Aktualitet

Ku po shkon Turqia? 3 skenarët

Shkruar nga Liberale
Ku po shkon Turqia? 3 skenarët

Marc Pierini & Francesco Siccardi 

Analistët dhe mediat e huaja kanë ngritur prej kohësh pyetjen “Ku po shkon Turqia?”. Tani, ndërsa vendi po futet në vitin e 19-të të sundimit të pandërprerë nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), kjo pyetje retorike është shndërruar në një debat të madh të brendshëm mbi të ardhmen e Turqisë.

Në fakt kursi i Turqisë varet nga votat e qytetarëve të saj, dhe jo nga ajo që mendojnë apo dëshirojnë analistët e huaj. Megjithatë, duke u angazhuar në nisma të pashembullta ushtarake dhe diplomatike në vitet 2019-2021, udhëheqja e këtij vendi është subjekt i reagimeve dhe kritikave të forta nga partnerët e saj.

Nga ana tjetër, këto reagime nxisin deklarata nacionaliste në të gjithë spektrin politik turk, duke e bërë disi të rrezikshme çdo spekulim mbi të ardhmen politike të Turqisë. Brenda vendit, arkitektura e shtetit ligjor është përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë 10 viteve fundit.

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2021 mbi Turqinë, i bërë publik më 19 tetor, ishte më negativi i shkruar ndonjëherë, duke e theksuar vazhdimin e degradimit të demokracisë. Meqë këtë prirje nuk e ka përcaktuar asnjë ngjarje e vetme, mund të identifikohen disa pika kthese.

Së pari, viti 2013 ishte një vit vendimtar. Protestat e qytetarëve e në Parkun Gezi në Stamboll që nisën në majin e atij viti, ishin fillimisht kundër planit të qeverisë për të zhdukur një park publik. Por ato u shndërruan shpejt në një valë të paprecedentë demonstratash masive në të gjithë vendin.

Ato mbeten ende sot lëvizja më e madhe e protestës kundër qeverisë turke. Disa muaj më vonë, një skandal korrupsioni çoi në arrestimin e dhjetëra personave të lidhur me AKP-në. Duke besuar se këto arrestime ishin një sulm politik i orkestruar nga predikuesi islamik Fethullah Gulen, që deri atëherë ishte aleati i tij politik, kryeministri i atëhershëm Recep Tayyip Erdogan urdhëroi një sërë spastrimesh.

Organizata ndërkombëtare “Freedom House”, vlerësoi se u pushuan nga puna 45.000 oficerë policie dhe 2.500 gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në hetimet anti-korrupsion. Që nga viti 2013, procesi i degradimit të demokracisë turke, ka ecur paralelisht me momentet elektorale kyçe.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale të gushtit 2014, 2 raundeve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2015, referendumit kushtetues të prillit 2017, dhe zgjedhjeve presidenciale të qershorit 2018, ndodhën këto zhvillime:u kufizuan të drejtat e opozitës; u përdor një narrativë gjithnjë e më nacionaliste për të mbledhur vendin rreth flamurit dhe udhëheqjes; u braktis procesi i pajtimit me minoritetin kurd; u përdorën operacionet ushtarake në Siri për të lëkundur opinionin publik, për të forcuar gjendjen shpirtërore të vendit, dhe për të dobësuar kundërshtarët politikë.

Grusht i dështuar i shtetit i korrikut 2016, shënoi një tjetër pikë kthese. Ai i dha Erdoganit jo vetëm mundësinë për t’i dhënë fund ndikimit politik të ushtrisë, por solli spastrime gjithëpërfshirëse kundër armiqve të supozuar të qeverisë. Që nga ai moment, autoritetet kanë shkarkuar ose pezulluar nga detyra shumë se 60.000 punonjës në polici dhe ushtri, dhe rreth 125.000 nëpunës civilë.

Po ashtu është shkarkuar nga detyra një e treta e gjyqësorit, teksa janë arrestuar ose burgosur më shumë se 90.000 qytetarë, dhe janë mbyllur më shumë se 1.500 organizata joqeveritare. Arsyet janë lidhur kryesisht me lidhjet e dyshuara të lëvizjes së klerikut Fethullah Gulen me përpjekjen për grushtin e shtetit.

Ndërkohë zgjedhjet lokale të marsit 2019, përbënin një kthesë tjetër politike. Fitoret e kandidatëve të opozitës në 9 qytete të mëdha, përfshirë Ankaranë, Stambollin dhe Izmirin, i kujtuan votuesve turq fuqinë e tyre me anë të votës.

Gjatë viteve të fundit, politika e jashtme e Turqisë është bërë gjithnjë e më personale, me lidhje të qarta me objektivat e Erdogan:menaxhimin e marrëdhënieve të tij komplekse me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa ka synuar të ndërtojë marrëdhënie të ngushta me dy presidentët amerikanë, Donald Trump dhe Joe Biden.

Që nga zgjedhjet parlamentare të qershorit 2018, aleanca midis AKP-së dhe Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), e ka zhvendosur më në të djathtë qeverinë turke. Kjo u përkthye në një sërë nismash agresive në politikën e jashtme në Mesdheun Lindor, Libi dhe Siri.

Në muajt shkurt-mars 2020, Turqia përsëriti kërcënimin e saj për “hapjen e portave” drejt Evropës për disa miliona refugjatë që jetojnë në Turqi. Mijëra refugjatë u transportuan pranë qytetit të Edirnesë në Veriperëndim të Turqisë, dhe u shtynë drejt kufirit tokësor turko-grek, për t’u riatdhesuar pas disa ditësh, kur BE-ja i mbajti mbyllur kufijtë e saj.

Po atë vit, Turqia vendosi të promovojë një zgjidhje me dy shtete për Qipron, një formulë e papranueshme për liderët e BE-së. Ky përkeqësim në marrëdhëniet e jashtme dypalëshe, ka ecur paralelisht me divergjencat në rritje brenda NATO-s.

Blerja e sistemit raketor rus S-400 nga ana e Turqisë, ka sjellë vendosjen e sanksioneve nga SHBA-ja dhe një evolucion të dukshëm të marrëveshjeve ushtarake dhe shitjeve të armëve në rajon. Një shembull është dialogu i tretë strategjik SHBA-Greqi, që ndodhi në tetor të këtij viti.

Marrëveshja e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e mbrojtjes, parashikon shitjen nga Amerika të armëve moderne për Greqinë. Po ashtu Franca dhe Greqia nënshkruan në shtator një marrëveshje të ngjashme të partneritetit strategjik në fushën e mbrojtjes.

Ndërsa Turqia ka tipare ekonomike tërheqëse – përfshirë pozitën gjeografike, fuqinë punëtore, kulturën industriale dhe të biznesit, si dhe integrimin në sektorin e prodhimit të BE me anë të një bashkimi doganor – një politikë monetare kaotike e ka shkatërruar reputacionin e saj ndërkombëtar.

Erdogan i ka imponuar vazhdimisht Bankën Qendrore turke konceptin e tij të normave të ulëta të interesit, si një mënyrë për të ulur inflacionin. Që nga viti 2019 ai ka shkarkuar 2 ministra financash dhe 4 guvernatorë të Bankës Qendrore.

Në kuadër të raundit të ardhshëm të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në vitin 2023, partnerët perëndimorë të Turqisë do të përballen me tre skenarë teorikë mbi kursin që do të ndjekë ky vend. Pavarësisht se sondazhet e fundit i japin epërsi opozitës, burimet  afër presidentit aktual, thonë se fitorja e Erdogan/AKP, ka ende një probabilitet i madh, qoftë edhe sepse rreziqet për presidentin janë shumë të mëdha.

Një fitore e tretë elektorale, e dyta si president, do të ishte xhevahiri i karrierës tejet të gjatë të Erdogan në politikën turke, dhe do të forconte preferencën e tij për një autoritet të centralizuar, për një demokraci elektorale pa kontrolle dhe balanca, dhe për një politikë të jashtme më agresive, duke ato në raport me Greqinë, Qipron dhe vendet afrikane.

Po ashtu vendet perëndimore do të përballeshin me vështirësi në rritje brenda NATO-s dhe tensione të vazhdueshme me BE-në. Sipas skenarit të dytë, në rastin e një fitoreje të opozitës, koalicioni AKP-MHP do të bëhej pakicë në parlament, Erdogan do të tërhiqej nga presidenca, politika ekonomike do të transformohej rrënjësisht, dhe do të niste një reformë kushtetuese për të rivendosur sistemin e dikurshëm parlamentar.

Në këtë skenar, do të jetë i nevojshëm një angazhim diplomatik i madh nga ana e BE-së. Duke pasur parasysh tensionet në skenën aktuale politike dhe frikën e Erdogan nga humbja e pushtetit, nuk është e pamundur ndodhja e një sërë zhvillimesh të papritura.

Njëri mund të jetë shtyrja e zgjedhjeve me disa muaj, për ta lejuar presidentin aktual të drejtojë festimet e 100-vjetorit të Republikës, edhe pse ligjet aktuale e lejojnë shtyrjen vetëm nëse vendi është në luftë.

Një tjetër pasiguri mund të jetë në lidhje me zhvillimet në afërsi të Turqisë:Një përplasje me Rusinë në Siri, shpërthimi i luftës në Ukrainë, tensionet në Detin e Zi, të cilat mund të vënë Moskën dhe Ankaranë kundër njëra-tjetrës, apo ndërhyrja e rusëve në operacionet e sistemit raketor S-400.

Në skenarin e tretë, gara presidenciale përfundon në gjykata, përpara Këshillit të Lartë të Zgjedhjeve, duke përfunduar në një anulim dhe përsëritje zgjedhjesh, si një përpjekje e fundit për të rritur shanset e fitores së presidentit aktual. Kjo procedurë mund të zgjasë më shumë se 4 muaj midis votimit të planifikuar të qershorit 2023, dhe festimeve të 100-vjetorit të Republikës në tetor 2023.

Në të gjithë këta skenarë, partnerët perëndimorë të Turqisë do të përballeshin me pasiguri të shumta, rreziqe ekonomike dhe financiare, si dhe rritje të tensioneve ndërkombëtare. Dhe rindërtimi i një marrëdhënieje të qetë dhe gjithëpërfshirëse të BE-së me Turqinë pas zgjedhjeve, do të jetë një sfidë e madhe për të dyja palët

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH