Pas pesë netëve të jashtëzakonshme të mbushura me emocione, Festa e “Sanremo 2025” ka ardhur në përfundim. Edicioni i 75-të dhuroi momente të paharrueshme, me shumë qeshura dhe, mbi të gjitha, muzikë të mrekullueshme.
Pas përllogaritjes së votave nga juria e shtypit, juria e radios dhe televotimi, gjithçka u bë zyrtare: Olly, emri i vërtetë i të cilit është Federico Olivieri, është shpallur fitues i “Sanremo 2025”.
Me këngën “Balorda Nostalgia”, Olly rrëmbeu trofeun dhe shkroi emrin e tij përgjithmonë në historinë e festivalit.
Të 29 konkurrentët u ngjitën për herë të fundit në skenë, duke shpresuar për një vend në “Superfinale”. Renditja e tre netëve të para u kombinua me votat e natës finale për të përcaktuar klasifikimin përfundimtar të artistëve.
Pesë këngëtarët më të votuar kaluan në një raund tjetër votimi, i cili u nda në tri pjesë: 33% nga juria e shtypit, 33% nga juria e radios dhe 34% nga televotimi, për të përcaktuar fituesin.
Sipas traditës, fituesit të Sanremos do t’i jepet shansi të përfaqësojë Italinë në Eurovision Song Contest, që do të zhvillohet në Bazel më 17 maj.