Ali Pasha dhe Bajroni (pikturë nga Qamil Prizreni)
Qamil Prizreni është një nga piktorët më të njohur të vendit, i cili ka marrë pjesë për më shumë se gjysmë shekulli në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, duke marrë edhe vlerësime nga më të lartat. Veprat e zotit Prizreni janë të njohura për trajtimin e temave historike e kombëtare veçanërisht në pikturë.
Veprën e realizuar nga Qamil Prizreni, Liberale e rikthen në 200 vjetorin e ndarjes nga jeta të George Gordon Byron (22 janar 1788 – 19 prill 1824) poeti i madh që u nis për të vizituar Greqinë dhe faktoi madhështinë e shqiptarëve.
George Gordon Byron, poeti i madh britanik e vizitoi për rreth 9 ditë Shqipërinë, në vitin 1809.
Bajroni e solli të gjallë realitetin shqiptar, duke mos ia harruar, përkundrazi duke ia njohur të shkuarën, jo vetëm përmes figurës së njohur të Ali Pashë Tepelenës, por dhe të njerëzve, zakoneve, kultit, karaktereve, këngës dhe veshjeve të tyre. Në këtë kuptim vepra dhe letrat e Bajronit ku fliste për Shqipërinë duket se plotësojnë njëra-tjetrën.
Letrat e Bajronit drejtuar nënës së tij, të shkruara në viset shqiptare dëshmojnë vendbanimet dhe të shkuarën e hershme historike të shqiptarëve deri në Prevezë.
Bajroni ishte një vëzhgues i hollë, ai donte të shtegtonte dhe të eksploronte vendet ku nuk kishin shkuar më parë njerëz të shtresës dhe poezisë së tij, prandaj gjithë udhëtimi i tij ishte në këmbë në tokën e shqiptarëve.
Ai i tregoi botës se kishte dëshirë të ishte pranë natyrës dhe njerëzve të thjeshtë, dhe jo më kot, në veprën e Haroldit ka një thirrje shpirtërore, por mjaft komunikuese, ku ai shkruan: ”Shqipëri, lejomë të kthej sytë e mi/ Mbi ty, o nënë e rreptë burrash t’ egër….”, e cila dhe pse ishte e fshehur, ai arriti ta zbulojë me gjithë madhështinë e saj, me bukurinë dhe të vërtetat e saj.
Dhe këtë Bajroni i madh e ka kuptuar mjaft mirë, kur ndër të tjera ai shkruan: ”Me të vërtetë që unë e kam parë Shqipërinë më shumë se kushdo anglez tjetër, sepse është vend i vizituar rrallë, ndonëse i bollshëm në stoli natyrore.
“Në vendet e Ilirisë dhe të Epirit ka vende pa emër dhe lumenj të pahedhur në hartë, mundet që një ditë, kur të njihen më shumë, të jenë temat më të çmuara e të dorës së parë për penën.”
Studiuesi Prof. dr. Bardhosh Gaçe në një artikull rreth ditëve të qëndrimit të Bajronit në Shqipëri shkruan ndër të tjera se "Bajroni e preku realitetin shqiptar në të gjithë mundësinë që kishte një lord anglez, pasi ai çuditërisht kishte arritur të mësonte se deri ku shtriheshin krahinat shqipfolëse, si provincë e Turqisë Evropiane, por mjaft e rëndësishme për kohën dhe zhvillimet në Ballkan”