Aktori dhe komediani i njohur shqiptar Sejfulla Mytaraj i njohur nga të gjithë si Cekja i Beratit, ka rrëfyer momente pikante por edhe prekëse nga jeta e tij.
Ai ka rrëfyer në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, se si i mbeti pseudonimi Ceke, dhe se si e thërrasin në Berat, qytetin ku ai vijon të jetojë dhe punojë gjatë gjithë jetës së tij.
Cekja tregoi se kishte qenë nëna e tij që i kishte zgjedhur gruan, por sapo e kishte parë e ka pëlqyer shumë.
Pjesë nga biseda:
Pranvera Borakaj: E nisa pak më parë duke të thënë marrëdhënie shumë të ngushtë me motrat, por mamaja dhe motrat të gjetën dhe nusen, pavarësisht se më pas të pëlqeu.
Cekja: Po, po, Drita e quajnë time shoqe, nëna e ka zgjedhur dhe e pa. Më thotë mua të kam gjetur një nuse shumë të mirë, do marrësh motrën e Jasharit. E pashë unë, Drita shumë e mirë.
Pranvera Borakaj: Drita kishte veshur një fustan që ja kishte gjetur mami jot, me rrip në mes, me ato krahët.
Cekja: Po e vërtetë, ashtu ka qenë atëherë.
Pranvera Borakaj: Të pëlqeu direkt?
Cekja: Po, direkt sa e pashë.
Pranvera Borakaj: Po mos të të kishte pëlqyer? Po të të kishte thënë mamaja do ta marrësh se më pëlqen kjo?
Cekja: Se dua do kisha thënë.
Pranvera Borakaj: Po deri në atë kohë, kishe kështu pëlqime për goca të tjera?
Cekja: Jo. Sa isha unë atëherë 21-22 vjeç. Sa isha liruar nga ushtria, pa mbushur 24-vjeç u martova.
Pranvera: Ta ka bërë Drita dritë jetën?
Cekja: Absolutisht po.
Pranvera Borakaj: Për çfarë e vlerëson, për marrëdhënien që ka patur e shkëlqyer që ka patur me motrat me prindërit e tu, për raportin me fëmijët?
Cekja: Më ka respektuar në mënyrë të jashtëzakonshme prindërit, është dhurata më e madhe që ka bërë Drita. Nënës time, pasi babi më la shpejt, i ka shërbyer deri në momentin e fundit.
Pranvera Borakaj: Si të thërrasin më shumë në rrugët e Beratit, ku vazhdon të jetosh dhe nuk je shkëputur, Babuç apo Cekja?
Cekja: Me Beratin jam i lidhur jashtëzakonisht shumë, sepse kam një jetë që jetoj, kam punuar dhe vazhdoj të punoj sot e kësaj dite.
Pranvera Borakaj: Si të thërrasin Ceke apo Babuç?
Cekja: Ka ngelur Ceke, as vete nuk e di se si më është vënë emri Ceke, e kam shpikur vetë. Kur kam qenë i vogël shkoja në fshatin e lindjes në Skrapar. Gjyshja kishte keca, i nxirrte për të ngrënë dhe ju jepte dushk, edhe ju thërriste kec, kec, kec, dhe unë ju thërrisja, cek, cek, cek dhe më ngeli mua Ceke.
Pranvera Borakaj: Si ka mundësi që nuk u shkëpute asnjëherë nga Berati, pasi kryesisht aktorët nga qytete të ndryshme në një moment të caktuar, ku rolet dhe jeta ju jepnin mundësi për të jetuar në Tiranë, shkëputeshin dhe vinin këtu, pse kjo zgjedhje?
Cekja: Unë jam i lidhur shumë me familje, kam dy goca dhe një çun, dhe në fundjavë ne mblidhemi të gjithë në shtëpi. Vetëm nga gocat nuk kam ikur nga Berati. Kam patur oferta shumë për të ardhur të Portokallia dhe Al Pazari.