhej në 97 Compton Street, aty ku sot është sheshi Castle midis rrugëve Tremont dhe Washington. Zyrat ishin në katin e dytë të një ndërtese dhe poshtë tyre kishte një dyqan.

Përballë ishte një stallë kuajsh që i përkiste kompanisë American Express. Në orën 6, Noli dhe të tjerët dolën nga zyrat. Agjenti vuri re se kryetari i Vatrës kishte rruar leshrat e fytyrës bashkë me mjekrën dhe kishte lënë vetëm mustaqet, çka e bënte të dukej shumë ndryshe nga pamja. Agjenti e ndoqi Nolin deri sa ky arriti tek apartamenti i tij në Rrugën Clarendon dhe priti. Noli doli prej andej në orën 7 e 15 dhe eci për në kafenenë Trinity Court në Rrugën Dartmouth. Në orën 7 e 55 shkoi në dyqanin e frutave të Kristo Kirkës aty pranë.

Bisedoi për pak minuta me një djalë të ri shqiptar, pastaj doli nga dyqani, ndërsa djaloshi e shoqëroi, duke i ndenjur 10 metra prapa. Noli arriti në shtëpi rreth orës 8 e 40. Agjenti priti jashtë dy orë, por ai nuk doli më.25 Një ditë më vonë agjentët u informuan nga Parashqevi Qiriazi se Noli ishte nisur me tren për në Uashington, për të takuar presidentin Woodrow Wilson në festimet me rastin e 4 korrikut, Ditës Kombëtare të Amerikës. Presidenti kishte kërkuar që kësaj here në solemnitetet e rastit të merrnin pjesë përfaqësues të pakicave kombëtare nga i gjithë vendi, për të theksuar idenë se Amerika nuk mbronte vetëm interesat e veta, por edhe të kombeve të tjera. Është e paqartë se kush konkretisht kishte ndërhyrë që Noli të ftohej në Uashington, por ka shumë mundësi që të kishte qenë Senatori Henry Hollis i shtetit Nju Hempshër, ose ish-ambasadori George Fred Williams, dy politikanë me të cilët ai mbante marrëdhënie të mira. Ftesa për Nolin ishte nënshkruar nga George Creel, kreu i Komitetit për Informacionin Publik, të krijuar nga Wilsoni për propagandën e luftës.

Pasditen e 3 korrikut Feri Weiss njoftoi shefin në Uashington: “Fan Noli, prej kohe nën hetim nga ky departament, kryetar i Federatës Shqiptare, njoftohet se do të vizitojë Uashingtonin më 4 korrik. Sugjerojmë që të vëzhgohet nga afër. Mund të lidhet me ministrin fuqiplotë të Bullgarisë. Përshkrimi i Fan Nolit: shtat mesatar dhe i ngjeshur, flokë shumë të zeza, sy të zinj, mustaqe të zeza e të dendura të prera shkurt, fytyrë vrarëlije”.

Në atë kohë, Bullgaria ishte në anën e Fuqive Qendrore. Weiss dhe një informator shkuan pastaj në qilarin e restorantit Minerva, që e ndante një mur nga bodrumi i dyqanit të Kristo Kirkës.

Me ndihmën e menaxherit të restorantit, ata panë mundësinë e vendosjes së një diktafoni, për të përgjuar bisedat në dyqanin që frekuentohej nga Noli. Diktafoni ishte një aparat për regjistrimin e zërit që përdorej nëpër zyra ose nga gazetarët kur bënin intervista. Parimi ishte ai i gramafonit: Mbi një cilindër prej dylli ishte montuar një gjilpërë. Zëri hynte në aparat me anë të një tubi metalik dhe lëkundjet e valëve zanore bënin që gjilpëra të linte gjurmë mbi cilindër. Zëri i regjistruar me këtë mënyrë riprodhohej me anë të një hinke.

Aparati ishte sa një makinë shkrimi dhe instalimi nuk ishte i lehtë, sepse tubi i regjistrimit duhej maskuar mirë në dhomën ku do të bëhej përgjimi. Po atë ditë, agjenti shkoi në zyrën e kompanisë telefonike të Bostonit me Parashqevi Qiriazin, të cilën e vuri të përgjojë bisedat që vinin nga Federata Vatra. Më 4 korrik, përfaqësuesit e 33 kombësive u pritën në Uashington me nderime dhe u çuan me automobilë tek jahti i bardhë presidencial Mayflower që priste buzë lumit Potomak. Koha ishte e bukur, qielli pa re. Jahti do të lundronte përgjatë lumit për të arritur në Maunt Vernon, një kodrinë në shtetin e Virxhinias ku ndodheshin shtëpia e madhe e presidentit të parë të Amerikës, George Washington dhe varri i tij.

Me t’u nisur jahti, të ftuarit u përshëndetën nga Presidenti Wilson, i veshur i tëri me të bardha, e shoqja Edith dhe e bija Margaret, të cilët i pyetën një për një mysafirët se si quheshin dhe cilin komb përfaqësonin.

Sipas Nolit, kjo mund të ishte e para herë që ata takoheshin me një shqiptar. Në jaht ndodheshin ambasadorët e Italisë, Francës dhe Anglisë si dhe i tërë trupi diplomatik, të gjithë me veshje ceremoniale.

Ambasadori italian dhe ai anglez u befasuan kur panë Nolin në jaht dhe ia shprehën habinë njëri-tjetrit. Pas udhëtimit që zgjati më pak se një orë, jahti u ankorua në Maunt Vernon dhe Presidenti Wilson zbriti i pari nën gjëmimin e trumpetave. Të gjithë u mblodhën në shpatin e kodrës mbi lumë, ku ndodhej varri i George Washingtonit dhe Wilsoni lexoi një fjalim nga tufa e letrave që mbante në dorë.

Ai foli për synimet e Amerikës në luftën që ende vazhdonte dhe tha se qëllimi i Shteteve të Bashkuara ishte garantimi i lirive jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt e tjerë.28 Ishte një ligjëratë e gjatë me shumë fjalë idealizmi, e thurur në mënyrë të tillë që t’u jepte shpresë të shtypurve për botën e pasluftës.

Wilsoni foli si një profesor universiteti. Me finesë, por me këmbëngulje të nënkuptuar, ai kërkoi që zgjidhjet mes vendeve për çështje territoresh ose sovraniteti të ndiqnin parimin që ato të pranoheshin me vullnet të lirë nga popujt e interesuar. Kombet, - tha ai, - duhet të sillen me njëri-tjetrin mbi të njëjtat parime nderi dhe respekti ndaj ligjit, siç sillen edhe qytetarët e thjeshtë me njëri-tjetrin në një shtet modern. Premtimet dhe marrëveshjet të respektohen, komplotet dhe intrigat të mos pranohen. Gjatë kthimit për në Uashington, Woodrow Wilsoni bisedoi në jaht me secilin prej të ftuarve që përfaqësonin kombësitë e ndryshme.

Siç tregon vetë, Noli gjeti rast dhe i tha Presidentit se po të mbretëronin ato parime që deklaroi në fjalimin e tij, s’ka dyshim që edhe Shqipëria do të fitonte të drejtat e saj. Wilsoni iu përgjigj se ato parime do të mbretërojnë, sepse për ato luftojmë. Pas kësaj, Noli iu afrua Zonjës së Parë, Edith Bolling Galt Wilson, e cila e kishte hedhur vështrimin nga bregoret anës lumit. Siç kujton Noli, vijoi kjo bisedë:

FAN NOLI: Zonjë, shqiptarët më kanë porositur t’ju lutem që ta kujtoni Shqipërinë, një vend aq i varfër, pa miq dhe pa ndonjë përkrahje. Po nuk qajnë për urinë dhe mjerimet që heqin, po për humbjen e saj.

ZONJA WILSON: Po. Na vjen shumë keq për kombësitë e vogla si Shqipëria, Belgjika e të tjerat.

FAN NOLI: Situata jonë, Zonjë, është shumë e koklavitur dhe e trazuar. Në këtë kohë në bisedë ndërhyri Presidenti Wilson, i cili ishte duke folur me një diplomat aty pranë.

PRESIDENTI WILSON: Me të vërtetë është shumë e koklavitur.

FAN NOLI: E vetmja shpresë për Shqipërinë është Amerika dhe ju, Zoti President.

PRESIDENTI WILSON: Unë do të kem vetëm një zë në kongresin e paqes dhe atë zë do ta përdor dhe për të drejtat e Shqipërisë.

FAN NOLI: Ai zë është i mjaftë për shqiptarët dhe ata do të jenë vdekërisht të gëzuar dhe fare të sigurtë për të drejtat e tyre.

PRESIDENTI WILSON: (Buzëqesh) Jo, mos ua thuaj pikërisht ashtu shqiptarëve, se ahere ata do ta lenë punën e tyre në gjumë. Duhet ata paskëtaj të punojnë ca më tepër se kurdoherë.

Meqenëse askush tjetër nuk ishte i pranishëm, kjo është e vetmja dëshmi që kemi nga takimi në jaht i Nolit me Presidentin Wilson.

Biseda është përshkruar për herë të parë prej Nolit në gazetën Dielli të datës 9 korrik 1918. Tërheqin vëmendjen fjalët e Presidentit amerikan se “atë zë do ta përdor dhe për të drejtat e Shqipërisë”. Siç mund të merret me mend, fjala “zë” këtu ka kuptimin e votës. Në disa citime të mëvonshme, fjala “dhe” është hequr, duke krijuar përshtypjen e gabuar se Wilsoni ishte zotuar që ta përdorte votën e tij në konferencë vetëm për Shqipërinë. Më 5 korrik, para se të merrte trenin për t’u kthyer në Boston, Noli i dërgoi telegrame falenderimi Presidentit dhe Zonjës së Parë.

Në tekstin për Woodrow Wilsonin shkruante: “E quaj për detyrë t’ju falenderoj në emrin e shqiptarëve për fisnikërinë me të cilën dëgjuat lutjen time për restoratën e Shqipërisë dhe veçanërisht për shpresat e ndritshme që përhapët mbi horizontin e errët të këtij vendi fatkeq me fjalët tuaja bujare në Malin Vernon dhe në jahtin Mayflower. Duke iu lutur Perëndisë me gjithë zemër për Amerikën dhe për Ju, mbetem Z. President, Shërbëtori i përunjur i Shkëlqesisë Suaj”.

Noli u kthye në Uashington atë ditë dhe agjentët e Byrosë së Hetimit u njoftuan nga Parashqevi Qiriazi se kreu i Vatrës kishte biseduar disa herë me Presidentin amerikan. Dy ditë më vonë, në orën 9 të mëngjesit, Vatra hapi Kuvendin vjetor në sallën John Winthrop të Bostonit. Noli foli i pari dhe bëri një bilanc. “Kur u fillua Vatra, - tha ai, - nuk ishin më shumë se 500 anëtarë. Sot kemi 5 mijë anëtarë të rregullt këtu në Amerikë dhe 3 mijë në Shqipëri e gjetkë, të cilët pak a shumë u ngrohën në oxhakun e nxehtë të Vatrës sonë të madhe… Federata jonë nuk kishte ambicie të mëdha.

Qëllimi kryesor ishte dhe është të shpëtojë Shqipërinë, por megjithë këto, njeriu s’e besonte kurrë që ajo të arrinte shkallën e sotme. Është tjetër të kesh një shoqëri në Shqipëri dhe tjetër këtu. E këtushmja mori frymën amerikane dhe bazohet në themelet e tërë shoqërive aq të përparuara të këtij vendi”.

Pastaj ai përshkroi me hollësi bisedën që pati në jaht me Presidentin Wilson dhe e mbylli me këto fjalë: “Kur i thashë që ju Z. President mund ta shpëtoni Shqipërinë, ia thashë jo vetëm me gojë, por me tërë veten dhe në grykë ndjeva një lëmsh të pagëlltitshëm, se më në fund dola përpara njeriut që me të vërtetë mund ta shpëtojë Shqipërinë po të dojë”.32 Salla ushtoi nga thirrjet Rroftë Amerika, Rroftë Presidenti!

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH