Arte

Media italiane shkruan për “Shkodra Elektronike”, përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovizion

Shkruar nga Liberale

Media italiane shkruan për “Shkodra Elektronike”,

“Shkodra Elektronike”, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2025 me këngën “Zjerm”, ka tërhequr vëmendjen e jo pak mediave të huaja që shkruajnë për origjinalitetin e kësaj kënge.

Media italiane “fanpage.it” është ndalur te figura e Beatriçe Gjergjit dhe Kol Lacës, të cilët kanë emigruar në vendin fqinj në një moshë shumë të vogël, ku edhe kanë fillimet e karrierës së tyre.

“Formimi i tyre, i cili u zhvillua në vitin 2019 si dyshe, mund të fshehë një të kaluar muzikore në Itali. Mjafton të thuhet se Kolë Laca ka qenë për vite me radhë tastierist i grupit venecian Teatro degli Orrori, përveçse ka formuar edhe dyshen “2Pigeons” me Chiara Castello. Vetë Laca, në një intervistë për TgCom24 në vitin 2020, kishte theksuar se prania e tij më shumë se njëzet vjeçare në Itali nuk e kishte ngadalësuar në rikuperimin e këngëve popullore të Shkodrës, vendlindjes së tij. Në të njëjtën intervistë, Laca rrëfen edhe takimin e parë me Gjergjin: ‘U takuam në internet. Ajo më kontaktoi kur isha ende duke luajtur me Teatro degli Orrori. Ka ndjekur muzikën time dhe pastaj është edhe nga Shkodra. Ajo jetonte në Umbria, mbërriti në Itali pak a shumë në të njëjtën kohë me mua dhe punonte në një fabrikë, por pasioni i saj ishte muzika, këndonte në grup’. Dyshja performoi ndërkohë në Bienalen e Venecias në vitin 2019 dhe albumi i tyre i fundit është përzgjedhur për çmimin “Balkan music export”, shkruan media italiane.

Ndalur te kënga “Zjerm”, “fanpage.it” shkruan se ajo ngjall një ndjenjë të fortë patriotizmi dhe flet për një të ardhme më të ndritshme. Zhanri muzikor që ata trajtojnë quhet “Post Immigrant Pop”, që nga Betariçe Gjergji dhe Kolë Laca përshkruhet kështu: “Post Immigrant Pop në këtë kuptim, ku Post do të thotë se ne jemi qytetarë italianë por edhe shqiptarë, ne jemi të dyja gjëra dhe, në realitet, asnjëra; Emigrant sepse jetojmë një përzierje midis kulturës sonë origjinale dhe asaj që kemi zbuluar dhe bërë tonën; Pop sepse me elektronikë flasim një gjuhë që sot është e kuptueshme“.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH