Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim 13 persona, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga Amerika Latine. Këta persona në sajë të një skeme të mirëmenduar rekrutonin gra nga Amerika Latine dhe i shfrytëzonin për prostitucion në Shqipëri.
Veprimtaria e tyre ishte e shtrirë në disa qytete të vendit dhe rrjeti operonte duke shfrytëzuar platforma ndërkombëtare online të prezantimit të eskortave, ku përmes publikimit të fotove dhe tarifave, realizohej kontakti me klientët shqiptarë dhe të huaj.
“Hetimet disa mujore në kuadër të procedimit penal nr.1461 të vitit 2024, u zbulua një rrjet prostitucioni ku shtetase të huaja nga Amerika Latine dhe vende të tjera ishin rekrutuar, transportuar dhe vendosur në Shqipëri për të ushtruar veprimtari prostitucioni kundrejt pagesës. Në qendër të këtij rrjeti qëndronin shtetasit e huaj F.G. dhe J.G., të cilët, përmes një skeme të mirëmenduar dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tjerë, koordinonin aktivitetin e paligjshëm dhe përfitonin nga shërbimet seksuale të ofruara nga gratë e rekrutuara.
Në total u dërguan për gjykim 13 të pandehur, ndër të cilët: 2 organizatorë për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” në rrethana cilësuese; 2 shtetas të dyshuar si klientë që kanë përfituar shërbime seksuale kundrejt pagesës; 8 shtetase të huaja, nga Amerika Latine, të akuzuara për ushtrimin e prostitucionit në territorin e Republikës së Shqipërisë; dhe1 person i përdorur për shfrytëzim”, njofton Prokuroria.