Aktualitet

Kosova, 15 vjet shtet!

Shkruar nga Liberale
Kosova, 15 vjet shtet!

Kosova feston sot 15-vjetorin e pavarësisë. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare, në Prishtinë konsiderohen si datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.

Shtetet që e njohin dhe nuk e njohin Kosovën e pavarur

Kosova është njohur nga 116 nga gjithsej 193 shtete anëtare të OKB-së, ose nga 55.95% e tyre. Shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit, janë të ndara sa i përket pavarësisë së Kosovës. SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, njohën pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, nga fqinjët e saj, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Nga ana tjetër, Rusia e konsideroi ilegal aktin e pavarësisë, ndërsa kundër është rreshtuar edhe Kina dhe India, për të mos përmendur Serbinë. Po ashtu, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro janë 5 shtetet e Bashkimit Europian që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Njohjen e fundit që ka marrë Kosova ka qenë nga shteti i Izraelit, në shkurt të vitit 2021. Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Pse Serbia nuk e njeh Kosovën të pavarur

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia reagoi ashpër, ndërsa tërhoqi ambasadorin e Serbisë në Uashington. Kryeministri i asaj kohe Vojsllav Koshtunica e cilësoi shpalljen e pavarësisë, si vazhdim të agresionit të NATO-s. Qeveria e Beogradit pretendon se, përgjatë këtyre 15 viteve që Kosova ka qenë e pavarur, 27 vende e kanë tërhequr njohjen e kësaj pavarësie.

“Në një periudhë relativisht të shkurtër kohore janë bërë shtatë tërheqje të reja të njohjes së pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe shtoi se pret që në 15 ditët e ardhshme tetë shtete të tërheqin njohjen e Kosovës publikisht”, tha Vuçiç në shtator të vitit të kaluar.

Tensionet në veri të Kosovës

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell dha lajmin për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket targave.

"Ne kemi një marrëveshje! Me kënaqësi njoftoj se kryenegociatorët e #Kosovës dhe #Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqëndruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre", shkroi Borrell në Twitter.

Mirëpo Kosova dhe Serbia sërish po e interpretojnë në mënyra të ndryshme atë për të cilën ranë dakord. Bashkimi Evropian, u bëri thirrje atyre që ta respektojnë plotësisht dhe pa kushte marrëveshjen dhe aranzhimet e arritura vitin e kaluar për targat.

Por asgjë nuk shkoi siç parashikohej. Në gusht të vitit të kaluar, dy pika të vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, u mbyllën, pasi, sipas policisë së Kosovës grupe serbësh bllokuan rrugët dhe qëlluan ndaj policisë për të kundërshtuar masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.

Policia tha se nuk pati të plagosur nga të shtënat ndërsa theksoi se grupe protestuesish sulmuan disa qytetarë shqiptarë që po udhëtonin në kohën e vendosjes së bllokadave. Tensionet u rritën pak orë para afatit kur duhej të hynte në fuqi vendimi që të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal. Ndëkrohë, që Beogradi i kundërshtoi këto masa, duke akuzuar prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës.

Deputetët e "Listave serbe" largohen nga Kuvendi i Kosovës

Në nëntori të vitit të kaluar, Partia “Lista Serbe” dorëzoi mandatet e deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës. Dhjetë deputetët; Slavko Simic, Adem Hodza, Igor Simic, Miljana Nikolic, Zoran Mojsilovic, Verica Ceranic, Branislav Nikolic, Milos Perovic, Ljubinko Karadzic dhe Jasmina Dedic morën këtë vendim si shenjë proteste ndaj Qeverisë së Kosovës pas tensioneve në veri të vendit. Të njëjtin vendim kanë marrë edhe policët, prokurorët, gjyqtarët e asambleistët serbë në Kosovë.

Vetëm disa ditë më pas 10 deputetë të tjerë u betuan nga radhët e minoritetit serb në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e rinj nga Lista Serbe janë; Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Olivera Zdravkoviq, Milan Joksimoviq, Ksenja Bozoviq, Rados Mihajlloviq, Nenad Radenkoviq, Svetisllav Jokiq e Biljana Maksiq, ndërsa Zvelko Velkoviq është i vetmi deputet i ri që vjen nga partia Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Kosova nënshkroi aplikimin për në Bashkimin Europian

Kosova nënshkroi në dhjetor të 2022-shit aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Aplikimi u nënshkrua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti.

“Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme. Rruga jonë përpara është e qartë, procesi i anëtarësimit në BE nuk është i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por, ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses”, tha presidentja Osmani.

Liberalizimi i vizave

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane. Propozimi i Spanjës për liberalizimin e vizave, duket se ka marrë dritën jeshile nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, për liberalizimin e vizave të Kosovës.

Sipas REL, në një takim të këshilltarëve për viza në Bruksel, u pranua që liberalizimi të nisë më 1 janar të 2024. Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës, njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Propozimi spanjoll fitoi kështu kundrejt atij të Republikës Çeke, e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së, e cila kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023. Sipas propozimit të miratuar, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

10 fakte të 17 shkurtit:

1- Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta.

2- Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiçi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

3- Flamujt e parë të Republikës së Kosovës u shtypën në Turqi. Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Europën.

4- Pergamena e vjetër 200-vjeçare, lapsi me të cilin u bënë nënshkrimet, lista e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës në seancë, si dhe flamuri i vendosur në Seancën e Shpalljes së Pavarësisë ndodhen në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

6- Pergamenën për shpalljen e pavarësisë ia fali Kosovës Muzeu i Londrës.

7- Muhamer Ibrahimi është dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës.

8- Presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ishin të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

9- Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe ishin shtetet e para që njohën Kosovën.

10- Mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj. transmetuan live shpalljen e pavarësisë së Kosovës. /V.Sh - Liberale.al

 

 

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH