Kryeministri Edi Rama ka bërë bilancin e procesit të rindërtimit në zonën e Kurbinit, një nga zonat më të goditura nga tërmeti dramatik i vitit të shkuar.
Rama përmend investimet për dhjetëra ndërtesa nga kompani shqiptare dhe turke, ndërsa premton se së shpejti do të nisë puna për rindërtimin e spitalit të qytetit dhe godinës së bashkisë. Rama shkruan se ka nisur puna me infrastrukturën, për ndërtimin e mbi 200 apartamente të tjera me fondet e qeverisë shqiptare.
"Krenar që po ndryshojmë për mirë jetën e mijëra fëmijëve e familjeve, që u goditën nga tragjedia e 26 nëntorit të shkuar, falë pasionit politik për ndryshimin, i cili është edhe arsyeja pse unë merrem me politikë
Në Kurbin:
Angazhuar 8 kompani shqiptare, krahas kompanisë turke që po vijon punimet në kantierin 1 të lagjes së re, me 524 apartamente, nga të cilat 160 të parat do të përfundojnë brenda muajit mars 2021 dhe pjesa tjetër në qershor 2021, plus 375 vende parkimi, 1 qendër tregtare dhe 37 njësi shërbimi
Ka nisur puna me infrastrukturën, për ndërtimin e mbi 200 apartamente të tjera me fondet e qeverisë shqiptare, në kantierin 2 të lagjes së re, ku do të zgjidhet përfundimisht edhe sistemimi i përroit të qytetit, shkaktar përmbytjesh prej dekadash
Nisin së shpejti 211 banesa individuale
180 pallate fillojnë nga puna meremetuese për 1500 familje
Përfundon 1 shkollë brenda vitit 2020 me fondet e qeverisë shqiptare. Nisin së shpejti edhe 9 objekte arsimore nga të cilat 2 të financuara nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër me fondet e donatorëve
Nis puna së shpejti edhe për rindërtimin e spitalit të qytetit dhe godinës së bashkisë
1820 familje janë shërbyer me grante rikonstruksioni nga 100 mijë deri ne 500 mijë lekë, me një total prej 500,900,000 lekë
1615 familje shërbehen me bonus qeraje prej muajit Dhjetor 2019 deri në kthimin në shtëpi", shkruan Kryeministri.